E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Do bashkëpunojmë me këdo që kërkon rrëzimin e Berishës, edhe me LSI-në e Nanon

Kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi në emisionin 5 pyetje nga Babaramo ka ritheksuar qëndrimin e opozitës për ndërhyrje të domosdoshme në Kushtetutë pasi ndryshimi i bërë dy vite më parë, sipas tij, ka prishur një balancë.

Balancën e institucioneve të pavarura. Prekja e nenit të Presidentit natyrshëm që prish balancat e tjera, kështu që propozimet tona janë pikërisht për të ruajtur këtë balancë, pra nuk janë as kushte as pengesë për imunitetin.

Për cilësimin si paçavure të propozimeve të PS-së nga PD-ja,  Ruçi shprehet se për të kjo ka qenë një gafë.

Jam habitur për këtë deklaratë sepse propozimet e PS së janë zgjidhje e problemit të funksioneve të drejtësisë. Ato janë fryt i një mendimi të tërhequr nga mjaft ekspertë dhe modele të marra nga kushtetutat e të gjitha vendeve të BE-së nga ku përmend Gjermaninë, Francën, Italinë etj.

Ruçi ka pohuar se korrupsionin e bëjnë pushtetarët dhe jo opozitarët. Ai pranon se nëse Berisha do të ishte i interesuar për statusin kandidat, do ta kishte pranuar më herët heqjen e imunitetit.

Sipas tij, fajësimi i opozitës është vetëm alibi sepse ai ka qenë i pranishëm në negociatat për Presidentin.

Rama i ka kërkuar për një orë e gjysmë Berishës zgjedhjen e një presidenti konsensual, reformën parlamentare, reformën zgjedhore dhe heqjen e imunitetit. Këto kanë qenë katër kërkesat e Ramës që i parashtroi Berishës dhe e pesta që këto çështje të mbylleshin brenda qershorit, pohon ai.

Ruçi thekson se ndërhyra në Kushtetutë duhet bërë njëherë dhe vetëm njëherë.

Përsa i përket referendumit ai është shprehur se kjo ide është marrëzi kushtetuese sepse nuk mund të realizohet.

Rruga e thjeshtë dhe e shkurtër dhe pa asnjë shpenzim është Parlamenti, nënvizon Ruçi.

Ndërsa për kakofonitë e ftesës me sms të opozitës për në delegacionin e Kosovës, Ruçi sqaron duke cituar tekstin : Z. Ruçi, Presidenti do vejë në Kosovë dhe kemi menduar që të çoni dhe ju një deputet të PS, shkruhej në sms që besohet se është dërguar nga Presidenca.

Ai pohon se edhe sot e kësaj dite nuk e di nga kush e ka marrë këtë sms, por thekson se edhe sikur të kishin marrë ftesë zyrtare, nuk do të ishin pjesë e delegacionit.

Gjatë intervistës Gramoz Ruçi ka deklaruar se opozita do të jetë e hapur për aleancë me LSI, AK dhe FRD.

Nëse LSI-ja bie dakord që kjo qeverisje ka dështuar dhe largohet nga qeverisja, atëherë ne jemi të hapur të bashkohemi me edhe me LSI-në. Vullneti politik i PS-së është, por kjo mbetet tek LSI-ja. Nëse LSI-ja ikën nga pushteti dhe i bashkohet aksionit politik të opozitës, pse jo, tha Ruçi, duke vijuar se dyert e koalicionit të PS-së janë të hapura për çdo parti që ka qëllimin e përbashkët me ne për rrëzimin e kësaj qeverie, duke iu referuar Aleancës KuqeZi dhe FRD-së.

Përsa i përket fjalëve për krijimin e një partie të re nga Fatos Nano, Ruçi është shprehur se është e drejtë e tij të krijojë parti dhe ne e mirëpresim në koalicion nëse ka qëllim të rrëzojë këtë qeveri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›