Berisha, ftesë për 8 dhjetorin: Do shembim edhe murin e mafies
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha i është drejtuar sot me një thirrje gjithë shqiptarëve për të qenë pjesë e asaj që ai e ka cilësuar festa e 8 dhjetorit.
Duke folur në mbledhjen e kryesisë së PD-së, Berisha është shprehur entuziast që ëndrra e studentëve të dhjetorit është bërë realitet.
"Ju ftoj nga kjo platformë që të festojmë së bashku në 8 dhjetor ditën që ndau historinë e këtij kombi, na ndau epokat e këtij kombi. Ne shembën murin e Berlinit në Tiranë, qëndrojmë në shndërrimin e ëndrrave në realitet, jemi lokomotivë e integrimit të këtij vendi. Ne festojmë më krenarë se kurrë, si qytetarët e një vendi anëtarë të NATO-s dhe nderojmë 8 dhjetorin e 90-ës, pasi BE ka firmosur kërkesën tonë për anëtarësim"- tha Berisha.
Ai kujtoi se së bashku gjatë këtyre 4 viteve qeveria e tij shembi murin e krimit që ndante Shqipërinë me Europën, murin e korrupsioni që kishte mbyllur dyert e integrimit dhe me të njëjtën vendosmëri do të shembë murin e mafies që aleanca punisto mafioze përpiqet të lartësojë çdo ditë e më shumë. "Jemi të vendosur në zotimin tonë për shtetin ligjor "- tha më tej ai.
Berisha ka kujtuar edhe Azem Hajdarin, i cili së bashku me të tjerë studentë qëndruan në krye të përpjekjes për shembjen e murit.
"Le të bëjmë përpjekjen më të madhe deri në ora 04.00 të ditës së martë për të organizuar festën më të bukur, ngrohtë, miqësore, që kryeqyteti ka njohur. Kam bindjen se qytetarët e Tiranës do të dëshmohen në lartësitë e idealeve të dhjetorit"- tha ai.