E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha fton Hysenin, Serbia protestë në OKB



Një tjetër incident i serbëve ndaj shqiptarëve, këtë radhë në sallën e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Gjatë seancës së djeshme në OKB, ku Kryeministri Sali Berisha do të mbante fjalimin në seancën e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, delegacioni shqiptar në përputhje me procedurat e sekretariatit të OKB-së, kishte ftuar që të ndiqte fjalimin e Kryeministrit edhe ministrin e Jashtëm të Kosovës, z. Hyseni dhe stafin e tij. Delegacioni serb protestoi për këtë fakt dhe kërkoi nga protokolli i sekretariatit të OKB-së që t’i nxirrte ata jashtë me pretendimin se ministri i Jashtëm i Kosovës me bashkëpunëtorët e tij nuk duhet të qëndronin aty. Delegacioni shqiptar kundërshtoi vendosmërisht këtë pretendim të delegacionit serb me argumentin se të gjithë ata që janë të ftuar nga delegacioni shqiptar kanë të drejtë të jenë aty. Sekretariati i OKB-së miratoi qëndrimin e delegacionit shqiptar dhe vendosi që ministri i Jashtëm i Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tij të qëndronin në sallën e OKB-së për të ndjekur fjalën e Kryeministrit të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›