Buxheti i shtetit, humbje milionëshe nga faturat e TVSH së “Bechtel-Enka”
Taksapaguesit shqiptarë janë duke humbur sasi të mëdha parash nga kthimi abuziv i tatimit mbi vlerën e shtuar që qeveria shqiptare i bën kompanisë që po ndërton rrugën Durrës- Kukës. Burime të gazetës “TemA” bëjnë me dije se kompania “Bechtel Enka”, produktet e importit që sjell në Shqipëri për nevojat e punimeve të saj, i sjell me fatura shumë më të shtrenjta sesa ato janë realisht në treg. Burimet saktësuan se faturave në disa raste iu shtohet një zero duke e rritur me dhjetë herë vlerën e faturave. Për shembull, në rast se një mall kushton 100 euro, ai vjen me faturë 1000 euro dhe TVSH e kësaj është dhjetë herë më e madhe sesa ajo e vlerës së vërtetë. Qeveria shqiptare ia rimburson (kthen përsëri) tatimin mbi vlerën e shtuar që paguan kompania që ndërton rrugën Durrës- Kukës për të gjitha mallrat që ajo sjell nga importi. Importet e kësaj kompanie, sipas burimeve, janë kryesisht importe që vijnë nga Turqia. Burimet thonë se humbjet që i shkaktohen shtetit shqiptar janë dhjetëra milionë lekë. Abuzimi me faturat është aq i madh, sa në disa raste raportohet futja e mallrave më shumë se sa ato futen realisht. Kësisoj, për shembull, futet një pompë betoni dhe raportohen dy, me qëllim që të paguhet tatimi mbi vlerën e shtuar për dy e më pas po për këtë vlerë të merret përsëri kjo vlerë parash nga qeveria shqiptare. Sipas burimeve, importet e kompanisë “Bechtel Enka” janë prej disa miliona dollarësh. Ministria e Financave thotë se rreth 80 për qind e parave që qeveria i ka dhënë kompanisë “Bechtel Enka” është pará që është përdorur për importet. Kjo vlerë parash do të thotë se kompania ka paguar tatim mbi vlerë e shtuar afërsisht 60 milionë dollarë. Kjo, duke llogaritur se tetëdhjetë për qind e parave që ka marrë kompania është rreth 300 milionë euro. Në këtë vlerë prej 60 milionë eurosh tatim mbi fitimin që ka paguar dhe ka marrë përsëri kompania nuk është e qartë secila pjesa e abuzimit. Burimet thonë se kjo pjesë mund të kapë rreth 25 për qind të kësaj vlere. Megjithatë, burimet nga doganat nuk saktësuan ndonjë shifër, duke thënë thjesht se kjo mund të zbulohet thjesht nëse prokuroria do të nisë të kërkojë.