E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkuan për pazar në Kosovë, dënohen katër kuksianë

Në ditët e sotme të integrimit duket si paradoks por dje, katër shtetas shqiptarë të fshatit Borje të Rrethit të Kukësit janë ndaluar nga Policia Kufitare e Kosovës për kalim të paligjshëm të kufirit. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Glloboçicë të Dragashit të martën pasdite, kur një grup banorësh nga fshati Borje, që ndodhet vetëm një kilometër larg kufirit me fshatin Glloboçicë, kishte kaluar për të bërë pazarin si zakonisht. Banorët e Borjes dhe Glloboçicës, dy fshatra të banuara nga goranë, kanë hyrë e dalë pa ndonjë problem që nga viti 2003, kur aty u vendos të instalohet një pikë kalimi e kufirit. Edhe më herët ka pasur raste të ndalimit të shtetasve të kësaj zone, por kohët e fundit, sidomos me marrëveshjet dypalëshe për heqjen e pasaportës në kufi për të gjithë shtetasit e dy vendeve, kjo lëvizje ka njohur intensitet në rritje. Banorët e Borjes dhe fshatrave të tjerë të zonës bëjnë pazarin çdo javë në Dragash, ku kryesisht dërgojnë patate dhe marrin miell. Por të martën, ky veprim i ka kushtuar shtrenjtë një grupi të vogël nga Borja, pasi policia e kufirit ka ndaluar katër persona të rritur të grupit, mes tyre një mësues të anglishtes dhe i ka dërguar në qeli. Të mërkurën paradite, Gjykata e Dragashit ka shqiptuar dënimin me një muaj burg për të katër borjanët për kalim të paligjshëm të kufirit. Në mesin e banorëve të Borjes ka pasur edhe fëmijë, por ata janë lënë të lirë, thjesht duke i paralajmëruar. Nga të afërmit e të ndaluarve mësohet se arrestimi është bërë me tendencë nga policët goranë të Dragashit, të cilët nuk bien dakord me pavarësinë e Kosovës. Që nga viti 1999, kufiri aty është bërë pothuajse simbolik dhe banorët kalojnë me çdo dokument dhe në shumë raste as që i pyet njeri fare. Në Dragash, ashtu si në Mitrovicën e Veriut, ekzistojnë ende mbetje të strukturave paralele që ushqehen me financime nga Beogradi. Një gjë e tillë nuk mund të thuhet me saktësi për policinë, por në rastin e dhënë, policët goranë mendohet të kenë shprehur qëndrim politik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›