Tournier, ose restaurimi i Adamit arkaik
Shtëpia botuese “Ombra GVG” sapo ka hedhur në treg librin e Michel Tournier-së “Mbreti i verrishtave”, një libër me vlera të vërteta artistike, po të nisemi nga ato kritere me të cilat gjykohet një vepër letrare, si stili, gjuha, kompozicioni, e mjaft të tjera, që i njeh shumëkush. Mirëpo në katrahurën e vërtetë të tregut të librit dhe të vlerave, aty ku lexuesi niset për të blerë xhevahirë dhe kur hap grushtin shikon se brenda tij ka ca thëngjij të zinj, në mes një kritike inekzistente dhe në mes institucionesh që veprojnë veç po të jesh i shënjuar nga tatuazhi i klanit, ka gjasa që ky libër të mos bjerë fare në sy. Kësisoj, autori i këtyre radhëve, duke qenë përkthyes i tij, merr përsipër të bëhet dorëzanës i vlerave të tij para lexuesit, një detyrë shumë e vështirë kjo dhe aspak modeste, po të kihet edhe parasysh se në kohët moderne gjithçka shikohet vëngër e me dyshim. Gëte, i pari, dhe, pastaj, edhe Borgesi, flasin për panteonin e letërsisë, panteon në të cilin lypset të hyjnë veprat e mëdha të letërsisë, me qëllim që të mbrohen prej profanizimit dhe banalitetit. Besojmë se vepra e Tournier-së bën pjesë tek ky panteon.
Tournier është një nga shkrimtarët e shquar të letërsisë bashkëkohore franceze dhe, kësisoj, vepra e tij i ofrohet lexuesit si shije taze gjithë erëza e salcra pikante, me avullin e freskët të së hazërtës, dhe jo si gjellë e ftohtë morti, ruajtur në sergjenët e historisë. Mjafton të themi se, krahas të tjerëve, për veprën e tij kanë shkruar Deleuse dhe Rushdie.
Tema e burrit
“Mbreti i verrishtave” është orvatja e shkrimtarit për të trajtuar një temë krejtësisht të allasojtë: temën e burrit, i cili, gjithë jetën e vet s’ bën gjë tjetër veçse kthehet në një fëmijëmbartës. Por, në të vërtetë, ky burrë me fëmijët kalipeç, që përçapet rrugëve për t’ u kthyer në banesën e vet, është një shënjtor, apo një monstër, është një ëngjëll, apo një lugat? Banesa e tij është shtëpia e njeriut, apo strofulla e bishës? Dhe tek vetë gjesti i burrit për të mbajtur fëmijën mbi supe kemi diçka të dlirtë e të pafajshme, apo kemi prirjen e një instikti seksual pervers?
Enigmat e këtyre pyetjeve shtohen edhe më shumë kur shikon se zgjidhjen e tyre e mban të ndrydhur brenda vetvetes personazhi i librit, Abeli, i cili, pavarësisht se bën jetën monotone dhe të rëndomtë të një mekaniku, s’ mund të jetë gjë tjetër veçse refleks i prototipit të tij zanafillor, pra vëllai nafakëprerë i Kainit. Kësodore të shkon ndër mënd se ai, me plagët e thikës që ia ka ngulur vëllai në trup është ngritur lugat për të zmbrapsur gabimin e historisë, dhe për të restauruar mbretërinë e humbur qiellore: atë të Adamit arkaik.
Tashmë ne e dimë se Adami arkaik është qenia trijare: burri-burrë, burri-grua, burri-fëmijë, pra është qenia androgjene që filozofët parasokratianë e përfytyronin në formë të një sfere, ku shuhen e fashiten kontraditat dhe të gjitha të kundërtat dhe prej nga ku lind harmonia absolute. Është qenia që gruan e kishte si një vegël e pajisje të instaluar brenda trupit dhe po kështu edhe fëmijën. Kësisoj akti seksual ishte një akt i brendshëm natyral, pa sforcime e lëvizje të jashtme mekanike. Bota që do të shërbejë si kuadër për restaurimin e Adamit primitiv është bota jogjinitale, e cila, ashtu siç thotë Filipe de Mones, është bota ku seksi nuk i përket më qenies, por llojit, i cili e ka dënuar atë me mashkulloritet. Kësisoj seksi për personazhin e këtij libri është i vendosur përnjëherësh ndërmjet kllapave dhe, së bashku me të, edhe femra, tek e cila e ka origjinën ky seks. Vajza është “një dritare e rreme”, dhe për të s’ do të bëhet më fjalë në këtë libër.
Abel Tiffauges-i do t’ i qaset imazhit të tij rrezëllitës me një fëmijë kalipeç, duke ulëritur si një tigreshë lehonë, kur duan t’ ia rrëmbejnë këtë fëmijë. Në një çast ai i kërkon frau Netës (personazh i librit), t’ i mbledhë nga dyshemeja flokët e qethur të fëmijëve, dhe t’ i thurrë me ta një triko, që, tek ta vishte atë, të ndiente se ishte i mbështjellë me fëmijët. Tek ky imazh mund të shikohet edhe gjesti i Heraklitetit me lëkurën e Centaurit ndër krahë, por edhe dashuria e nënës, e cila, ashtu siç vërejnë psikologët e do më shumë fëmijën e vet të vdekur, të ngurtësuar (të tillë janë dhe flokët), sepse kështu i shëmbëllen më shumë një fallusi. Vetë Abel Tiffauges-it i duken kapononet dhe konviktet e fëmijëve si kazanë të mëdhenj ku vlon mishi i këtyre fëmijëve dhe ai është i gatshëm të hidhet bëlldum në ujin e valë të kësaj skëterre dhe të përvëlohet së bashku me ta. Le të vërejmë kalimthi se Gustave le Bon, Frojdi dhe Canneti kanë vërejtur rrezikshmërinë e dendësisë dhe afërisë (konviktet janë model i kësaj) për lindjen e diktaturave.
Kjo bishë seksualiteti
Në të vërtetë në këtë libër bëhet fjalë vetëm për fëmijët që kanë arritur gjer tek mosha dymbëdhjetëvjeçare, pra gjer tek ajo moshë kur tek ata nuk ka buisur akoma kaçubja e errët e seksualitetit dhe nuk është zgjuar brenda saj bisha, sepse, siç dihet bajagi bukur, është cok kjo bishë seksualiteti shenja e degradimit dhe e rënies së qenies.
Atë unitet që qenia e ka humbur përmes mashkulloritetit, ose ëngjëllit fallofor, do ta rifitojë përmes Omegës, ose ëgjëllit anal, përmes lidhjes që ka ajo me tokën (toka i ka dhënë bollëkun e hajeve, Omega ia kthen bujarisht duke e plehëruar). Mjafton të kujtojmë këtu përfytyrimin e lartë me të cilën Tournier-i përshkruan mollaqet, si antifytyra, të fshehura diku në qilarin e pasmë të trupit, pa pretendime e mëtime të mëdha, por të pajisura me më shumë simbolikë.
I rrituri me fëmijën kalipeç është pasoja e regresit në histori, tek ecet me thembra mbrapsht për t’ u rikthyer tek Adami arkaik. Ky arketip, siç thamë, është shëmbëlltyra e deformuar e androgjenëve, qenie sferike me katër këmbë, shumë të zhdërvjellët dhe të shpejtë, aq krenarë për plotërinë seksuale, sa kjo gjë i bëri aq xheloze perënditë, sa i ndanë në dy pjesë: mashkull dhe femër. Por në këtë rrugë me thembra mbrapsht Abeli do të ndeshë edhe qenie të tjera të ngjashme, siç janë demat që Geringu i ka lëshuar hazat, por pa ushqime, me qëllim që të bëhen të egër, janë heronjtë e shumtë forikë së bashku me Atlasin, është vetë mbeti i verrishtave (verri: dru i zi që rritet në moçalishte), kafka e të cilit i ngjan shumë kafkës së personazhit të librit.
Zbulimi i parë i Abel Tiffauges-it, zbulim i cili shkakton edhe zgavrinën e parë në muret e fatit të tij mediokër, është se ai, në një rrethanë krejt të rastësishme, mëson se di të shkruajë edhe me dorën e majtë. Ai bëhet i vuvërt dhe i shurdhërt para këtij sinjali (që beson se ia dërgon qielli) dhe, ashtu, në kotefat, në gjendje somnabulike, jashtë rrethanave të historisë e rrjedhës llogjike të gjërave, vendos të ndjekë e të deshifrojë shenjat. Por shenjat për t’ u deshifruar kanë nevojë për mish të freskët e gjithë gjak, kanë nevojë për kurbane. Sipas gradës e ofiqit zyrtar të secilit: Abeli sakrifikon mishin e freskët të pëllumbave, Geringu mishin e drerëve dhe kapronjve, Hitleri mishin e djemve e vajzave aguridhe, të cilat dërgohen si mish për top. Ato kanë nevojë për zbehtësi e ndriçim të lëmekur, e ky është veriu europian, kanë nevojë për një vend të cilin nuk e ka drobolitur kultura dhe humanizmi, dhe ky vend s’ mund të jetë Franca, por Gjermania. Pikërisht në Gjermaninë e Hitlerit dërgohet Abel Tiffaugesi si rob lufte dhe aty, ndërsa të tjerët tmerrohen e bëjnë plane arratisjeje, ai, përkundrazi, ndihet pothuajse i lumtur dhe i këndellur. Gjatë aventurave të tij të çudishme ai ndjen që nga qiejt një klithmë të mprehtë, një britmë të paorigjinëshme. Ajo s’ mund të jetë tjetër veçse klithma e Zotit, ose e qeshura e tij, në çastin kur çau vezën kozmike dhe lindi planetët. Kësodore mëtimi i Abelit, këtij njeriu që seksin vogëlan e fsheh pas njëqind e ca kileve mish, në përpjekjet për t’ i dhënë një dërmë gjithë kësaj historie të gabuar njerëzore, shkon mu tek pika e zanafillës, tek shtëpia e Zotit.
Fati i Abel Tiffauges-it, siç vëren De Mones, është luajtur mbi shumë regjistra njëherësh, që të gjithë të nevojshëm për deshifrimin e tij. Ai duhet lexuar si një partiturë muzikore, shkruajtur mbi pesë vijat e pentagramit, por mbi të cilat, autori, nga delikatesa, nuk ka vendosur çelës; kësisoj, akcili ka lirinë ta lexojë dhe të dëgjojë sipas mënyrës së tij.
Në këtë botë mizore dhe të trashë, akcili prej protagonistëve ka ndërtuar botën e vet ideale, Kanadanë e tij. Bash tek qelqet e këtij përfyrimi vjen e përplaset edhe zogu i kismetet dhe gastaret e qelqta i hyjnë në trup. Abel Tiffauges-i e ka këtë parandjenjë, zaten në çastin e zhdukjes, besnik kokëfortë i parandjenjave të veta, teksa po gëlltitet nga lymi i moçalit, kundron për herë të mbrame një yll të artë në qiellin e zi...