E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha flet për Pirron!

I pyetur për liderin e opozitës, Berisha tha se “Tani po flas për Pirron dhe po i përkushtohem Antigonesë”.

Prej ditësh, opozita ka kërkuar një përgjigje zyrtare për paktin e saj prej 10 pikësh, përgjigje e cila nuk ka mbërritur ende, ndërsa Berisha ka shprehur gatishmërinë për të përmbushur disa pika të propozuara, si ajo për reformën zgjedhore.

Gjatë qëndrimit në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, Berisha inauguroi rrugën Asim Zeneli-Antigone me gjatësi 8 kilometra, gjerësi 4 metra dhe vlerë investimi 280 milion lekë. Rruga e cila fillon në dalje të fshatit Asim Zeneli dhe përfundon në hyrje të Parkut Kombëtar të Antigonesë lehtëson komunikimin për 1200 banorë të fshatrave Asim Zeneli, Krinë, Tranoshishte, Saraqinishte.

Duke plotësuar të gjitha kushtet e një infrastrukture bashkëkohore, kjo rrugë do tu shërbejë turistëve ditorë si dhe atyre të huaj, të cilët çdo ditë e më shumë po vizitojnë Parkun Kombëtar të Antigonesë, një qendër e rëndësishme me vlera arkeologjike  e kulturore për vendin tonë. Duke e vlerësuar këtë park si një visar të vërtetë kulturor të Shqipërisë, kryeministri u shpreh se qeveria është e vendosur që trashëgiminë e madhe kulturore që ka vendi në tërësi ta bëjë të vizitueshme nga shqiptarët dhe mbarë bota.

“Qeveria është e përqendruar të ndërtojë infrastrukturë drejt të gjithë këtyre qendrave. Një nga ofertat më të mëdha të Shqipërisë për qytetarët evropianë dhe të mbarë botës është trashëgimia e saj e pasur kulturore.” u shpreh kryeministri. “Parku Kombëtar i Antigonesë është një visar i vërtetë kulturor i Shqipërisë. Ky është një qytet i lashtë, të cilin historia thotë se mbreti i Epirit, Pirrua e ndërtoi nga dashuria dhe pasioni që kishte për gruan e tij, Antigonenë. Ka një pozicion dominues dhe studimet arkeologjike të cilat për hir të së vërtetës nuk kanë qenë aq intensive sa duhet, kanë gjetur këtu objekte, shenja të lashtësisë që kanë pasuruar muzetë arkeologjikë të vendit”, shtoi Berisha. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-10-11 14:43
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›