E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët vendorë: Buxheti i 2010-ës ka reduktuar fondet e bashkive dhe komunave

Gjatë protestës së djeshme, vendorët deklaruan se do të vazhdojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre

Ashtu si kishin paralajmëruar disa javë më parë, drejtuesit vendorë socialistë janë mbledhur sërish dje para kryeministrisë për të protestuar kundër cenimit të autonomisë vendore. Protesta e paralajmëruar për në orën 11:00 në fakt nisi 50 minuta më vonesë, pasi disa punonjës të bashkisë u bllokuan në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" dhe nuk u lejuan të bashkoheshin me qindra protestues nga gjithë Shqipëria që ishin mbledhur para kryeministrisë. Arsyeja e ndalimit të tyre ishin qeset plastike që ata mbanin në duar dhe që nga policia e rendit u cilësuan si të dyshimta, qese të cilat ishin të mbushura me mbeturina, të cilat në të vërtetë do të shërbenin si dekori i protestës "Të drejta sipas ligjit" në shenjë simboli se bashkitë nuk kanë fonde as për pastrimin e qytetit. Për disa momente, njerëzit e mbledhur përpara kryeministrisë kanë dëgjuar dëshmitë e disa punonjësve të bashkisë, për keqtrajtimet që kishin pësuar, ndërkohë që përpiqeshin të bashkoheshin me protestuesit e tjerë që gjendeshin para kryeministrisë.

Duke ju referuar këtij incidenti dhe atij të djeshmit, gjatë të cilit 18 punonjës të bashkisë së Tiranës u ndaluan nga policia e rendit, Rama e akuzoi kryeministrin Berisha për keqpërdorim të policisë në mënyrë që të vazhdojë të mbajë pushtetin. Veprimin e djeshëm të policisë kundrejt punonjësve të ndërmarrjes së pastrim gjelbërimit në Tiranë, Rama e cilësoi si shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut. Më pas, duke rrëfyer bisedën mes tij dhe drejtorit të policisë, në lidhje me këtë incident Rama tha: "I kërkova arsyen drejtorit se pse policia mban në komisariat njerëz të pafajshëm dhe përgjigjja ishte: Kështu erdhi koha. Kur policia thotë se erdhi koha është shenjë e sigurt se një epokë po mbaron e një epokë po fillon.

Epokë tjetër që fillon është ose diktaturë ose demokraci dhe vijë të mesme nuk ka. Ne jemi këtu, sepse epoka e re do të jetë e epokë e demokracisë dhe jo e një gjysmë demokracisë". Me tej, Rama i bëri thirrje policisë së shtetit që të mos zbatojnë asnjë urdhër të qeverisë, të cilën e cilësoi si të paligjshme dhe u kërkoi policëve të mos shndërrohen në vegla të një pushteti që ka perënduar dhe që do t'i tërheqë të gjithë me vete. "Jeni roje e ligjit dhe popullit, nuk jeni lecka për topat e pushtetit", iu drejtua atyre kreu i Bashkisë.

Gjatë protestës së djeshme, krerët e bashkive dhe komunave socialiste kanë shprehur me shifra dhe fakte konkrete pamundësinë për të kryer funksionet e tyre dhe për t'u shërbyer qytetarëve, për shkak të reduktimit të buxheteve. Sipas tyre, buxhetet e bashkive dhe komunave që drejtohen nga të zgjedhur demokratë, janë më të larta dhe ata nuk kanë të tilla shqetësime. Problemi më i madh për të gjithë krerët e pranishëm dje në protestë ishte riklasifikimi i bizneseve, sipas rregullave të përcaktuara në ligjin e miratuar në muajin maj 2009-të.

Zbatimi i këtij ligji, sipas kryebashkiakëve, jo vetëm që do të çojë drejt falimentimin e një numri të madh biznesesh të vogla, të cilat, sipas formulës së përcaktuar në ligj, do të klasifikohen si biznese të mëdha, por do të boshatisë edhe arkat e bashkive dhe komunave. Pothuajse të gjithë kundërshtuan Ministrin Bode, i cili pak ditë më parë, gjatë miratimit të buxhetit 2010-të tha se ndarja e fondeve për pushtetin vendor është bërë në mënyrë të barabartë. Edhe kreu i bashkisë se Tiranës e kundërshtoi këtë pohim.

"Ministri i xhepave të pushtetit tha se ndarja e këtyre fondeve është bërë në mënyrë të barabartë, por jo, ndarja e fondeve mes bashkive të tjetrit dhe të mia nuk ka lidhje me demokracinë dhe socializmin, por me korrupsionin", tha Rama, duke e konsideruar të palogjikshëm këtë veprim. Kryetarët e bashkive kërkuan plotësimin e 5 kërkesave, të cilat janë edhe thelbi i reduktimit të fondeve për bashkitë nga pushteti qendror. Ishte kryetari i bashkisë së Tiranës, njëkohësisht edhe kreu i PS-së që deklaroi se socialistët do të vazhdojnë protestat e tyre dhe se nuk do t'i ndalë presioni i askujt për t'i plotësuar këto kërkesa.

Kryetari i bashkisë së Korçës, Niko Peleshi
"Kjo është një protestë evropiane, është një protestë për të ruajtur demokracinë lokale, ndaj duhet të vazhdojë deri sa të fitojë. Sipas tij, 1000 biznese në këtë bashki rrezikojnë falimentimin, nëse miratohet ligji për tatimin e biznesit të vogël".

Kreu i Bashkisë së Patosit, Bardhyl Meli
"Politikat e qeverisë kërkojnë të shtrëngojnë ekonominë e qytetarëve. Së bashku me në sot protestojnë edhe biznesmenët për rritjen e taksave. Gjatë dy viteve të fundit buxheti i bashkive nuk është rritur as edhe 1%".

Kreu i bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi
"Kjo protestë, veçse kundër cenimit të autonomisë vendore, zhvillohet edhe për të mbrojtur biznesin, i cili po shkon drejt falimentimit. Buxheti ka qenë selektiv për bashkitë e majta. Veç kësaj qeveria aktuale nuk ka përpiluar një program antikrizë.

Kryebashkiaku i Pukës, Rustem Struga
"Bashkia e Pukës drejtohet nga socialistët prej disa vitesh dhe kjo nuk i ka pëlqyer asnjëherë PD-së. Në Pukë 30% e popullsisë janë të papunë dhe 25% e tyre përfitojnë ndihmë ekonomike. Prej katër vitesh Bashkia e Pukës vuan mungesën e fondeve. Duhet t'i jepet fund diskriminimit të pushtetit vendor".



Kryetari i Bashkisë Gjirokastrës, Flamur Bime
"Ulja e grantit na shkëput edhe me donatorët, sepse kemi lidhur kontrata, ku jemi bashkëfinancues me 30%, por më uljen e buxhetit ne nuk financojmë dot më. Buxhetit të bashkisë së Gjirokastrës i mungojnë 25% të të ardhurave për pastrimin e qytetit dhe për shpenzimet për jetën kulturore të këtij qyteti".

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika
"Në protestën e radhës ne do të sjellim 20 mijë qytetarë të Vlorës, ndaj të mos i shkojë në mendje Sali Berishës t'i cenojë ata. Vendorët janë më të vendosur se kurrë për t'i thënë jo uljes së rolit të qeverisjes vendore. Është e pafalshme që reforma e decentralizimit në vitet 2005-09-të nuk ka ndryshuar, por bashkia ka më pak autoritet".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›