E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selia rozë vendos kontaktet me PBDNJ

Partia Socialiste nis përpjekjet për të zgjeruar koalicionin me parti të tjera të spektrit politik, përtej aleatëve aktualë. Pas deklaratës së kreut të Partisë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule, se në kongresin e 9 majit do të shpallë strategjinë elektorale, kanë nisur kontaktet e para për të parë nëse mund të arrihet në një marrëveshje edhe me këtë forcë politike. Burime nga selia rozë konfirmuan dje se ka pasur kontakte mes figurave të dy partive, por pa dalë ende në një përfundim konkret. PBDNJ duket e vendosur për ta mbajtur surprizë emrin e koalicionit në të cilin do të rreshtohet në këto zgjedhje, ndërkohë që prej katër vitesh ajo është përfaqësuar në qeverinë e djathtë. Socialistët, nga ana e tyre, me afrimin e fushatës janë duke i dhënë dorën e fundit marrëveshjes që do të nënshkruajnë me aleatët e njohur të saj si PSD-ja e Skënder Gjinushit, PDS-ja e Paskal Milos, si dhe G99 e Erjon Veliajt. Burime nga partitë e majta konfirmuan se pritet që marrëveshja mes aleatëve të nënshkruhet pas datës 20 prill, e cila do të pasohet me mbledhjen e strukturave vendimmarrëse të partisë. Kryesia, asambleja kombëtare dhe së fundi edhe kongresi, janë forumet që shumë shpejt do të mblidhen për të dhënë zyrtarisht "startin" e fushatës. Pritet që kongresi të zhvillohet në javën e parë të muajit maj. Pas zhvillimit të kongresit, para fillimit zyrtar të fushatës elektorale, PS pritet që të zyrtarizojë dhe publikojë listën e kandidatëve për deputetë. I pyetur nga mediat, pak ditë më parë, Rama konfirmoi se ekipi garues i PS-së në këto zgjedhje do të shpallet në vendin dhe kohën e duhur, ose siç tha ai, diku para rënies së gongut elektoral. Rama konfirmoi edhe nënshkrimin e marrëveshjes paraelektorale me aleatët e PS-së. Paraprakisht, janë bërë të ditura disa prej pikave të marrëveshjes së PS me aleatët, e cila ka në bazën e saj të njëjtat qëndrime politike, luftë kundër fenomeneve negative, qeverisje e mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›