E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha flet sikur vetëm ai ka parë ceremoninë e Londrës dhe zbulon se Bregu e Mëhilli janë në kërkim të princit

Pyetja e parë që të lind kur sheh Berishën duke folur një orë për ceremoninë e Lojërave Olimpike është se si mund të poshtërohen deputetët në këtë mënyrë?

Pyetja e dytë është se si ka mundësi që ky kryeministër flet sikur nuk ka parë botë me sy dhe nuk ka qenë në asnjë vizitë shtetërore?

Berisha tha se ishte nga të paktët drejtues shtetesh, që iu rezervua një takim special nga David Cameron.

Gjatë fjalës së tij, Berisha has në vështrimin e Majlinda Bregut, e cila dukej se po qeshte me përshkrimin e Berishës për ishullin e çudirave në Londër. Kryeministri i drejtohet Bregut: Mos po thua ku është princi im aty?

Pasi e kupton gafën, mundohet ta rregullojë duke thënë se edhe Erla Mëhilli ishte në kërkim të princit. Gjeni më poshtë përroin psikik të kryeministrit:

Udhëtimi në Londër ishte një udhëtim në botën e çudirave. Njeriu e ka të vështirë të përshkruajë me fjalë një udhëtim të tillë. Por ia lehtëson shuam regjisori gjenial Deni Boil, i cili kishte konceptuar atë stadium si ishullin e çudirave, në të cilin ky regjisor i kishte vënë vetes si qëllim të shkrijë në një atë që është më e mira jonë, idealin anglez.

E ndjeje, e perceptoje, e shijoje në çdo sekondë të asaj shfaqje. Aty ishin shkrirë, ishin sintezuar më të mirat e të gjitha kohërave të asaj toke dhe të atij kombi.

Siç do thoshte një gazetar i shquar, Deni Boil nuk pranoi të thotë se ky ishte koncerti muzikor më i mrekullueshëm i organizuar ndonjëherë, por natyrisht muzika ishte lumi i ishullit të çudirave.

Gjithçka ishte për të paraqitur atë kontribut të madh që ky komb ka dhënë në kulturën, muzikën e sportin e njerëzimit.

Mbretëresha në fjalën e saj do theksonte se parimi i shpirtit olimpik është të qenurit së bashku, jo rezultati, por mënyra e performimit është më kryesore. Natyrisht madhëria e saj do theksonte se ishte një vend themelues, krijues i shumë sporteve të botës.

Nuk kishte zgjedhje më të bukur se Deni Boil mund të bënte se të përzgjidhte si himn të Olimpiadës këngën e Pol Mekartnit Hey Jude. Kushdo që e njeh historikun e kësaj kënge, ajo është një nga lirikat më të bukura, një përkushtim prekës ndaj djalit të Xhon Lenon. Edhe këtu një përzgjedhje ndër më të mençurat. Natyrisht Pol Makartni e mbylli, por në ato orë që kalonin me shpejtësi të rrufeshme, spektatorët patën fatin të shohin baletin më masiv, mbi 10 mijë balerinë.

Gjer sot Londra është kryeqyteti botëror i Lojërave Olimpike, jo vetëm pse po bëhen lojërat e 30-ta, por sepse është i vetmi qytet ku bëhen për herë të tretë.

Natyrisht madhështore ishte pritja që Mbretëresha Elizabeta II shtroi në Bakingam Palas për të gjithë kryetarët e shteteve dhe të qeverisë që kishin shkuar për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes.

Lojërat Olimpike u hapën me rënien e kambanave në Britani, akt që ndodh kur përfundojnë luftërat, ose kurorëzohet mbret ose mbretëreshë.

Ky aktivitet koincidonte me jubileun e diamantë të Mbretëreshës Elisabetë II.

Kurrë ndonjëherë ai komb nuk ka pasur këtë zhvillim që ka pasur sot.

Ishte emotiv momenti kur urova Mbretëreshën për jubileun e diamantë dhe për pritjen madhështore që shtroi. Në sallë ishte i tërë gjaku blu i Europës dhe botës si rrallë ndonjëherë.

Star-i i pritjes ishte pa asnjë mëdyshje Princi Uilliams, se pas pritjes më pyet Erla a ishte princi aty. Si nuk ishte, ishte edhe Kejti. Më tha që kemi lindur në një ditë me princin. I thashë Erla, atë ditë mund të kenë lindur shumë vajza, por fatin e princit vetëm Kejt e pati.

Takova princin Çarls dhe e ftova të vinte në Shqipëri dhe më siguroi që do të vijë në Shqipëri dhe më siguroi që dëshiron të vijë.

Kam qenë edhe dy herë të tjera në Bakingam Palas dhe jam pritur nga Mbretëresha, por më duhet të them se kjo ishte pritja e diamantë e saj.

Ceremonia pati momentin unik të zbritjes së saj nga qielli në ishullin e çudirave. James Bond e fton Mbretëreshën të lërë zyrën dhe bashkë me të hipën në helikopter. Ajo u prit me ovacione kur hyri në stadium. Ajo pranoi të dalë jashtë konvencioneve.

Në këtë udhëtim pata rastin të kem një takim të veçantë me kryeministrin Kameron. Ai më rezervoi një takim në një nga dhomat e Bakingam Palas. Isha nga të paktët kryeministra e presidentë të pranishëm në këtë ceremoni, që mu rezervua pritja. Edhe pse kohën e kishte shumë të ngjeshur, ai më rezervoi një pritje të veçantë dhe e falënderoj përzemërsisht.

E ftova për 100 vjetorin dhe nuk e di nëse do gjejë kohë për të realizuar këtë vizitë.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›