E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkrah Kosovës

Olli Rehn: Mbështesim Kosovën, që të qëndrojë me këmbët e veta

Bashkimi Evropian dëshiron të ndihmojë Kosovën, që të qëndrojë me këmbët e saj. Ishte kjo deklarata e komisionerit evropian të Zgjerimit, Olli Rehn, gjatë një konference të mbajtur dje në Bruksel mbi shoqërinë civile në Evropën Juglindore. Ai u shpreh se zgjedhja e Kosovës për një shoqëri demokratike dhe shumë etnike tashmë është gdhendur në kushtetutën e këtij shteti të miratuar vetëm pak ditë më parë nga Kuvendi i Kosovës. “BE përkrah Kosovën që të qëndrojë me këmbët e saj dhe dëshiron që Kosova të ndihmojë dhe veten. Ky është qëllimi përfundimtar i programit tonë ekonomik dhe social, si dhe qëllimi i misionit të BE-së në Kosovë, EULEX”, - shpjegoi Rehn. Komisioneri tha më pas, se BE dëshiron që Serbia të evitojë vetizolimin dhe të zgjedhë rrugën evropiane në zgjedhjet e 11 majit.  “Nëse kapërcehen me sukses sfidat, si zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës dhe zgjedhjet në Serbi, Evropa Juglindore ka një të ardhme të ndritur evropiane”, - vazhdoi komisioneri. Duke folur për rolin e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi, ai theksoi se vendet e rajonit, duke intensifikuar reformat, kanë potencialin për të përshpejtuar proceset integruese në Bashkimin Evropian. Sipas tij, BE mbështet këtë progres dhe është i angazhuar plotësisht për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. “Në këtë kuadër, - tha ai, - Serbia luan një rol të rëndësishëm në stabilitetin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore në rajon. Serbia përballet sërish me një vendim jetësor në zgjedhjet e 11 majit, dhe populli atje duhet të zgjedhë nëse dëshiron të vazhdojë drejt një të ardhmeje evropiane, ose të ekspozojë vetveten ndaj rrezikut të vetizolimit”, - tha Olli Rehn, duke shtuar se shpreson që Serbia të zgjedhë Evropën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›