E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv.presidenti i Parlamentit italian, Buttiglione: PS të njohë zgjedhjet

“Zgjedhjet ishin të rregullta, politika t’i njohë ato”

Presidenti Butilione takon Berishën dhe Topallin

Një tjetër zë perëndimor këtë radhë vjen nga Italia përmes zv.presidentit të Parlamentit Roco Buttiglione, që i bën thirrje opozitës së Edi Ramës që të njohë rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në një kohë kur opozita vijon me ultimatumet e saj, e lidhur fort pas qëndrimit për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit si një proces i manipuluar, faktori ndërkombëtar vijon të hedhë poshtë pretendimet e kryesocialistit duke përforcuar më tej qëndrimin se zgjedhjet ishin të rregullta. Zëvendëspresidenti i Parlamentit italian, Roco Buttiglione, gjatë takimit të zhvilluar dje me kryeministrin Sali Berisha dhe kryeparlamentaren Topalli u bëri apel forcave politike që të njohë rezultatin e dalë nga procesi i 28 qershorit. Buttiglione pohoi: “Dua të them se zgjedhjet në Shqipëri ishin të monitoruara nga shumë organizma ndërkombëtare dhe vlerësimi unanim i Parlamenti Evropian dhe organizmave të tjera që ndoqën këtë çështje ishte se zgjedhjet ishin të rregullta. Unë mendoj se është koha që opozita dhe qeveria të tregohen bujare për të ecur normalisht në proceset demokratike të vendit. Shqipëria ka bërë progres të madh edhe në fushën e demokracisë. Demokracia ka shpesh konflikte, ndonjëherë edhe të ndezura. Unë do doja t’i drejtoj një apel të gjitha forcave politike shqiptare; të njohin rezultatin e zgjedhjeve. Në një demokraci është e rëndësishme si të qeverisësh ashtu edhe të bësh opozitë”. Gjatë takimit të zhvilluar me kryeparlamentaren, zoti Buttiglione e vuri theksin në mënyrë të veçantë tek progresi politik dhe ai ekonomik që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve, progres që sipas tij luan një rol kyç në proceset integruese të Shqipërisë dhe heqjen e vizave vitin e ardhshëm. “Kam kënaqësi kur shoh rrugën e madhe që Shqipëria ka bërë drejt Evropës, një rrugë në dimensionin ekonomik, dimensionin civil, dimensionin politik në stabilitetin e një demokracie të fortë. Jam i bindur se Shqipëria do të marrë atë që kërkon për sa i përket hyrjes në “Shengen”, si dhe në njohjen e statusit të vendit kandidat. Nuk duhet nënvlerësuar domethënia e madhe simbolike e këtyre dy rezultateve”, - theksoi z. Buttiglione. Kurse kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vuri në dukje se Presidenti Buttiglione është një avokat i Shqipërisë ndër vite dhe ne biseduam për liberalizimin e vizave. “E falënderova për mbështetjen e Italisë në vendimin e marrë më 16 nëntor kur 27 qeveri evropiane i thanë “Po” Shqipërisë në kërkesën e saj në rrugën e integrimit dhe gjeta mbështetje nga presidenti Buttiglione në mënyrë të veçantë për atë që e kemi më të rëndësishme, në qëllimin tonë më të veçantë; në heqjen e vizave në vitin e ardhshëm, mbështetje që na është dhënë edhe nga qeveria italiane dhe ministri i Jashtëm gjatë gjithë kësaj periudhe”, - u shpreh znj. Topalli. Në konferencën e përbashkët për mediat, zëvendëspresidenti Buttiglione dhe kryetarja e Kuvendit ndër të tjera e vunë theksin dhe në forcimin e bashkëpunimit shumëdimensional mes Italisë dhe Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›