Berisha firmos me Cekën dhe Starovën
Kryeministri Sali Berisha firmosi dje marrëveshjen e bashkëpunimit me kreun e PAD-së, Neritan Ceka, i cili do të jetë kandidat për deputet në Qarkun e Elbasanit. Një dokument i tillë është firmosur edhe me kreun e PBLD-së, Arjan Starova, i pari i listës për deputet në po të njëjtin qark, nën siglën e partisë së tij. Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Kryeministri Berisha u shpreh "bashkë e nisëm, bashkë po e vazhdojmë. Unë e konsideroj këtë një ditë shumë të rëndësishme, ku së bashku me zotin Ceka, për shkak të vlerave të mëdha programore që na bashkojnë, për shkak të trashëgimisë së pashlyer që ne kemi, në momentet më të rëndësishme të pluralizmit, të vizionit të përbashkët që ndajmë, ne firmosim këtë marrëveshje për të cilën Partia Demokratike ndjehet shumë e kënaqur". Me këtë marrëveshje, këto dy parti, vendosin të funksionojnë në një koalicion të plotë, për të fituar zgjedhjet, ndërsa kushti i bashkëpunimit është bashkëqeverisja PD-PAD. "Do të fitojmë zgjedhjet dhe do të qeverisim bashkë", u shpreh Berisha. Ai i garantoi të gjithë anëtarët e Aleancës Demokratike se në bashkëpunimin me ta, Partia Demokratike sheh një perspektivë reale si të fitores ashtu edhe një qeverisje të mandatit të dytë plotësisht të suksesshme. Kryetari i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, vlerësoi se marrëveshja elektorale PDSH-PAD do t‘i japë më shumë vlera koalicionit të së djathtës. "Kanë qenë katër vite të menaxhimit më të mirë që ka pasur ndonjëherë ekonomia shqiptare, të ndërtimit të institucioneve demokratike më të qëndrueshme dhe të imazhit më të mirë që ka Shqipëria edhe në sferën ndërkombëtare", u shpreh Ceka. Ndërsa për marrëveshjen PD-PBLD, Berisha falënderoi aleatin e tij të hershëm, Arjan Starova. "Ky koalicion është koalicion vlerash. Bashkohemi për të mbrojtur të njëjtat vlera që u besojmë dhe që ndajmë. Bashkohemi për të zbatuar të njëjtat projekte, për të cilat kemi besimin më të plotë se janë projektet më të mira për Shqipërinë, për shqiptarët, për fëmijët tanë, për gjeneratat që do të vijnë", nënvizoi Berisha. Ndërsa Berisha firmoste marrëveshje me dy aleatët e tij, Cekën dhe Starovën, një tjetër grupim politik i djathtë, Poli i Lirisë, afroi pranë vetes deputetin Gilman Bakalli, i cili ka lënë vetëm deputetin Spartak Ngjela. Bakalli emërohet zëdhënës politik i PDK-së, duke i bërë thirrje deputetit Ngjela t‘i bashkohet kësaj force. "Shpresoj që miku dhe bashkëpunëtori im, avokat Ngjela, përtej të gjitha rezervave të tij, ta kuptojë rëndësinë e veçantë që ka në këtë moment bashkëpunimi pa kushte i të gjithë eksponentëve të djathtë", tha Bakalli.