Zgjedhjet në PS, deputetët e Ramës, presion mbi anëtarësinë
Një pjesëmarrje e ulët e anëtarësisë socialiste në votime, e shoqëruar me presionin e deputetëve mbështetës të Ramës që anëtarët të votojnë për vijimësinë e mandatit të tij në krye të PS-së. Zgjedhjet e djeshme për kryetarin e ri të PS-së shënuan një pjesëmarrje të vogël me afro 30-40 për qind, ndërkohë që të gjithë deputetët e PS-së ishin të shpërndarë nëpër qarqet ku zhvilloheshin zgjedhje, duke ushtruar presion që socialistët të votonin për kryetar Edi Ramën. Nga ana tjetër, mësohet se kjo ka sjellë dhe reagimin e brendshëm të grupit “Mendimi ndryshe” që kryesohet nga deputeti Ben Blushi, të cilët, sipas burimeve, bëhet e ditur se kanë kërkuar që t’u vihet në dispozicion e gjithë lista e votuesve të ditës së djeshme. Kjo pikë pritet të ngjallë debate brenda PS-së, pasi burimet sqarojnë se ky grupim ka dyshime konkrete për manipulim të procesit të votimit. Gjithsesi, pavarësisht humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, Edi Rama kërkoi dje vazhdimin e mandatit në krye të PS-së, përmes votimit të anëtarësisë socialiste. Votimi për kryetarin e ri, mes dy konkurrentëve Rama dhe Lakrori, nisi mëngjesin e djeshëm, ku rreth 82 mijë socialistë në të gjithë vendin, në bazë të parimit “një anëtar, një votë”, kishin të drejtën e votës për kreun e ri të Partisë Socialiste. Për zgjedhjen e kryetarit të ri të PS-së, i cili do të drejtojë selinë rozë për katër vitet e ardhshme, në të gjithë vendin u ngritën rreth 400 qendra votimi. Ky moment politik në këtë parti erdhi fill pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ku PS-ja mbeti sërish në opozitë dhe statuti i PS-së parashikonte ndërprerje të mandatit për kryetarin aktual. Pas shumë debatesh për përgjegjësitë e humbjes, Edi Rama vendosi të rikandidonte, i mbështetur nga një pjesë e strukturave të partisë me alibinë se zgjedhjet e 28 qershorit u deformuan dhe institucionet e dala prej tyre janë ilegjitime.
Me këtë justifikim, Rama u fut sërish në garë, nga e cila u tërhoq një tjetër kandidat, Arben Malaj, pasi e cilësoi shkelje të statutit rikandidimin e kryetarit aktual. Qendrat e votimit dje u hapën në orën 8:00 dhe u mbyllën në orën 16:00 pasdite. Gjatë paradites së djeshme votuan edhe dy kandidatët, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, përkatësisht në njësinë 2 dhe 9. Pas votimit, Rama tha se procesi i votimit është real dhe i bukur, por ai denoncoi në media me emra kundërshtarët sipas tij politikë, të PS-së. “Ashtu sikundër Sali Berisha, Ilir Meta e Fatos Nano dhe kompania e altoparlantët e tyre kanë bërë çmos ta zhvleftësojnë e përbaltin procesin e sotëm, por votimi sot tregon që është jo vetëm i bukur e real, por që tregon se PS është forca më e madhe e demokratike në Shqipëri dhe pengesë e pakapërcyeshme për ta kthyer pushtetin e popullit në një pushtet që nuk mbron interesat e popullit”, - u shpreh Rama në një komunikim të shkurtër për mediat. Dita e sotme do të jetë vendimtare për shpalljen e kryetarit të ri të Partisë Socialiste dhe rezultati do të dalë nga komisioni i zgjedhjeve i ngritur në këtë parti.