Kryeministri Berisha: Sanksione për ata që nuk tërheqin kartat
Kryeministri Berisha bëri publik në detaje vendimin e qeverisë për kompensimin e çmimit për pajisjen me letërnjoftimin elektronik të disa kategorive. Kryeministri paralajmëroi sanksione të ashpra për ata që marrin lekët dhe nuk tërheqin letërnjoftimin. Për sa i përket personave në ndihmë ekonomike, Kryeministri informoi se kuponët do të blihen nga komuna dhe pas paraqitjes së faturave, do t‘u mbahet vetëm 200 lekë për kupon. Në lidhje me studentët, Kryeministri Berisha u shpreh se kuponët për letërnjoftimet do të blihen nga fakultetet dhe studentët duhet të paguajnë për to, gjithashtu, 200 lekë. Për sa u takon pensionistëve, në rast se paratë merren dhe nuk blihet letërnjoftimi, atëherë nuk do t‘u jepet pensioni tjetër. Kryeministri komentoi gjithashtu se fatura e kartave të identitetit, bashkuar me faturën e zgjedhjeve të 2009-ës, i bëjnë këto zgjedhje, të cilat vijnë në kohë krize ekonomike, 3-4 herë më të kushtueshme se zgjedhjet e tjera. "Këto janë masat, pavarësisht se koston e kanë të lartë dhe po të llogariten së bashku me shpenzimet e zgjedhjeve, këto shkojnë 3-4 herë më të kushtueshme se të gjitha proceset e tjera", theksoi Berisha.