E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e gjyqtarëve nuk zgjidh "krizën" e KLD-së

Konferenca Gjyqësore e mbledhur dje dështoi të gjente rrugën se si do zgjidheshin katër anëtarë të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Kryegjyqtarja Beçaj mandatohet të thërrasë Konferencën e ardhshme për të krijuar projekt rregulloren e funksionimit të Konferencës

TIRANË- Takimi i djeshëm mes gjithë gjyqtarëve të Shqipërisë, i konsideruar nga disa folës edhe si mbledhja e Konferencës Gjyqësore Kombëtare apo si Mbledhje Gjyqtarësh, nuk arriti numrin e mjaftueshëm të pjesëmarrësve në këtë takim për të vendosur se çfarë rruge të ndjekin për zgjedhjen e katër anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të cilëve i ka mbaruar mandati. Pas shumë debateve mes gjyqtarëve dhe interpretimeve të ndryshme, në fund të takimit u vendos në unanimitet të plotë të mandatohet kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, që në një kohe sa më të shpejtë të thërrasë Konferencën Gjyqësore Kombëtare (KGJK-n) për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së.

Pas këtij mandatimi, kryetarja e Gjykatës së Lartë, gjyqtarja Beçaj, caktoi një grup pune për hartimin e projekt rregullores për funksionimin e KGJK-së që do t`i paraqitet për miratim kësaj Konference ditën e mbledhjes së saj. Ndërkohë, ftesës së krerëve të Gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit në vend, për takimin e ditës së djeshme iu përgjigjën vetëm 119 gjyqtarë nga rreth 365 që janë në detyrë në gjithë Shqipërinë. Mungesa e mbi 246 gjyqtarëve, bëri që mbledhja të "dështonte" për krijimin e komisionit të votimit dhe më pas hedhjen në short të votimit për mbledhjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare (KGJK-së) me ose pa ligj. Edhe pse nuk u arrit numri i mjaftueshëm për ta vendosur në votim këtë propozim, në sallën e Akademisë së Arteve ku u zhvillua mbledhje pati debate dhe interpretime të ndryshme të neneve të Kushtetutes mbi çështjen.

Debatet mes gjyqtarëve, u ndanë në dy kampe, njëri krah për mbledhjen e KGJK-së edhe në mungesë të një ligji me ndihmën e një projekt-rregulloreje dhe krahu tjetër për mos mbledhjen e KGJK-së pa u miratuar ligji në Kuvend. Dy qëndrimet e ndryshme mes gjyqtarëve, ndanë në dysh edhe shoqatat e gjyqtarëve, atë të Unionit të Gjyqtarëve që ishin pro mbledhjes së KGJK-së edhe në mungesë të ligjit dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve që ishte kundër. Gjatë diskutimeve të lira gjyqtarët, përveç se debatuan në lidhje me mbledhjen ose jo të KGJK-së, drejtuan akuza konkrete edhe ndaj krerëve të Shoqatave të Gjyqtarëve. Disa nga të pranishmit, u shprehën me tone të ashpra dhe herë-herë edhe fyese ndaj drejtuesve të Shoqatave të Gjyqtarëve, duke i akuzuar ata si të pa mandatuar nga gjyqtarët, por, vetëm nga interesat e tyre personale.

Akuzat e gjyqtarëve ndaj shoqatave

"Nuk na përfaqësoni ne, nuk jeni mandatuar prej nesh"
Më të ashpër në këtë drejtim ishin gjyqtarja Fatmira Hajdari, gjyqtarët Fatri Islamaj e Musa Halili. Këta të fundit, akuzuan krerët drejtues të këtyre shoqatave, si të pa mandatuara nga gjyqtarët, por, nga interesat e tyre personale. "Ku i keni anëtarët tuaj ju të Unionit të Gjyqtarëve. Kush ju ka mandatuar ju të na përfaqësoni ne. Unë nuk jam anëtare e asnjërës prej këtyre shoqatave dhe ju më flisni në emër të gjyqtarëve. Ju mbroni interesat tuaja pas këtyre shoqatave dhe jo të gjyqtarëve",-u shpreh Hajdari. Në të njëjtën linjë qe edhe gjyqtari Islamaj, që iu drejtua kryetares së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve duke e akuzuar për përvetësim titulli. "Kush të ka zgjedhur ty kryetare, unë jo as shumë kolegë të mi. Keni qenë vetëm për muajt e formimit të Shoqatës drejtuese, por, që nga kjo kohë nuk na ke mbledhur që të rivotohesh për kryetare. Pse del dhe flet për frymën e gjyqësorit, kur ti nuk më përfaqëson mua",-iu drejtua ndër të tjera gjyqtari Islamaj. Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit Ushtarak Musa Halili, propozoi të shkrihen këto dy shoqata dhe të dalë një e vetme që mbron interesat e gjyqtarëve dhe jo interesat e politikës së caktuar të individëve të ndryshëm.

Kryetarja e Gjykatës së Lartë
Beçaj: KGJK-ja të mblidhet edhe pa ligj
TIRANË- "Gjykata Kushtetuese, si organi i vetëm që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, e cilëson Konferencën Gjyqësore Kombëtare si organizëm vetërregullues dhe kompetencën e saj kushtetuese të zbatueshme drejtpërsëdrejti. Për këto arsye, mendoj se Konferenca i ka të gjitha tagret kushtetuese për vetë mbledhjen e vetë rregullimin e saj dhe zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së edhe në kushtet e mungesës së ligjit. Jam e mendimit se mungesa e një ligji për KGJK-në nuk e ndalon vetorganizimin e mbledhjes së përgjithshme të të gjithë gjyqtarëve të Republikës për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së"-tha ndër të tjera në fjalën e saj kryetarja e Gjykatës së Lartë, gjyqtarja Shpresa Beçaj. Ndërsa, në lidhje me korrupsionin në gjykata, kryetarja e kasacionit u shpreh se "e ritheksoj përsëri me forcë përpara jush dhe shpreh bindjen time se ne nuk kemi një sistem të korruptuar por individë brenda këtij sistemi të cilët, vetë ne duhet t'i evidentojmë dhe t'i vëmë përpara përgjegjësive për t'i larguar imazhin negativ të krijuar sistemit e drejtësisë. Ndaj, e shpreh me forcë se largimi i këtyre elementeve nga organet e drejtësisë është domosdoshmëri, sepse toleranca dëmton rëndë imazhin e drejtësisë",-tha ajo në fjalën e saj para gjyqtarëve të pranishëm.

Ankesa
Qeveria nuk jep buxhet për gjyqësorin
TIRANË- Gjatë takimit të djeshëm pesë orësh, gjyqtarët e pranishëm në mbledhjen e parë pas pesë vitesh shprehën shqetësimin e tyre edhe për buxhetin e vogël që qeveria ndan për gjyqësorin. Në fjalët e tyre, diskutantët paraqitën të dhëna të buxhetit të shtetit që kalojnë për gjyqësorin, që sipas tyre, është më i ulët në Evropë dhe pagat janë më të vogla në rajon. "Shqipëria ishte dhe mbetet në vendin e pestë nga fundi përsa i përket njërit prej treguesve me sinjifikative të buxhetimit adekuat dhe sipas standardeve të gjyqësorit duke pasur buxhet për pushtetin gjyqësor vetëm në masën 4 euro për banor. Pas nesh mbeten vetëm Moldavia, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Armenia",-tha ndër të tjera në fjalën e tij anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani. Po të njëjtin mendim në fjalën e tij kishte edhe gjyqtari Klodian Rado që përfaqësonte Shoqatën Kombëtare të Gjyqtarëve, duke kërkuar nga qeveria të rishikojë buxhetin e përcaktuar për gjyqësorin. "Që nga viti 2003 gjyqtarëve në vend nuk i është rritur paga, por, ka vetëm ulje. Ulje këto që vijnë si pasojë e taksave që ndërmerr qeveria në politikat e saj ekomomike",-tha ai duke i kujtuar qeverisë propozimet e misioneve ndërkombëtare të drejtësisë në vend, se paga minimale për një gjyqtar duhet të jetë mbi 1000 euro.

Reagimet
Hysni DEMIRAJ anëtar i KLD-së
Politika na katandisi kështu
"Gjyqtarët duhet dhe janë për të zbatuar ligjin dhe mbi të gjitha Kushtetuten. Kjo e fundit flet qartë se si duhet të veproni në këto raste. Unë ju sugjeroj që mos të prisni nga politika sepse ajo na ka katandisur në këtë gjendje që jemi, por të veproni në bazë të ligjit dhe Kushtetutës"-tha në fjalën e tij anëtari i KLD-së Hysni Demiraj.

Gurali Brahimllari, anëtar i Gjykatës së Krimeve të Rënda
Sa më shpejt anëtarët e rinj të KLD-së
"Përbërja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë është anti-kushtetuese, pasi ka në funksionim vetëm 13 anëtarë dhe jo 15, sa edhe duhet të jenë. Plus këtu që dy prej anëtarëve të tjerë i kanë mbaruar mandati, kështu që i bie që KLD-ja po funksionon vetëm me 11 anëtarë. Të zgjedhim sa më shpejtë katër anëtarët e rinj të KLD-së në zbatim të Kushtetutës.

Musa Halili, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit
U lanë pa punë gjyqtarët ushtarakë
"KLD-ja e ka shkrirë Gjykatën Ushtarake dhe ka lënë pa punë gjashtë gjyqtarë. Ata rrogën e marrin dhe nuk punojnë. Duke qenë ne në këto gjykata, KLD-ja sjell gjyqtarë të Shkallëve të Para dhe i emëron si anëtarë të Gjykatave të Apelit, ndërsa ne na le të presim. Për këtë shkak asnjë nga titullarët e KLD-së nuk pranon të na presë, se kanë shumë punë. Të zgjedhim sa më shpejt anëtarët e KLD-së. Arsyeja pse nuk kanë ardhur të gjithë gjyqtarët është se kanë frikë nga deklaratat publike të drejtuesve të KLD-së për KGJK-n. Deklaratat e tyre janë presion i hapur që i bëhet gjyqësorit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›