E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti, PD: Të miratojmë ligjin

Çështja e heqjes së imunitet të deputetëve është bërë sërish objekt debati në sallën e Kuvendit. Deputeti i PD-së, Bujar Leskaj, ka kërkuar që grupi parlamentar i PD-së të sjellë me urgjencë në Kuvend nismën "Për kufizimin e imunitetit të deputetit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë". Duke marrë si shembull sondazhin më të fundit të publikuar në Shqipëri, ku flitej për rritje të korrupsionit në vend, deputeti i PD-së është shprehur se shkak i kësaj është "rënia e besueshmërisë së publikut te politika". Sipas tij, besimi i publikut te politika ka rënë dhe ne duhet të reflektojmë e të japim zgjidhje, duke hartuar një ligj për sa i takon imunitetit. Një ligj i tillë, që do t‘i konsideronte deputetët të barabartë para ligjit si të gjithë qytetarët, do t‘i përgjigjej zhvillimeve të vendit. Ai kërkoi nga grupi parlamentar i PD-së të rikthejë me urgjencë në Kuvend nismën për heqjen e imunitetit, duke nënvizuar se "kjo nuk do të cenonte të drejtat tona si deputetë, por do të lartësonte politikën shqiptare". Në diskutimin e tij, Leskaj ka atakuar edhe opozitën si një nga shkaktarët që nuk pranon votimin e këtij ligji. Por kjo deklaratë ka marrë përgjigjen e menjëhershme nga kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj. Ajo ka deklaruar se qeveria dhe mazhoranca nuk duhet të spekulojnë fare me çështjen e imunitetit, pasi nëse do të donte mazhoranca, ai ligj do të ishte miratuar së bashku me amendamentet kushtetuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›