E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha fshin marrëveshjen me ASG, e kishte inauguruar me ambasadoren amerikane

Nga Fitim Zekthi

Marrëveshja e djeshme me grupin italian “Falcione” për ndërtimin e një rigazifikatori në zonën e Fierit ka hedhur poshtë një tjetër projekt për atë zonë, i cili kishte marrë më parë miratimin e plotë të kësaj qeverie. Bëhet fjalë për projektin e “ASG Power”. Lajmi ishte paralajmëruar që një ditë më parë nga “Financial Times”. “Falcione” duket se ka mposhtur një projekt rival të propozuar nga “ASG Power”, një kompani me qendër në Zvicër, e në pronësi të Agim Gjinalit, një sipërmarrës kosovar”, - thuhej në raportin e “Financial Times”. Në fakt, qeveria shqiptare e ka miratuar një projekt të tillë. “Këshilli i Ministrave miratoi sot dhënien e lejes koncesionare konsorciumit “ASG Power” për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit midis Semanit (Shqipërisë) dhe Foxhias (Itali). Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë projekt një tjetër investim madhor në fushën energjitike. Nëpërmjet këtij investimi, me vlerë rreth 700 milionë euro, synohet rritja e kapaciteteve transmetuese të energjisë elektrike ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë. Ky investim është pjesë e projektit madhor me vlerë 2.5 miliardë euro, që përfshin gjithashtu ndërtimin e depozitave të gazit të lëngshëm dhe të një TEC-i me gaz”, - thuhet në një njoftim të qeverisë të nëntorit 2007.

Berisha me ambasadoren amerikane bekojnë projektin

Për shpalljen e këtij projekti, Berisha është shfaqur në krah të ambasadores amerikane të asaj kohe, Marsi Ris për t’i dhënë bekimin. “Kryeministri i vendit, Sali Berisha, si dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Marsi Ris, kanë përshëndetur projektin, i cili parashikohet të përfundojë brenda 18 muajsh. Vetë Ris ka organizuar një pritje për të bërë publike marrëveshjen e fillimit të punimeve për projektin e huaj, me vlerën më të lartë në vend. Nëse projekti zbatohet, vendi ynë do të jetë një ndër qendrat më të fuqishme të përpunimit të gazit në rajon, si dhe ndër prodhuesit e energjisë elektrike. Gjatë prezantimit të projektit me vlerë 1.9 miliardë dollarë, që do të shtrihet në zonën e Fierit, është bërë e ditur se kapaciteti i përpunimit të gazit do të jetë 10 miliardë metra kub gaz në vit. “Ky është projekti më i madh i ndërtimeve të huaja të bëra në Shqipëri, i cili do të arrijë në vlerën 1.9 miliardë dollarë. Ky projekt, parashikon që brenda 18 muajve të ardhshëm nga data e fillimit të punës të projektit, të mund të ofrojë energji me kosto të ulët gjatë natës, që vjen nga Evropa Perëndimore për Shqipërinë. Gjatë periudhës së ndërtimit të projektit do të hapen 4 mijë vende pune dhe rreth 400 vende pune të përhershme, pas ndërtimit të projekti. Çka është e rëndësishme, është fakti që në përfundimin e këtij projekti mund të ofrohet energji e mjaftueshme, për të gjitha nevojat që Shqipëria ka për energji dhe për gaz”, - tha dje ambasadorja Ris. Më tej, ajo ka shtuar se me ndërtimin e impiantit, ku do të financohen 1.9 miliardë dollarë, Shqipëria do të shihet si një vend i mirë për investimet e huaja. Pas deklaratave të Ris, kryeministri Berisha, duke falënderuar konsorciumin që ka marrë përsipër investimin, ka garantuar mbështetjen e qeverisë. “Unë siguroj përfaqësuesit e këtij konsorciumi, se qeveria do të mbështesë fuqishëm përpjekjet për të realizuar këtë projekt të madh. Unë gjithashtu i falënderoj ata, edhe për mirëkuptimin e shpejtë që gjetën me qeverinë për vendin e ndërtimit të këtij termocentrali me gaz. Unë i siguroj se do t’i mbështesim fuqimisht, që këtë ëndërr të tyre të madhe ta bëjnë sa më shpejt realitet, duke dhënë kontribut për Shqipërinë”. Impianti që do të përpunojë rreth 10 miliardë metra kub gaz në vit dhe do të prodhojë 1200 megavat energji, do të vendoset në zonën e Fierit. Parashikohet ndërtimi brenda një periudhe 18-mujore, që nga momenti i fillimit të punimeve. Për ndërtimin e këtij impianti duhet të angazhohen 3500 punonjës, ndërsa pas përfundimit parashikohet punësimi i 350 personave. Kompania që do të zbatojë projektin, është “ASG Power SA”, kompani e ndërtuar posaçëm dhe e zotëruar nga një kompani zvicerane, si dhe investitorë të tjerë evropianë dhe amerikanë. Impianti do të ndërtohet në Fier dhe sipas specialistëve, koha më e gjatë e përfundimit të tij do të jetë viti 2009. Rreth 8 miliardë metra kub gaz do të transportohet nëpërmjet një tubacioni nëndetar dhe pjesa tjetër e elektro-energjisë do të transportohet përmes një linje të rinovuar të tensionit të lartë brenda vendit, si dhe një linje të re kabllore nënujore në Itali, me kapacitet transmetimi prej 1000 megavatesh”, - thuhet në një shkrim të prillit 2006.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›