E Diel, 1 Nëntor 2026

E mjera Shqipëri në dorë të kujt ka rënë!

Nga Inida Gjata ZHAKU

Në Shqipëri, prej pak vitesh, zhvillohet një spektakël me titull “Dua më shumë Shqipërinë”.

Në atë spektakël nuk mungojnë kurrë krerët më të lartë të shtetit dhe politikës, si dhe “ajka” e biznesit dhe “elita” shqiptare.

Qëllimi i këtij spektakli është të vlerësojë të gjithë atë pjesë të shqiptarëve që janë të suksesshëm nëpër botë. Ndahen çmime. Thuhen fjalë të mëdha. Mbahen trofe të rënda. Çdo element që përbën atë spektakël është “me gjasme”, por mirënjohja për nderin e madh që i bëjnë Shqipërisë ata që prej vitesh nuk japin asnjë kontribut për vendin e tyre, nga ana e atyre që e realizojnë dhe mbështesin këtë “mision” duket se është shumë e vërtetë. Madje, është një mirënjohje aq e madhe, saqë shndërrohet në përulje për hir të lartësimit të figurës së “ambasadorit që nderon Shqipërinë me punën e tij nëpër botë”. Është një si biçim sado-mazo show, ky për të cilin flas. Ku, mirë të tjerët, por edhe vetë Presidenti i Republikës, fytyra e të cilit përfaqëson Shqipërinë nëpër çdo zyrë shtetërore, mban fjalime qesharake dhe bëhet imazhi i kësaj farse të turpshme.

Ata që ftohen të vlerësohen, janë të gjithë personalitete, të cilët të larguar prej vitesh nga vendi i tyre, Shqipëria, pikërisht prej faktit se në këtë vend sado të punosh e të kontribuosh nuk vlerësohesh kurrë, madje zakon është të shpërfillesh përbuzshëm, kryesisht janë përsosur jashtë Atdheut. Në vende ku sistemi arsimor është i niveleve shumë të larta. Në vende ku mundësitë janë të barabarta për të gjithë. Në vende ku zotësia e këmbëngulja të shpërblehen e sidomos shteti të përkrah ta shpiesh më tutje formimin tënd profesional. Ata njerëz nuk janë më shqiptarë andej. Ata janë thjesht profesionistë të mirë.

Ata janë larguar nga Shqipëria, sepse nuk duan më shumë Shqipërinë, por një vend që t’ua bëjë jetën si nga ana profesionale, ashtu edhe nga ana personale, të lehtë e pa taksirate.

Por, pavarësisht nga fakti nëse ata e meritojnë të gjykohen si modelet e shqiptarit nëpër botë apo jo, tragjikomedia e vërtetë herën e fundit të zhvillimit të kësaj ceremonie ishte trajtimi gati-gati si Skënderbe që iu bë Xhim Belushit.

Një amerikan, që vetëm pse prejardhjen e ka nga Shqipëria e vetëm pse ka përmendur nja dy herë prejardhjen e tij në Amerikë, në një vend aq demokratik e multinacional, ku mund të jesh prej nga të duash e të kesh mundësi të bëhesh madje edhe president një ditë, u shpall “Nder Kombi”.

Dhe fjalimi i presidentit në atë rast ishte për të qarë nga marazi e për të qeshur nga mufkat.

Edhe vetë protagonisti i këtij Nderi të madh, Xhim Belushi, shprehu me habi të madhe: “As vetë nuk e di ç’kam bërë për ta merituar gjithë këtë ….”.

Megjithatë, askush prej shqiptarëve që vërtet duan më shumë Shqipërinë, siç janë gjithë ata të rinj e profesionistë të zotë që kanë braktisur mundësi të mëdha nëpër botë vetëm për dhënë kontributin e tyre për një Shqipëri edhe më të mirë, nuk protestoi. As nuk shpallën grevë urie apo ndonjë tjetër shenjë revolte, meqë jo vetëm nuk falënderohen publikisht për rikthimin në vendin e tyre, por edhe mundësinë e të punuarit e kanë shpeshherë në rrezik e i jetuari në vendin e tyre i shëmbëllen një makthi zakonisht. Përkundrazi, përqeshën me të madh për superbufonatën të gjithë kontribuuesit dhe shohin punën e tyre.

Artistët shqiptarë, që megjithëse kanë krijuar e realizuar historinë dhe identitetin kulturor të vendit tonë, një tjetër shtresë krejtësisht e pavlerësuar dhe e trajtuar në mënyrë krejt të rëndomtë, sidomos nga shteti, i cili kujtohet për njerëzit e shquar të Shqipërisë vetëm pas vdekjes, me siguri pas këtij palaçollëku të radhës, ku morën kot me të madh e me të vogël, me siguri do të jenë ndjerë keq sa të duash, por të mësuar me këto lloj “shfaqjesh” nuk i kanë kushtuar më shumë vëmendje.

Ajo çfarë ma riktheu në mendje këtë ceremoni, qe vizita te Varrezat e Dëshmorëve dhe te dy familjet e dëshmorëve, nga presidenti, kryeministri, kryetarja e parlamentit.

Dje ishte 28 Nëntor, dhe asnjëherë nuk më është dukur më e zymtë Tirana gjatë një dite feste.

Disa flamuj stërgjatësh varur nëpër shtylla tensioni.

Disa karuzelë, montuar nëpër sheshet qendrore për këto ditë festash, që ndizen vetëm natën.

Një ekspozitë e “Tiranës në ëndrrat e Edi Ramës”, kyçur në një si biçim serre në mes të qendrës më të shëmtuar të planetit, në sheshin “Skënderbej”.

Pak njerëz rrugëve. Erdha në shtëpi, e trishtuar që në ditën e festës nuk gjeta festë rrugëve dhe ndez TV të shihja lajmet. Kur, ç’të shoh?!

Ata, me kurora lulesh nëpër duar bënë sikur nderuan të rënët gjatë LANÇ. Meqë për PD dhe gjysmën e shqiptarëve 28 Nëntori, përveçse është Dita e Pavarësisë është edhe Festa e Çlirimit. Është çdo vit po e njëjta pamje. Veshjet kuqezi, qëndrim patetik. Fjalim politik. Nderohen gjithmonë të rënët. Vizitë te dëshmori i demokracisë gjithashtu. Déjà vu!

Dhjetëra gazetarë ndiqnin këta të tre, që drejtojnë Atdheun, e të cilët në ditën më të rëndësishme për vendin tonë, pasi nuk kanë nderuar kurrë ata që kanë luftuar e janë ende gjallë pas lufte e jetojnë si mos më keq me pensionet më të ulëta në botë, dalin me në sfond “heronjtë e rënë” dhe u thurin lavde vetes e Shqipërisë së “tyre” plot ndryshime të rëndësishme sidomos gjatë qeverisjes së fundit.

Njëlloj si ajo farsa e “Dua më shumë Shqipërinë”! Heronjtë e vërtetë, ata që kanë dhënë, japin e do të vazhdojnë të japin maksimumin për një Shqipëri të lirë, dinjitoze e të drejtë, do të vazhdojnë të ulin kokën e të vazhdojnë punën e tyre të admirueshme në një shoqëri të vështirë si kjo e jona. Duke hequr çdo ditë nga vetja e duke ia dhënë Kombit, pa kushte. Pa pritur gjë në këmbim!

Ndërkohë që medalje, dekorata, vlerësime e lëvdata do të vazhdojnë të marrin vetëm ata që Shqipërinë e kanë braktisur për çdo lloj vendi tjetër në Botë, e heronj do të vazhdojnë të konsiderohen vetëm ata që nuk rrojnë më.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›