E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Zgjidhja e situatës në Kosovë, me anë të dialogut

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar gjatë ditës së sotme për atë që po ndodh prej dy ditësh në Kosovë. Në një deklaratë për shtyp, të shpërndarë nga ministria, kërkohet që situata e krijuar në Kosovë të zgjidhet nëpërmjet dialogut.

Është e domosdoshme që zgjidhjet të vijnë përmes dialogut dhe marrëveshjeve të arritura, zbatimit të Strategjisë për Veriun të Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare, që do të bëjnë të mundur ushtrimin e pushtetit legjitim të autoriteteve të zgjedhura të pushtetit qendror e lokal në veri të Kosovës, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Ministria e Jashtme, e cila vijon si më poshtë:

Zgjidhja e problemeve të mbetura mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, duhet bërë nëpërmjet procesit të dialogut dhe, është thelbësore që konkluzionet e arritura mes tyre, me ndërmjetësimin e BE-së, të shndërrohen në marrëveshje të zbatueshme me garanci ndërkombëtare.

Ministria ka shprehur keqardhjen për humbjen e jetës së punonjësit të policisë kosovare, ndërsa ka deklaruar se, Republika e Shqipërisë ka mbështetur dhe mbështet pavarësinë e Kosovës dhe shtrirjen e sovranitetit të saj në të gjithë territorin e Republikës së njohur ndërkombëtarisht nga 77 shtete, si një faktor paqeje dhe stabiliteteti në Ballkan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›