Boll me mbërtheckat, kujdes nga mbërthimi!
Më 10 mars 2009, Shqipëria pranon nën marrëveshjen me tingëllim të bukur “Mbi integrimin e sistemeve elektrike dhe të gazit natyror” që i gjithë bregdeti shqiptar të vihet në dispozicion të fqinjit historikisht ekspansionist në drejtim të bregdetit shqiptar. Atë që nuk e arriti as në vitin ‘20 as në ‘39 duket se po e realizon lehtësisht në 2009. Megjithëse në konferencë shtypi z. Ruli u ripërtyp me “integrimin”, nuk mund të mos shkruante thelbin e marrëveshjes së paku në faqe të internetit. Në marrëveshje thuhet: “Me qëllim zbatimin e objektivave të kësaj marrëveshjeje në lidhje me sektorin e energjisë elektrike, dy palët kanë rënë dakord që ndër të tjera të kompletojnë procedurat për dhënien e autorizimeve të nevojshme për zhvillimin e projekteve, që konsiderohen me interes efektiv, duke përshpejtuar procedurat përkatëse administrative”; dhe më poshtë qartësohet se bëhet fjalë për një projekt “të integruar” që është i lidhur me ndërtimin e një centrali me qymyr të importuar në Durrës, me 2 super TEC-e me nga 800 MW secili, që ia kalon ndjeshëm gjithë kapacitetit prodhues të Shqipërisë prej 1450 MW.; me super-parkun eolik, më të madhin në Evropë, në Karaburun, me 2 TEC-e të tjerë dhe 2 parqe ere në ekosistemin delikat të zonës së Shëngjinit dhe super-terminalin e gazit të lëngshëm në bregdetin e Fierit. Po përderisa marrëveshja bën fjalë për projekte dhe jo projekt, shumëkush mund të presë surpriza të tjera ekstra-territoriale italiane në Adriatik. Pra, deri tani mbetet jashtë influencës italiane bregdeti jonian, edhe pse Berluskoni ka kohë që i ka vënë syrin Syrit të Kaltër.
Institucioni që do të alarmohej më shumë nga marrëveshja para-kapitulluese për Shqipërinë, ruluar më 10 mars nga z. Ruli në emër të Këshillit të Ministrave dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Claudio Scajola, për Republikën Italiane do të ishte ministria që mbulon turizmin. Qindra miliona euro të shqiptarëve të investuara në industrinë më vitale të vendit në turizmin bregdetar nga Shëngjini në Orikum i pret cunami i piramidave të vitit ‘95-‘96, por këtë radhë me grabitje të ngadalshme. Mashtrimi i radhës tani është “teknologji e pastër”. Na e paskësh zbuluar ENEL një teknologji, që po të djegësh qymyr, ndotja është e papërfillshme. Bota kot po përpëlitet të reduktojë ndotjen e planetit e ngrohjen globale. Si nuk e paska parë bota “mrekullinë” italiane? Asnjë nuk pret që të bëjë ndonjë reagim sado të vogël ministri taze i Turizmit, z. Turku, edhe pse në një vend tjetër i pari shtetar që do të jepte dorëheqjen në këtë lloj situate do të kish qenë ministri i Turizmit. Natyrisht, nuk pritej ndonjë reagim as nga ish-ministri Pango, pasi ka pasur plot raste dhe kohë për të dhënë qoftë edhe ndonjë sinjal për këtë gjë dhe nuk e ka bërë. Ardhja e kësaj marrëveshjeje famëkeqe në vlagën e zgjatur të euforisë shqiptare të mbërtheckave nuk mund të mos të të kujtojë rrezikun e mbërthimit. Është vetë qeveria që ia ka hequr vetë mbërtheckat Shqipërisë me kësisoj marrëveshjesh të turpshme. Nëse qeveria e Rulëve nënshkruan fët e fët marrëveshjet nga Shëngjini në Karaburun, duke vënë kështu në dispozicion të italianit pjesët më të bukura të trupit të Shqipërisë për punë të pista, atëherë asnjë nuk ka të drejtë të akuzojë italianin, pse e mbërtheu Shqipërinë. “Deshi vetë”, - do thotë Ai. Shqiptarët duhet të reagojnë sot, nesër do jetë tepër vonë.
Së fundi, në këtë shkrim si dhe herë të tjera nuk mund të mos pohojmë se Shqipëria ka qenë dhe është plotësisht e gatshme që gazsjellësi TAP (Trans Adriatic Pipeline) të kalojë nëpër territorin shqiptar drejt Italisë. Kjo është marrëveshje e pastër, ku përfitojnë të dy palët, marrëveshje pa heqje mbërtheckash e pa mbërthime.