Nënshkruhet marrëveshja e shitjes së OSSH, çekët bëhen pronarë pas 3 muajsh
Qeveria shqiptare ka nënshkruar marrëveshjen që bën pronare të kompanisë së shpërndarjes së energjisë kompaninë çeke, ČEZ. Kompania çeke, ČEZ, u shpall fituese nëpërmjet tenderit të zhvilluar në shtator të vitit të kaluar, me anë të të cilit ajo bëhet pronare e 75% të aksioneve të kompanisë për një vlerë prej 105 milionë eurosh. Negociatat mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë fituese për përpilimin e kontratës patën vështirësi të shumta dhe qeveria shqiptare u detyrua të kalonte një borxh në banka prej 50 milionë eurosh të kompanisë së shpërndarjes në llogari të korporatës së energjisë, KESH. Borxhi i OSSH tashmë do të paguhet nga kompania publike dhe jo nga kompania çeke, pronare e re e OSSH. Privatizimi i kompanisë së shpërndarjes ka kaluar nëpër vështirësi të shumta, që në çastin kur u paraqitën kompanitë e interesuara. Në çastin e hapjes së ofertave, tri kompani u tërhoqën nga gara. Kompania që mbeti në garë, kërkoi garanci dhe heqjen e detyrimeve, gjë që u realizua. Banka Botërore është bërë garantuesi i zbatimit të marrëveshjes. Marrëveshja hyn në fuqi, kur parlamenti ta miratojë atë dhe të zyrtarizohet garancia e Bankës Botërore për zbatimin e kontratës. Ministri i Energjisë, i cili nënshkroi marrëveshjen për qeverinë shqiptare, tha se privatizimi i kompanisë së shpërndarjes synon të ndërtojë një rrjet shpërndarjeje të krahasueshëm me atë të vendeve të rajonit. Në fakt, kompania e shpërndarjes së energjisë është në gjendje të vështirë dhe arkëtimet e saj janë sa gjysma e energjisë që hidhet në rrjet dhe kjo është shifra më e ulët në gjithë Evropën. ČEZ është një ndër kompanitë energjitike që udhëheq në Evropën Qendrore, me 7 milionë klientë dhe me një kapacitet të instaluar për prodhimin e energjisë, energjisë nukleare, nga qymyri dhe hidrocentraleve prej 14 300 MW. Grupi ČEZ renditet ndër dhjetë kompanitë energjitike më të mëdha në Evropë. Përveçse në Republikën Çeke, grupi ČEZ operon në më shumë së dhjetë vende të Evropës Qendrore dhe Juglindore.
ČEZ: Ende nuk është përmbyllur kontrata, duhen konkretizuar kushtet
Përfaqësuesi i kompanisë ČEZ, që bleu OSSH, Vladimír Schmalz, tha dje se ata e çmojnë shumë privatizimin dhe theksoi se kompania ČEZ ka eksperiencë në drejtimin e të tilla kompanive. Në lidhje me çmimet e shitjes ai tha se ata nuk mund të japin aktualisht të dhëna. Ai tha se “pas 90 ditësh ne do të jemi sërish këtu, me plan-biznesin tonë të detajuar për ne dhe klientët tanë. Ky është një plan realist, si të ulim humbjet në rrjet, në të njëjtën kohë ka dhe vendim të kompanisë sonë për të investuar dhe t’i garantojmë konsumatorit energji pa ndërprerje. Firmosëm me qeverinë marrëveshje që jemi gatit`i realizojmë këto investime. Janë disa qindra miliona euro, por kjo shumë do të jetë e saktë, pasi transaksioni të jetë mbyllur. Marrëveshja nuk është mbyllur akoma. Ka terma specifikë që nuk dua t`i komentoj. Marrëveshja do të mbyllet, pasi të gjithë termat e kontratës të jenë përmbushur, terma që janë konfidenciale. Ne sot nënshkruam një kontratë procesi. Kontrata do të mbyllet, atëherë kur termat e kontratës së sotshme të përmbushen, pas 90 ditësh. Ju lutem, pyesni ministrinë për këtë.”
Nuamah: Privatizimi i OSSH, punë e mirë që duhet të konkretizohet me rezultate
Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Camille Nuamah, tha dje “se privatizimi i OSSH është një arritje për Shqipërinë në një nga reformat më të rëndësishme që ka ndodhur në Shqipëri këto vitet e fundit. Gjithashtu, përgëzojmë kolegët tanë të IFC dhe të gjithë komunitetin e donatorëve që mbështetën këtë proces dhe sektorin e energjisë për shumë vjet dhe pa ndihmën e të cilëve ky proces nuk do të kishte qenë i frytshëm.” Ecuria e sektorit të energjisë në Shqipëri ka qenë problematike për shumë vjet, tha zyra e Bankës Botërore, duke kujtuar se vitin e kaluar, më pak se 50% e energjisë së përcjellë nga sistemi i shpërndarjes është paguar. Humbjet në sistemin e shpërndarjes për një kohë të gjatë kanë qenë më të këqijat në Evropë. Performanca e shpërndarjes së energjisë ka prekur të gjithë sektorin duke rezultuar në ndërprerje të energjisë për familjarët, bizneset dhe strukturat shtetërore, si dhe në sfida fiskale për qeverinë duke përdorur fonde që shteti mund t'i shpenzonte efektivisht në sektorin e shëndetësisë, arsimit dhe asistencës sociale për njerëzit që kanë nevojë. Nuamah tha se kjo marrëveshje përfaqëson një arritje të shkëlqyer që hap rrugë për të siguruar energji për të gjithë shqiptarët për një periudhë afatmesme pa ndërprerje dhe duke shmangur padrejtësitë që disa njerëz të paguajnë dhe disa jo. Humbjet do të pakësohen gjatë pesë viteve të ardhshme dhe arkëtimet do të rriten në të njëjtën kohë. Kjo është një sfidë madhore dhe është mirë që kjo sfidë do të përballohet nga një kompani e aftë dhe me eksperiencë si ČEZ. “Ne besojmë, - tha përfaqësuesja e Bankës Botërore, - që kjo marrëveshje përfaqëson një qasje të përgjithshme të balancuar, ku operatori i ri ndërmerr angazhime të rëndësishme për të përmirësuar performancën, ndërsa qeveria dhe Enti Rregullator të sigurojnë përfitime të arsyeshme, nëse kjo performancë arrihet. BB bëri me dije se ata presin që qeveria të përdorë hapësirën fiskale të krijuar nga mbështetja e sektorit për të ofruar më shumë asistencë sociale efektive për të varfrit dhe njerëzit në nevojë, në mënyrë që të mund të paguajnë çmimin e duhur të energjisë. “Megjithatë, - tha Nuamah, - ne theksojmë se marrëveshja e nënshkruar sot është hapi i parë dhe do të jetë efektive, vetëm atëherë kur të plotësohen një numër kushtesh.” Një nga ato përfshin që Banka Botërore të veprojë si garantues midis qeverisë, Entit Rregullator dhe OSSH së privatizuar. Plotësimi i këtyre kushteve finale do të kërkojë shumë punë intensive gjatë javëve të ardhshme. Ne mirëpresim të punojmë së bashku me qeverinë dhe këshilltarin e saj, IFC, si dhe ČEZ për të finalizuar pjesën tonë në këtë reformë kritike dhe të rëndësishme, kështu që gjërat të fillojnë të përmirësohen sa më shpejt që të jetë e mundur për të gjithë shqiptarët.
USAID vlerëson privatizimin e OSSH
Edhe agjencia për zhvillim e SHBA e vlerësoi dje privatizimin e OSSH dhe tha se ky privatizim do të lejojë, në vijim, futjen e metodave moderne të menaxhimit, të cilat do të përmirësojnë furnizimin me energji elektrike për të gjithë shqiptarët, ndërkohë që do të bëjë të mundur tërheqjen e investimeve kapitale aq të nevojshme për sektorin elektroenergjitik të Shqipërisë. Furnizimi më i sigurt dhe i garantuar me energji elektrike i bizneseve do të nxisë gjithashtu rritjen ekonomike dhe investimet private.