E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha flet për eliksirin e përjetësisë dhe u kërkon gazetarëve: Mos u regjistroni tek Vullnetarët e Enverit

Kryeministri Sali Berisha e nisi mbledhjen e qeverisë duke uruar dy ministrat e rinj. Një pjesë të mirë të fjalës së tij ai ia kushtoi prodhimeve bujqësore. Ai foli me superlativa për rritjen e eksporteve të perimeve e frutave shqiptare, por zbuloi një fakt të rëndë, se Shqipëria eksporton vetëm 600 ton fruta jashtë. Sot do ndalemi në problematikën e rëndësishme të prodhimit bujqësor, rritja e të cilit është e një rëndësie të madhe. Ajo është e do mbetet vepër e fermerëve, por është detyrimi i qeverisë të investojë për rritjen e këtij prodhimi. Disa artikuj kanë rritje shumë të madhe dhe kjo është pozitive. Ka rritjen në eksportin e perimeve, çka tregon se politika jonë e stimulimit të serave është plotësisht e justifikueshme dhe duhet të vazhdojë më këmbëngulëse. Ka një rritje të ndjeshme, prej 300 përqind të eksportit të frutave nga 202 ton kemi mbërritur në 600 ton. Kjo është një rritje premtuese, që duhet bërë sa më shpejt dhjetë herë më e madhe se kjo. Përpjekja jonë për të nxitur subvencionimin, ka bërë që mijëra hektarë tokë të mbillen. Tani kanë hyrë në prodhim pemëtore të reja, tha Berisha.

Kryeministri foli edhe për bimët mjekësore, duke thënë se ato kushtojnë thuajse sa ari.

Rritje në vlerë kanë bimët mjekësorë. Potencialet këtu janë dhjetë herë më të mëdha. Tregu i tyre është një nga tregjet më të sigurta. Ministria e Bujqësisë duhet të bëjë gjithçka për nxitjen e kultivimit të tyre, për shtimin e sipërfaqeve të tyre. Bimët aromatike të këtij vendi në peshë të thatë shkojnë një me një me floririn, tha Berisha.

Më pas u ndal tek një problem që e prek dhe atë: Plakja. Berisha tha se duhet shtuar prodhimi i boronicave dhe shegëve, pasi sipas tij ato janë antioksidantët më të mirë. Berisha u shpjegoi ministrave të tij se çfarë janë antioksidantët, duke u thënë se ato parandalojnë plakjen. Janë eliksiri i jetës, tha Berisha.

Nga Ministria e Bujqësisë ai kërkoi më shumë punë për rritjen e peshqve.

Shqipëria ka 640 rezervuare artificiale. Ka po kaq liqene. Ato duhet të përfshihen në skemën e subvencionit.  Ne kemi potencial shumë të madh ujërash të brendshëm. Sigurisht që do nxisim fermat e peshkut dhe në det, por nuk duhet të harrojmë as dhe një rezervuar të vogël, tha Berisha.

Rritja e prodhimeve bujqësore është me një rëndësi të jashtëzakonshme për të balancuar bilancin tregtar të vendit. Është e një rëndësie të jashtëzakonshme sepse ne 50 përqind të popullit e kemi në zonat rurale. Duhet të bëjmë çdo gjë që të nxisim dhe inkurajojmë të shfrytëzojnë në mënyrë sa më racionale tokën e pakët bujqësore që kemi. Ti nxisim të merren me arrorë, me bimë bujqësore, me ullishte. Jemi vendi me sipërfaqen e tokës bujqësore më të pakët në Europë. Gjithsej 1800 metër për frymë. Duhet të bëjmë gjithçka që ta shtojmë, duke marrë nga kodrat, nga shpatet, nga luginat, vijoi më tej kryeministri.

Në fund të mbledhjes së qeverisë, e cila është e fundit para nisjes së pushimeve, ai iu drejtua gazetarëve duke u thënë se mos regjistroheni edhe ju tek Vullnetarët e Enverit. Berisha u detyrua të jepte një shpjegim për gazetarët e habitur me këtë cilësim. E kam fjalën për ata që mbrojnë Piramidën, ka thënë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›