E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, paratë vetëm për partitë parlamentare

 

BLEDAR HOTI

Paratë shtetërore për fushatën elektorale do të ndahen vetëm për partitë parlamentare. Ky është vendimi i marrë nga ana e Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore. Anëtarët e komisionit të posaçëm kanë vendosur një praktikë të re për shpërndarjen e fondeve, duke shmangur nga dhënia e fondit partitë jo parlamentare.
“Sasia e fondeve publike që u shpërndahet secilit prej subjekteve zgjedhor caktohet me vendim të KQZ-së sipas rregullave të mëposhtme: a) 50 për qind e shumës ndahet ndërmjet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë mandate në Kuvend, e përcaktuar kjo sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse. Kjo shumë u jepet këtyre partive politike nga KQZ-ja jo më vonë se 5 ditë pas regjistrimit të tyre si subjekt zgjedhor dhe paraqitjes së listës shumemërore për çdo njësi zgjedhore”, thuhet në një nga nenet e miratuara. Ndërsa pika “b” e këtij neni sanksionon se “50 për qind e shumës së përgjithshme ndahet midis partive politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se 3 vende në Kuvend, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve”. Ndërsa është përcaktuar se subjekti zgjedhor që ka përfituar fonde publike dhe që nuk fiton asnjë mandat nga zgjedhjet e radhës, duhet të kthejë shumën përkatëse të përfituar. Depozitimi i këtyre shumave bëhet në llogarinë bankare të KQZ-së. Kthimi i fondeve bëhet jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Në rast të mospërmbushjes e këtij detyrimi pa shkaqe të përligjura, KQZ-ja i kërkon Ministrit të Financave që të urdhërojë Zyrën e Thesarit që këto shuma t’i mbajë nga fondet e tjera buxhetore që përfitojnë këto parti dhe t’i kalojë ato në buxhetin e KQZ-së. Partia që nuk i kthen lekët e humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni. Ndërsa për donacionet është përcaktuar se “shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor, nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime”. Ndërsa është vendosur shërbimi i auditit të fondeve jo publike, si dhe hartimi i regjistrit të posaçëm nga ana e KQZ-së.

si do ndahen parate

a) 50 për qind e shumës ndahet ndërmjet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhorë dhe që kanë mandate në Kuvend, e përcaktuar kjo sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse. Kjo shumë u jepet këtyre partive politike nga KQZ-ja jo më vonë se 5 ditë pas regjistrimit të tyre si subjekt zgjedhor dhe paraqitjes së listës shumemërore për çdo njësi zgjedhore.

 b) 50 për qind e shumës së përgjithshme ndahet midis partive  politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se 3 vende në Kuvend, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare, sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›