E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rizgjedhja, Bajnai, Timoshenko dhe Tusk urojnë Berishën



Kryeministri Sali Berisha mori dje mesazhe urimi për rizgjedhjen në krye të qeverisë nga homologu hungarez Gordon Bajnai, ai polak Dionald Tusk dhe Kryeministrja ukrainase Yulia Tymoshenko. Në emër të qeverisë hungareze z.B ajnai i shpreh Berishës mbështetjen në procesin e integrimit evropian. Ai shkruan: “Ju siguroj se mbështetja e perspektivës evropiane e Republikës së Shqipërisë, aleates sonë në NATO, mbetet në fokusin e politikës së jashtme të Hungarisë. Shqipëria do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë në këtë drejtim në çdo forum të rëndësishëm. Hungaria ka besimin e fortë se përmbushja e kritereve të vendosura nga Bashkimi Evropian do të rezultojë në përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit tuaj në BE, duke përfshirë edhe heqjen e regjimit të vizave në zonën “Schengen”. Kurse Kryeministrja e Ukrainës shkruan në mesazhin e saj: “Rezultatet që paraprijnë katër vitet e punës suaj në krye të qeverisë së Shqipërisë kanë treguar sukses thelbësor në zhvillimin dhe reformimin e vendit në rrugën drejt integrimit evropian dhe euroatlantik, janë kthyer në një provë të sigurt të patriotizmit dhe profesionalizmit tuaj”. Znj. Timoshenko vijon mesazhin: “Unë do të dëshiroja të uroja qeverinë, të cilën Ju keni drejtuar, punën e suksesshme drejt rritjes ekonomike të Shqipërisë, forcimin e stabilitet dhe bashkëpunimin në rajon si edhe përforcimin e institucioneve demokratike. Kam besimin se bashkëpunimi midis qeverive tona do të lehtësojë zhvillimin e marrëdhënieve shqiptare-ukrainase në të mirë të prosperitetit të popujve tanë”. Nga ana e tij Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, i drejtohet me këtë mesazh Berishës: “Shpreh bindjen time se kursi i reformave euroatlantike të vendit Tuaj do të sjellin domosdoshmërisht rritjen ekonomike dhe rritjen e begatisë së qytetarëve shqiptarë. Besoj se bashkëveprimi i Polonisë dhe Shqipërisë në drejtim të integrimit evropian si dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik do të krijojë lidhje edhe më të afërta të shoqërive tona dhe të bashkëpunimit dypalësh”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›