E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Heqja e imunitetit nuk e lufton korrupsionin

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh dje skeptik për qëllimin që kërkojnë dy partitë, PS-PD për ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit. "Mendoj se tani u bë praktikë që Kushtetuta të mos konsiderohet më si e tillë, pra si e shenjtë. Ne nuk e kuptojmë përse çështja e imunitetit nuk u diskutua në 21 prill, por ridiskutohet përsëri. Jam i bindur se përgatiten edhe ndryshime të tjera kushtetuese, të cilat në fakt nuk bëhen dhe nuk synojnë as të ndihmojnë në luftën kundër krimit dhe kundër korrupsionit", tha Meta. Sipas tij, veprime të tilla dëshirojnë t'i mësojnë shqiptarëve faktin se Kushtetuta në këtë vend nuk ka vlerë, nuk ka rëndësi dhe se këtu duhet të sundojë arbitrariteti dhe "uni" i atij që ka të gjitha pushtetet e vendit në një dorë të vetme, apo të përqendruar. Kreu i LSI-së shprehu rezerva për qëllimin e këtyre ndryshimeve, pasi, sipas tij, nuk është imuniteti që ka penguar luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. "Pavarësisht se LSI-ja është shprehur dhe ka qenë gjithmonë e gatshme për të vendosur imunitetin në dispozicion të drejtësisë, përsëri ne shprehim rezervat tona për synimet reale të kësaj iniciative, sepse jemi të bindur se janë njëqind arsye, faktorë dhe argumente që na i forcojnë bindjet tona, që iniciativa të tilla nuk synojnë luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, sepse në rast se Berisha do të kishte minimumin e sinqeritetit për të ndihmuar drejtësinë, ai do të kishte dhënë vetë i pari dorëheqjen për tragjedinë e Gërdecit, apo për skandale të tjera që po vijojnë", u shpreh Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›