E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata e USAID: Ryshfetet reflektohen te rritja e çmimeve

Drejtuesit më të lartë të USAID-it në Shqipëri organizuan dje një tryezë me Inspektoratin e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive me qëllim forcimin e luftës ndaj korrupsionit. Drejtori i Programit për Shtetin Ligjor në vendin tonë, Fred Yeager, konstaton se deklarata e pasurisë është një element shumë i rëndësishëm për luftën ndaj korrupsionit. "Individët apo bizneset ofrojnë ryshfete, duke menduar se kjo është mënyra më e shpejtë dhe më e lirë në krahasim me ndjekjen e etapave që cakton ligji", u shpreh Yeager. Në këndvështrimin e tij, ryshfeti bëhet kosto e biznesit të një vendi. "Kostoja që reflektohet te çmimet. Ndaj shqiptarët, rrjedhimisht, paguajnë më shtrenjtë", nënvizoi Yeager. Ai vuri në dukje faktin se shqiptarët e sonduar nga USAID-i tregojnë tolerancë ndaj atij që jep ryshfetin në krahasim me atë që e merr. Një problem shumë i rëndësishëm sipas tij është moskuptimi i termit korrupsion prej njerëzve. Duke shtjelluar këtë argument, Yeager tha se "korrupsioni është si kanceri, nëse lejohet të vazhdojë përfshin të gjitha institucionet, tkurr ekonominë, duke rritur edhe çmimet". Drejtori i programit të USAID-it mendon se investigimi dhe denoncimi i konfliktit të interesit dhe korrupsionit është detyrë e qeverisë. Duke mbështetur fjalimin e fundit të ambasadorit amerikan në vendin tonë, Xhon Uidhers, ai nguli këmbë se ka shumë punë për t‘u bërë. Ndërsa garantoi se struktura që ai drejton do të ndihmojë në hartimin e programeve për luftën ndaj korrupsionit. Bruce H.Kay, drejtuesi i projektit për demokraci dhe qeverisje në USAID, forcoi idenë se evidentimi i rasteve të korrupsionit është detyrë e qeverisë. "SHBA beson se një institucion i pavarur për zbulimin e rasteve është kusht i rëndësishëm. ILDKP beson se ka bërë punë të rëndësishme në këtë drejtim", nënvizoi H.Kay. Ai konstatoi se nisur nga raporti i publikuar së fundi, del qartë se publiku nuk ka njohur punën e madhe që ka bërë Inspektorati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Në diskutime u përfshinë edhe përfaqësues të ILDKP-së dhe të medias, të pranishëm në tryezë. Inspektorja e përgjithshme e ILDKP-së, Fatmira Laska, parashtroi mendimet e saj sa i takon raportit të fundit të USAID-it. Sipas saj, duhet që patjetër të forcohet bashkëpunimi mes shoqërisë civile, medias dhe këtij institucioni, me qëllim uljen e nivelit të korrupsionit dhe konfliktit të interesit në vend. Gjithsesi Laska shtroi problemin e organikës së pakët që ka në dispozicion institucioni dhe problemet e shumta financiare me të cilat ndeshet në realizimin e punës së përditshme. "Së fundi, diskutuam në Komisionin e Financave dhe të Ligjeve në Kuvend dhe nuk na e rritën numrin e punonjësve. Madje na cenuan rrogat e ndihmësve", u shpreh Laska. Duke u ndalur te puna e institucionit, ajo konstatoi se është bërë shumë punë me synim parandalimin dhe ndëshkimin e rasteve të zbuluara dhe deklarimeve me probleme vërtetësie. Të pranishmit në tryezë dolën në propozime konkrete rreth mënyrës se si mund të rritet bashkëpunimi mes aktorëve të shoqërisë, medias dhe shtetit me synim rritjen e efikasitetit në luftën ndaj korrupsionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›