Berisha fton Ramën në debat publik, pasi ai refuzoi listën e deputetëve si dhe shpalljen e një programi politik

Kryeministri Sali Berisha i ka bërë dy ditë më parë në Pogradec një thirrje publike kryetarit të opozitës, Edvin Ramës që të dalë në një debat publik, ku të mund të përballen alternativat elektorale, dhe jo të fshihet përmes fjalimeve nihiliste, duke refuzuar, qoftë pjesëmarrjen në listën e kandidatëve për deputetë, qoftë edhe shpalljen e programit elektoral të Partisë Socialiste. “Unë i bëj thirrje mençurisë tuaj, në 28 qershor të vendosni në interesin tuaj më të mirë, tha kryeministri Berisha. Zoti Edi Rama ka ndërmarrë këtë fushatë, fushatë mashtrimi. Tre ditë më parë do të deklaronte me zëdhënësin e tij, se bashkia e Pogradecit ka marrë zero lekë nga qeveria e Sali Berishës. Më duhet t’i them zotit Rama se këtu nuk ka veshgjatë, por edhe sikur veshgjatë të kishte ne nuk do ta besonim. Urdhëro Zoti Rama, të dalim këtu në shesh nëse dëshiron dhe le t’u themi qytetarëve se cilat janë projektet e Sali Berishës, në rrugë në shkolla në kanalizimi çdo ditë në këtë rreth. Përfaqësuesit e Edi Ramës deklaronin në parlament, se ne Pogradec dhe në të gjithë Shqipërinë, mësuesit marrin sot 270 mijë lekë, por hajde zoti Rama dhe gjej një mësues në Pogradec që të thotë se marrë nën 400 mijë lekë, dhe unë pastaj do të jap të drejtë ty. Çdo ditë kur dëgjoj atë dhe zëdhënësit e tij, ndjej dhimbje dhe keqardhje të thellë, sepse me nihilizmin e tyre më duket se ata lëndojnë qytetarët shqiptarë. Unë nuk them se nuk kemi halle, unë nuk them se nuk kemi shumë punë për të bërë, por unë ju them se projekti i Shqipërisë europiane, dhe i Pogradecit europian, është projekti më ambicioz i jetës sime, por unë ju them ju se ne sëbashku ndërtuam 5900 kilometra rrugë, ne sëbashku ndërtuam dhe rindërtuam nga e para 1012 shkolla, 720 ujësjellës, qindra e qindra qendra shëndetësore, në katër vitet që vijnë Shqipëria do të jetë krejt tjetër”. Burime jozyrtare parnë stafit elektoral të kryeministrit Sali Berisha thanë se tashmë s’kishte ndonjë mundësi që Kuvendi të mblidhet e t’i mundësojë Edvin Ramës që të përfshihet në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, prandaj edhe mbetej si mundësi e vetme për të bërë transparencën e fushatës elektorale, marrja pjesë në një debat të drejtpërderjtë zgjedhor. Kryeministri Berisha ka qenë gjithmonë i gatshëm për debat me kryetarin e opozitës, por Edvin Rama ka refuzuar rregullisht, por tashmë kjo ftesë duket shumë kuptimplote, kur edhe debatet televizive të kandidatëve po kanë vështirësi të zhvillohen, për shkak të mungesës së angazhimit nga ana e Edi Ramës dhe njeriut të tij besnik (në marrëdhëniet me median), Endri Fugës.
...