“Kushtetuta po bëhet defter bakalli”
ADI SHKEMBI
Kreu i Asamblesë së PR-së, njëherësh edhe bashkëhartues i Kushtetutës, Sabri Godo, e shikon të nevojshme prekjen e ligjit themeltar për kufizimin e imunitetit. Në një intervistë për gazetën "Panorama", ai shikon si të nevojshme edhe ngritjen e një senati, i cili do të rregullonte ligjet me probleme të miratuara nga Parlamenti.
PD e PS janë pranë rishikimit të Kushtetutës përsa i përket kufizimit të imunitetit. Si e shikoni prekjen e Kushtetutës dy herë brenda një viti?
Nga prilli e këtej është ndërhyrë dy herë në Kushtetutë. Mua më duket se kësaj here bëhet e nevojshme për të ndërhyrë. Po të marrim gjithë ndërhyrjet që janë bërë, duket sikur lozim me këtë Kushtetutë sa herë na del një gjë përpara. Kjo po bëhet një gjë kronike dhe nga kjo duhet të heqim dorë. Edhe në qoftë se diku na krijohet një ngërç, mbesim diku, le ta shtyjmë në kohë dhe të mos na shkojë mendja direkt te ndryshimi i Kushtetutës. Ç'u bë kjo Kushtetutë? Ai është libri themelor i shtetit dhe qytetari ka të drejtë ta shohë si një kod të shenjtë, ndërsa kështu duket se po e kthejmë në një defter bakalli, ku mund të bëhen shënime, të shkruhen e të rishkruhen gjëra për probleme spontane. Kësaj here më duket e paevitueshme ndërhyrja, por duhet të mbledhim mendjen të mos vëmë më dorë në Kushtetutë për një kohë të gjatë, ose pastaj do të duhet të shikojmë alternativën tjetër që ta rishikojmë të gjithë Kushtetutën. Kushtetuta nuk mund të ndryshohet, por mund të amendohet, por me këto amendime duhet të ecim me mend. Unë pata thënë që në fillim që le të bëhet një paketë për ndryshimet që janë të nevojshme në Kushtetutë, për ato që nxori koha si domosdoshmëri që pengojnë reformat, pengojnë zhvillimin dhe të ishte bërë njëherë e mirë. Të ishte e studiuar, të ngrihej një komision ekspertësh dhe të silleshin në mënyrë më serioze me Kushtetutën, d.m.th të bënin njëherësh ato ndryshime që duheshin bërë. Unë dhe ndonjë tjetër e thamë në mënyrë të përsëritur dhe asnjë s'e dëgjoi. Prandaj po ecim me këtë rutinë që të jetojmë sot për nesër, të bëjmë ç'na del përpara. Ky është me të vërtetë një defekt i madh. Në qoftë se e shohim siç është kjo, lëkund themelet e shtetit, d.m.th jemi një vend që nuk është në themelet e duhura dhe duhet herë pas here t'i bëjmë riparime, ta ndryshojmë. Kjo është tërësisht negative.
Meqë edhe këtë radhë ndërhyrja në Kushtetutë është e paevitueshme. A ka pika të tjera ku mund të rishikohet Kushtetuta, që të bëhet një paketë për ndërhyrjen në të?
Ndoshta ka, por duket se askush nuk ka ndërmend të merret me këtë punë. Unë gjithmonë kam mbrojtur idenë që për kushtet tona politike do të ishte i nevojshëm krijimi i dy dhomave, të kishim një senat, ose njëlloj këshilli kombëtar, siç e ka Greqia. Kjo do të shërbente si kushinetë ndërmjet Parlamentit e Kushtetutës dhe institucioneve të tjera. Do t'i jepte më tepër kohë Parlamentit të mendohej për ligjet, të korrigjoheshin ato që bëhen shpejt e shpejt që mund të jenë të gabuara. Ky do të ishte roli i senatit. Mund të ketë vend për ide dhe propozime të tjera për ndryshime në Kushtetutë. Por këtë nuk e merr njeri parasysh dhe ecim kështu si po ecim, që na ekspozon ndaj Evropës, por edhe bindjen që duhet të ketë qytetari që kemi një Kushtetutë, nga e cila burojnë ligjet dhe ky është mekanizmi që rregullon marrëdhëniet ndërmjet qytetarit dhe shtetit. Unë nuk mund të them se ky ndryshim në Kushtetutë do të jetë i fundit. Për shkak të kombinacioneve politike ose problemeve që dalin përpara, prapë dikush do të thotë nesër hajde të ndryshojmë Kushtetutën. Me fjalë të tjera mësuam dorën të ndërhyjmë në Kushtetutë vend e pa vend. Në të kaluarën mund të them se është ndërhyrë pa vend, si për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo për ndonjë vogëlsi tjetër që mund ta shtynim në kohë pa ndonjë problem serioz. Ndërkohë që ja si vjen puna që dalin në shesh gjëra që bëjnë të detyrueshme ndërhyrjen. Mbi këtë duhet të mendohet mirë Kuvendi, Presidenca, Gjykata Kushtetuese, gjithë institucionet që janë të lidhura me Kushtetutën. Duhet të bëhet një punë me themel, punë e organizuar që të shkojmë drejt asaj ecën gjithë bota, që qytetarët të njohin Kushtetutën dhe të vihen në mbrojtje të saj.