E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha flet për “Francë Press”

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Berisha ka hedhur poshtë çdo dyshim duke rikonfirmuar ambicien e qeverisë që drejton që vendi të paraqesë kandidaturën për në BE, brenda muajit qershor të këtij viti. Lajmi është konfirmuar për agjencinë franceze AFP, ku Kryeministri ka shprehur qartë qëndrimin e qeverisë, që duket merr në konsideratë dhe ngurrimin e disa vendeve evropiane për shkak të krizës ekonomike. Ja çfarë shkruan AFP referuar këtij momenti duke cituar kryeministrin Berisha: “Shqipëria parashikon të paraqesë kandidaturën për në BE deri në fund të qershorit, edhe pse kriza ekonomike dhe të panjohurat rreth ratifikimit të traktatit të Lisbonës nuk janë të favorshme për zgjerimin e Bashkimit Evropian, deklaroi Kryeministri shqiptar, Sali Berisha. Shqipëria mori dritën jeshile "në parim" nga Presidenca çeke e Bashkimit Evropian për gjashtëmujorin e parë të vitit, për të paraqitur kandidaturën e saj deri në fund të qershorit, por asnjë datë nuk është caktuar ende. Ramë dakord për të paraqitur kërkesën” Por në këtë pikë Agjencia Franceze e lajmeve, citon komisionerin evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, i cili ka thënë së fundmi, se zhvillimi i mbarë i zgjedhjeve parlamentare, konform standardeve evropiane, është për Brukselin thelbësor dhe parësor përpara se Shqipëria të përparojë drejt perspektivave të saj evropiane, gjë që nënkupton aplikimin për statusin. Por kryeministri Berisha ka kujtuar në këtë pikë se zgjedhjet në Shqipëri, që prej rënies së komunizmit në fillim të viteve 90, gjithmonë kanë lënë vend për kontestime dhe incidente mes grupimeve politike rivale. Dhe si përgjigje më të mirë ndaj kësaj, kryetari i qeverisë ka theksuar ligjin e ri elektoral që pritet, sipas tij, të bëjë të mundur shmangien e manipulimeve të ndryshme. Ja çfarë thotë më tej kryeministri Berisha: “Një ngadalësim i vrullit të zgjerimit rrezikon të shkurajojë opinionin publik që në Shqipëri është shprehur në shumicën dërrmuese për anëtarësimin në BE. Por besojmë se BE-ja do të dijë të vlerësojë "përpjekjet tona", veçanërisht në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në përfundim të intervistës në frëngjisht për AFP, Berisha e cilësoi si "ngjarjen më të madhe për vendin që pas pavarësisë nga Perandoria Otomane, në vitin 1912. "Është një ëndërr që po bëhet realitet", - citohet të ketë thënë Kryeministri, duke siguruar se pas kësaj vendi është "i hapur" për çdo gjë që mund t i kërkonte Aleanca Atlantike.
Ky lajm është publikuar: 10/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›