Flamuri sqaron kontratën për gazin në Seman
Antena brenda familjes
Dje Flamuri ishte krejt i hutuar. Që nga 2006 nuk kishte qenë kurrë më i hutuar se dje. Ardhja e Berluskonit dhe nënshkrimi i kontratave e kishin hutuar aq shumë, sa nuk dinte ku të sqarohej për reagimet që kishte. E mori i pari një kosovar nga Zvicra në telefon. Iu prezantua. I tha, më quajnë A. Gj. Jam shqiptar, banoj në Lugano dhe jam mik me kryetarin tuaj. Ia njoh dhe çikën, dhe djalin. Ia njoh krejt dhe njihemi krejt me njëri- tjetrin. Nuk jam kah kuptoj çka po ndodh?
- Si është puna? - e pyeti Flamuri.
- Po s’di si me thënë bre vlla. Kjo qeveria e Shqipnisë asht kah tallet me projektin tim vit pas viti. Në fillim Nano më dha një vend në Karaburun, pastaj më solli në Vlorë. Ideja është të ndërtojmë një park energjitik, të kemi do sisteme të kthimit të gazit të lëngshëm në gjendje natyrore dhe pastaj do pontile në det me shkarku gazin, dhe një kabëll me e çu e me sjellë energjinë në Itali. Kena pasë plan me furnizu TEC me gaz po të ish nevoja e me shpërnda në Itali energji.
- Shumë mirë, - tha Flamuri, - se për atë po diskutohet dhe sot.
- E di bre vëlla, ndaj të kam marrë, se më kanë thënë që je më i madhi në atë vend. Puna është se kur erdhi Berisha në pushtet, thashë se mbaruan vuajtjet. E takova atë, e takova dhe çikën, dhe djalin, krejt në rregull më thanë. Po e zhvendosim nga Vlora, se bëjnë zhurmë do të rinj, aty në Seman. Mirë, u thashë. Kena pagu për çdo vend ku kena lëviz. Më thanë mos me tregu që jam shqiptar, po me thënë zviceran nga Lugano. Mirë, u thashë. Shkum n’Seman. Pagum prapë aty. Studim gjeologjik, topografik, ekonomik, çka s’kena ba bre vlla. Krejt i kena pagu. Kena fut dhe Amerikën në mes, se më thanë më lehtë është me ta. U ba krejt në rregull. Në prill të 2006, e kam thirrë atë grun që ishte ambasadoreshë e SHBA-vet atje, Marsi Ris, dhe bashkë me doktor Berishën kena shku në vend. Kena ba nji ceremoni të madhe përurimi. Çka s’kena ba atë ditë dhe jena gëzu fort. Është gëzu dhe Berisha, dhe çika, dhe djali. Krejt janë gëzu. Dhe ambasadoresha është gëzu. E filloi puna. E paraqiti Berisha këtë projekt 2 miliard si sukses të madh. Ene më 2007 e mori një vendim qeverie, na dha leje ndërtimi nga KKRrTRSH, na i dha krejt lejet.. Sot çka s’po dëgjoj bre vëlla...
- Mos u mërzit vëlla, - i Flamuri.. - U kry sot. E ka firmosë Berisha këtë lejen, se e dëgjova diku.
- E di bre vëlla, po sot ia ka dhonë nji tjetri, nji italiani.
- Po mos është ngatërruar, ngaqë flitet italisht dhe në Lugano, ka menduar se jeni të njëjtë, - tha Flamuri.
- Jo bre burrë, ia ka fut kot krejt. Ia ka dhënë një kompanie të Berluskonit. S’jam kah marr vesh ç’bahet ma. Kam pyet në qeveri të Italisë, më thanë është kontratë kot, e pasigurtë dhe jo ligjore. Është krejt kortezi.
- Po mirë, atëherë pse mërzitesh?
- Si mos me u mërzit bre, është qamet që një kryetar me ia dhënë një projekt dy kompanive dhe në të dyja rastet bën ceremoni. Qamet është ky.
- Hajt mixhë mos u mërzit se unë do ta sqaroj e të them. Po je marr vesh krejt me çikën e me djalin, mos ki merak se ata e sqarojnë atë, se ai nxitohet në këto punët e lekëve, s’i merr vesh.
- Oh, ka fillu me i marrë vesh, ndaj më ka zanë frika. Pasha zotin ma ka nxi ditën me kët që ka ba sot. Bëj derman si më i madhi i pushtetit që je atje me sqaru kët situatë. Nëse e ka pasë kot për gallatë sa me ik Berluskoni, mirë bre, s’u bë qameti, por mos kanë mbetë të pakënaq, se vallahi ç’kena pasë mundësi, i kena respektu....
- Mos u shqetëso mixhë, si t’i kesh respektu, të respektojnë, - i tha Flamuri dhe e mbylli.
Pasi e mbylli, ishte krejt i hutuar. Të ketë harruar ai burri, tha, që ia ka dhënë një tjetri këtë projekt dhe e fali për së dyti. S’ma ha mendja. Nejse, ai e di këtë punë. Po kam shpresa se ky Berluskoni vjen për gallatë, se nuk e ka seriozisht. Kështu bëri dhe kur ishte Nano. Mori Syrin e Kaltër dhe të nesërmen u turbullua ai. Do ndodhë ndonjë gjë dhe me këtë, të dalë ai burri nga situata.