Kushtetuesja rrëzon ligjin që synonte të vinte nën kontroll gjykatat
Ligji që mazhoranca e ka konsideruar si një sukses të reformës në gjyqësor është parë si në kundërshtim me Kushtetutën dhe si i pazbatueshëm në tri pika të saj. Sipas burimeve nga Gjykata Kushtetuese bëhet e ditur se ky institucion ka vendosur të pranojë ankimimin e Shoqatës së Gjyqtarëve, i cili e sheh si në kundërshtim me Kushtetutën ligjin e propozuar nga qeveria dhe të miratuar me votat e mazhorancës.
Ankesa e paraqitur nga ana e gjyqtarëve ka të bëjë me dy çështje kryesore që janë varësia e kancelarit nga ministri i Drejtësisë, si dhe hedhja e shortit, e drejtë që me ligjin e Alibeajt i hiqet kryetarit të gjykatës dhe i jepet kancelarit. Ndërsa pika e dytë ka të bëjë me emërimin dhe shkarkimin e kancelarit, i cili është në varësi të ministrit të Drejtësisë, por që Shoqata e Gjyqtarëve e sheh të arsyeshme që t’i kalojë si kompetencë kryetarit të gjykatës. Ligji është dërguar prej gati dy muajsh në Gjykatë Kushtetuese dhe sipas burimeve nga ky institucion, anëtarët e saj me votim të fshehtë e kanë parë si të pazbatueshëm, duke i dhënë të drejtë Shoqatës së Gjyqtarëve, të cilët e kundërshtuan këtë ligj.
Ligji
Rrëzimi i ligjit nga Gjykata Kushtetuese është dhe një goditje tjetër që merr mazhoranca, pas ligjeve që ajo i konsideronte si një sukses të saj.
Në fakt, ligji në fjalë fillimisht u kundërshtua me argumentin se ekzekutivi kërkonte të merrte nën kontroll sistemin e gjyqësorit duke i dhënë kompetenca të pamerituara kancelarit, i cili emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë. Kancelarit me anë të ligjit të propozuar nga ekzekutivit i jepet e drejta e hedhjes së shortit për gjyqet, kompetencë kjo që deri më tani ishte e kryetarit të gjykatës. Nga ana tjetër, duke ditur se kancelari ka të drejtën e emërimit dhe shkarkimit të të gjithë pjesës tjetër të administratës së gjyqësorit, përjashto gjykatësit, rrezikohej që gjykatat të shndërroheshin në çerdhe militantësh, që nga sekretarët e deri te nivelet më të larta të saj, duke penguar seriozisht punën e tyre. Gjithsesi, dhe njëherë tjetër, Gjykata Kushtetuese e cilësoi si në kundërshtim me Kushtetutën një projektligj, i cili shihej qartë se vetëm në funksion të gjyqësorit nuk ishte.