Hipokrizia serbe e pafund
Ditë më parë lexova në shtypin kroat se Serbia po ia kthen grushtin Kroacisë në të njëjtën mënyrë. Bëhet fjalë për vendimin e Beogradit që të padisë Republikën e Kroacisë për krimet që kroatët kanë bërë ndaj serbëve në operacionin “Olluja” (“Shtrëngata”), në vitin 1995, kur presidenti i atëhershëm kroat, Franjo Tudjman, siç thotë Serbia, dëboi nga shtëpitë e tyre mbi 250 mijë serbë.
Në këtë vazhdë, radikali i gjer para do ditësh, tash lider i partisë “Napred Srbijo (Përpara Serbi), Tomisllav Nikoliç, u tregua edhe më i ashpër. Ai kërkon që padisë serbe t’i shtohet edhe akuza për krimet që Kroacia ka bërë ndaj serbëve gjatë historisë, duke aluduar për shtetin “Ustash” të Ante Paveliçit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Edhe pse e planifikoi, nxiti dhe mori pjesë në gjenocid gjatë luftërave në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, Serbia edhe sot mundohet, duke përdorur mjete të tjera, të realizojë të njëjtin prodhim. Përmes luftës ajo prodhonte territore etnikisht të pastra për “Serbinë e Madhe”, ndërsa sot këtë e bën thjesht nga të njëjtat motive, duke luajtur me viktimat njerëzore. E gjithë kjo dëshmon se Serbia e ka shumë të vështirë të ndryshojë mentalitet, në ndryshim nga shtetet që e rrethojnë. Serbia për të satën herë po dëshmon se as sot nuk është në gjendje të ndryshojë dhe të ballafaqohet me faktin se gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviçit kreu agresion të armatosur ndaj Republikës së Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës. Shtiret apo vërtet Serbia e ka kujtesën të shkurtër nuk e di dhe nuk dua ta di, por një gjë është e vërtetë, në vend që të këndellet nga kokteji i pirë serbomadh, Serbia vazhdon të fajësojë në mënyrë hipokrite kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët. Në ditën kur Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara vendoste për 6 pikat e propozuara dhe të hartuara prej saj për vendosjen e misionit EULEX në Kosovë, më bëri përshtypje gjuha që përdori ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç. Mjeshtëria e retorikës, sidomos asaj të shkruar, matet me aftësinë që fjalët e përdoruara, qofshin ato të shara apo gënjeshtra, të shkrihen në kontekstin e përshkrimit të rrjedhshmërisë dhe që të veçuara të mos bien në sy. Ekzistojnë fjalë naive, të cilave nuk mund t’u fshihet kuptimi me asgjë. Sidomos kur kuptimi i tyre është aq i qartë në formën që prezantohet, që nxit neveri ndaj reaksionit publik, si reaksion normal për ata që e njohin ngjarjen dhe iu ngrin gjakun atyre që nuk e kanë informacionin bazë. Është i pakuptimtë qëndrimi i ministrit Hyseni, kur Jeremiç, që shtiret i moderuar se ka studiuar në Oksford, gënjen në sallën e Kombeve të Bashkuara duke përdorur gjuhë rrugaçi, për kinse një kishë të vjetër që na qenka djegur në Gjakovë gjatë trazirave të marsit 2004. Besoj se ministri Hyseni e ka ditë për këtë kishë, ngaqë pikërisht me këtë problem është ballafaquar, kur ishte ministër i Kulturës dhe Sportit dhe ai e dinte, se nuk bëhet fjalë për asnjë kishë të vjetër, por për një kishë, e cila kishte filluar të ndërtohej pak para fillimit të luftës në Kosovë, kur pushteti i instaluar serb i asaj kohe, duke iu vjedhur paratë qytetarëve të Gjakovës, kishte filluar të ndërtonte një kishë, thjesht për motive politike. Për ndërtimin e saj u prish një park në qendër të Gjakovës, i cili ekzistonte aty me dekada, e gjithashtu u prish edhe plani urbanistik i qytetit. Është fakt që kjo kishë politike, që nuk arriti kurrë që të përfundojë, u shkatërrua gjatë trazirave të marsit, por nuk është e vërtetë që aty u shtrua asfalt, siç pretendon ministri serb, Jeremiç. Por qershia mbi tortë e hipokrizisë serbe të radhës është kërkesa e presidentit serb, Boris Tadiç, për rishikimin e Marrëveshjes së Kumanovës. Kjo është dëshmia më e mirë jo vetëm për ne shqiptarët, por shpresoj, në radhë të parë për ata, të cilët po iu bëjnë lëshime, se politika serbe vazhdon të jetë agresive, që prodhon pasiguri dhe destabilitet në rajon. Nuk ka se si të shpjegohet ndryshe kërkesa e tyre për prurjen e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë. Ata dinë t’i shfrytëzojnë maksimalisht rrethanat, kur iu jepet edhe mundësia më e vogël. Edhe këtë herë ata po përfitojnë nga një politikë e jashtme e dobët e Bashkimit Evropian dhe tranzicioni i pushtetit në Shtëpinë e Bardhë. Ata gjithashtu po e shfrytëzojnë krizën globale financiare më mirë se askush në botë. Kur e tërë bota është e preokupuar me këtë problem, Serbia po punon me tri turne që të sigurojë një pushtet sa më të fortë për enklavat e saj në Kosovë. Edhe ideja për rishikimin e Marrëveshjes së Kumanovës është në vazhdën e kësaj politike. Beogradi me këtë kërkesë besoj se kësaj radhe i ka dëshmuar bashkësisë ndërkombëtare se dëshira e vërtetë e tij është kthimi në vitin 1999.
Kjo fushatë diplomatike hipokrite serbe duhet të ndalet, në radhë të parë nga ata që në vitin 1999, për motive humanitare, shpëtuan një popull nga gjenocidi serb.