Jemin Gjana: Uragani i fitores do vijë nga Dibra

Kreu i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në qarkun Dibër: Vetëm qeveria e PD me Sali Berishën mundet dhe do ta bëjë Rrugën e Arbërit
Jemin Gjana, kreu i MBUMK, deputet i Kuvendit të Shqipërisë konsiderohet jo vetëm në qarqet politike por dhe ato gazetareske jo vetëm si një ministër i suksesshëm por dhe si përfaqësues i denjë qytetarëve në parlament. Ai ka mundur të ngrejë sa dhe si duhet zërin e tij sa i përket interesave të atyre që i kanë besuar votën. Zoti Gjana ka mundur dhe ka ditur të jetë në koherencën e duhur të zhvillimeve partiake brenda spektrit politikë të cilit i përket gjatë viteve të tranzicionit shqiptarë. Ka mbaruar Fakultetin e Ekonomisë Agrare në vitin 1975 dhe do të diplomohej 19 vjet më vonë për arsye të përndjekjes nga ish regjimi i kohës. Në vitet e pluralizmit zoti Gjana nuk do të nguronte t’i bashkohej ndryshimeve dhe jepte kontributin e tij të rëndësishëm. Në vitin 1991 ka qenë sekretar i degës së PDSH-së Pogradec dhe anëtar i Këshillit Kombëtar i PDSH në mënyrë të vazhdueshme. Aktiviteti politik vazhdon si anëtar i kryesisë së PDSH në vitet 1997-2005, nënkryetar i PDSH në vitet 1999-2001 dhe Sekretar Organizativ nga 2005 në vazhdim. Është deputet në pesë Legjislatura të Kuvendit të Shqipërisë nga viti 1992 dhe në vazhdim. Ka kryer detyra të ndryshme në Kuvend si kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave (1992-1993), Kryetar i Grupit Parlamentar të PDSH (1999-2001), Kryetar i Komisionit Parlamentar të Bujqësisë dhe të Ushqimit (2001-2005), Bashkëkryetar i Komisionit Parlamentar dypalësh për reformën Zgjedhore (2002-2005), etj. Ka kryesuar disa Komisione të Posaçme dhe hetimore Parlamentare. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “55”, zoti Gjana flet për sfidat më të cilat u përballë në krye të MBUMK, kandidimin e tij në qarkun Dibër, dhe çfarë pret nga zgjedhjet e 28 qershorit.
Zoti Gjana bashkë me kreu i Financave z. Bode jeni ndër të vetmit ministra të qeverisjes se PD-së që nuk jeni lëvizur në çdo ndryshim kabineti të z.Berisha. Mendoni ky ka qenë për ty një vlerësim për punën e mirë që keni bërë në krye të këtij dikasteri nga kryeministri dhe forca politike që përfaqësoni?
Padyshim që ka qenë vlerësim për punën në ekip që kemi bërë nën drejtimin e Kryeministrit për ti dhënë një fytyrë tjetër bujqësisë shqiptare, për të kthyer njerëzit tek puna që e kishin vrare monopolet e politikanëve në tetë vitet e PS, për ta bërë bujqësinë pjesë të tregut, për ta shëndoshë tregun dhe siguruar konsumatorin. Vlerësim për gjithë strukturat e bujqësisë në vend, vlerësim për programet e suksesshme që implementuam në këto katër vite. Ne thjeshtë punuam me seriozitet maksimal si ekip në qeveri dhe si ekip me të gjitha strukturat drejtuese.
Konsideroheni si një ministër i suksesshëm. A mund të na thoni në mënyrë të përmbledhur arritjet mandati tuaj si dhe sfidat që prisni në një mandat të dytë?
Pas katër vitesh në krye të këtij dikasteri të lënë mënjanë, për të mos thënë të përbuzur dhe strehë për shumë manipulatorë e dallaveregjinj, mund të shoh dhe të prek arritje cilësore. Mund t’i prekë fermeri dhe konsumatori shqiptar në gjithë Shqipërinë arritjet e realizuara të sektorëve me më shumë probleme, me më pak mbështetje dhe në mungesë disavjeçare te orientimit te bujqësisë drejt ekonomisë se tregut. Po përpiqem të flas me një gjuhë të thjeshtë që të më kuptojë cilido lexues. Shikoni tregun sot dhe do të bindeni se 80 përqind e produkteve ushqimore që shtrojmë në tavolinat tona janë prodhime vendi. Pavarësisht se shumëkujt i duken të importit, por ju siguroj se janë të vendit.
Ju siguroj se nuk importohen më turshi nga Bullgaria. Kjo ka ndodhur sepse nuk ka zyrtar sot që të ketë biznes ushqimesh, nuk ka sot monopole ushqimesh. U punua me seriozitet maksimal në këto vite për ujitjen e kullimin dhe rezultojnë se sot janë mbi 1000 km kanale ujitëse me beton, janë riparuar 45 diga, kanë hyrë nën ujë edhe 50 mijë ha toka të tjera. U punua për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit me një përgjegjësi maksimale, me profesionalizëm dhe përkushtim nga strukturat, me një përkujdesje të madhe për konsumatorin dhe sigurinë e tij, pa ndëshkuar bizneset. U implementua në këto tre vitet e fundit mbështetja direkte për bujqësinë dhe ky program ka pasur një impakt të madh. 30 milionë dollarë dhamë në formë subvencioni për tre vite por impakti është shumë i madh në shumë drejtime. Këtij programi gjashtë herë do t’ia shtojmë mbështetjen. Sot 19 skema mbështesim dhe do ta rrisim numrin e skemave. Janë shumë drejtime ku ndryshimi është i madh, mbresëlënës dhe cilësor. Por mendoj se ndryshimi më i madh është se në këto vitet të qeverisjes së PD ne ia kthyem pushtetit fytyrën njerëzore. E bëmë njerëzor pushtetin. Nuk kam mbyllur kurrë telefonin asnjë çast, nuk kam lënë njeri pa takuar dhe nuk ka pasur asnjë rast që dikush të mbetet pa takuar zyrtarin që ka kërkuar për takim. Kam takuar mijëra fermerë në gjithë Shqipërinë dhe kam bashkëbiseduar me to. Mesatarisht çdo javë dy ditë i kam kaluar në terren tek fermerët ngado nëpër Shqipëri.
Sot pas 4 viteve të qeverisjes suaj, sa i sigurt është konsumatorit shqiptarë në produktet që konsumon?
Kur jam bërë ministër, të parin betim që kam bërë me veten time, ka qenë, që nuk do të lejoj kurrë dhe do të sakrifikoj gjithçka, që tek konsumatori shqiptar të mos shkojnë ushqime të pasigurta. Kjo ka të bëjë me bindjen time, me kulturën dhe formimin tim. Sepse kam menduar se nuk ka krim më të rëndë se sa të lejosh që konsumatori të konsumojë ushqime të pasigurta. Dhe mendoj se ia kemi arritur. Nuk kam lejuar në asnjë rrethanë që të hyjnë në treg ushqime të pasigurta. Ndonëse kjo ka qenë ndër betejat më të rënda, më të vështira, ndjehem i qetë dhe krenar sot se ia kam arritur. Me përplasje të mëdha, por ia kam arritur sepse kam pasur në krah fuqinë dhe mbështetjen totale të Kryeministrit dhe nuk jemi mposhtur para asnjë lloj presioni, sado i madh që ka qenë.
Sa ka gjetur fermeri shqiptarë mbështetjen e institucionit që iu drejtoni? Cilat kane qenë politikat mbështetëse në simulimin e shtimit të prodhimit vendas?
Fermeri shqiptar në këto katër vite është bindur se ka shtet edhe për të, se ka mbështetjen e shtetit. Edhe nëse shteti nuk ka mundur ta ndihmojë sa e si duhet, të paktën nuk e ka penguar, nuk e ka mashtruar, nuk e ka konkurruar me të padrejtë. Mendoj se gjëja më e mirë që kemi bërë për fermerin shqiptar është se ne e kemi orientuar atë drejtë me politikat tona orientuese për një bujqësi konkurruese. I kemi dhënë ndihmë në ato që nuk i bën dot vetë fermeri. E kemi shpëtuar nga përmbytja rajonin e Lezhës. Edhe qytetin edhe zonat e fshatrave që iu shkatërrohej çdo gjë para vitit 2005. Me 40 mm shi përmbytej Lezha. Sot me 270 mm shi nuk përmbytet sepse Drini është bërë kolektor i madh shkarkimi. Si Lezhën që shpëtuam, shpëtuam edhe Myzeqenë. Pastruam e thelluam pas 40 vitesh Emisarin e madh të Myzeqesë. Pastruam kolektorin Hoxharë – Roskovec që nuk ishte pastruar 40 vjet. Kush e ka parë këtë punë është shprehur se u ribonifikua Myzeqeja. Dhamë subvencion 30 milionë dollarë. Krijuam Agjencinë e Pagesave në Bujqësi në kohë rekord. Nuk lejuam konkurrencë të pandershme. Bëmë 7 tregje shumice. U shtuan prodhimet vendase dhe e përsëris se sigurojmë 80 përqind të nevojave tona ushqimore. Por nuk synojmë sovranitet ushqimor asnjëherë. Sepse, psh. banane ne do të importojmë gjithmonë, sheqer e oriz do të importojmë. Duke qene një treg i hapur sektori ynë i bujqësisë synon te prodhoje për vendin dhe për eksportin një game te madhe produktesh,por ne kurrë nuk mund te mendojmë për izolim e sovranitet. Ne do vazhdojmë te importojmë sheqer e oriz,te importojmë kafe e fruta ekzotike,te importojmë ato produkte me te cilat ne nuk kemi shans te jemi konkurrues ne tregje. Ne kurrë nuk do punojmë me si ne rrethim,nuk do i nënshtrohemi absurdit te ligjit socialist te mbështetjes ne forcat e veta, apo parullës “lufta për bukën lufte për socializmin”. Por ne do vazhdojmë ta rrisim me hapa te shpejte prodhimin e atyre produkteve me te cilat bëhemi konkurues. Viti 2008 ka vërtetuar tendencën tone pozitive te rritje se prodhimeve nga bujqësia. Ne ketë vit krahasuar me një vit me pare janë prodhuar 86 mije ton grurë,30 mije ton misër,44 mije ton perime, 36 mije ton patate,14 mije ton fruta,29 mije ton ullinj,9 mije ton rrush,24 mije ton qumësht,67 milion kokrra veze,930 ton mjaltë etj. Janë shënuar hapa te rëndësishëm ne përmirësimin e raportit mes sasive te produktit vendas dhe atij qe vjen nga importi ne një shumice artikujsh. Kështu ne vitin 2008 ne kemi prodhuar ne vend 715 mije ton perime dhe kemi importuar vetëm 16 mije ton,kemi prodhuar 190 mije ton patate dhe kemi importuar vetëm, 21.8 mije ton,kemi prodhuar 22 mije ton fasule dhe kemi importuar vetëm 360 ton,kemi prodhuar 134 mije ton fruta dhe kemi importuar 79 mije ton duke e ulur me 16 mije ton eksportin krahasuar me një vit me pare. Kemi prodhuar nga përpunimi 11.8 mije ton djathë dhe kemi importuar vetëm 1.3 mije ton,kemi prodhuar 10341 ton sallame e proshuta dhe kemi importuar vetëm 4721 ton. Kemi prodhuar ne vend me shume gjalpë, birre, ujë etj me shume se sa kemi sjelle nga importi. Rritja e prodhimit ne frutikulture ka bere qe te kemi prodhuar 69.9 mije ton lëngje frutash ne një kohe qe kemi importuar vetëm 8.6 mije ton. Këto tregues i kane dhëne prestigj prodhimit vendas ne tregjet tona.
Kur keni ardhur në krye të MBUMK keni konstatuar dhe denoncuar projekte fantazmë, të cilat nuk kanë qenë unikalë me projektet e qeverisë, qoftë edhe të qeverisë paraardhëse. Cila ishin masat që morët që të tillë projekte fantazmë të mos kishte më nën drejtimin tuaj?
Mendoj se ia arritëm me ekipin të shkatërrojmë projektet fantazmë siç ishte vrima e zezë 2KR që gëlltiste fondet. Mundëm ta bëjmë eficent projektin e ujitjes, sepse atje kishte ndodhur që ishin lëvruar fonde por nuk ishte bërë asnjë lek punë dhe në letra dilnin objekte të përfunduara. I kërkonim ato objekte dhe ato nuk ishin bërë kurrë. Se nuk mund të zhduket brenda një viti një kanal i betonuar, një argjinaturë etj.
Le ti kthehemi dhe njëherë politikës. Jo vetëm ministër, por edhe si deputet keni gjetur mbështetjen e lidershipit të PD-së sikurse dhe juve keni qenë gjithnjë koherent në qëndrimet tuaja politike ndaj politikave jo vetëm të kësaj force politike si në opozitë ashtu edhe në mazhorancë. Jeni mandatuar në Kukës, ndërsa kësaj here jeni i pari i listës së Dibrës. Si ndiheni si kandidatë në një zonë tjetër por që është fqinje me Kukësin?
Jam deputet që nga fillimi. Jam bërë deputet së pari në Pogradec, në Mokër të Pogradecit, pastaj në Kukës, pastaj në Fanë të Mirditës, pastaj në Has dhe aktualisht jam në listën e qarkut Dibër. Ndjehem mirë në Dibër siç jam ndjerë mirë ngado nëpër Shqipëri. Unë jam ministër, drejtues që nga fillimi në PD dhe normal si kolegët e mi jemi shpërndarë nëpër gjithë qarqet e vendit për të marrë përgjegjësi. Dhe kjo tregon një seriozitet të shtuar të forcës tonë politike, tregon marrje përsipër të detyrave dhe zgjidhjen e problemeve.
Tashmë keni nisur fushatën në qarkun Dibër dhe po shkelni në çdo fshat komune dhe qytet. Në kontaktet që keni pasur sa e mbështesin aty ndryshimin që ka ndodhur në Shqipëri dhe cilat janë nevojat më imediate të tyre për të cilat jo vetëm si institucion por edhe si qeveri shprehni angazhimin sa do të vihen në rrugën e zgjidhje?
Në Dibër, në Reç të Dibrës morëm leksionin më të mirë. Qeveria të na i bëjë punët e mëdha, të na ndërtojë rrugët, se fëmijët tonë i ruajmë vetë. Tetë vjet nuk gjendet një ditë që të kemi pasur 8 orë drita, ndërsa këto katër vite, nuk gjejmë një ditë që të na jenë ndërprerë dritat 8 orë. Dibranët janë popull shumë i zgjuar, me ndjeshmëri të lartë, me inteligjencë të rrallë. Dibranët nuk tolerojnë shpërfilljen e askujt. Janë popull shumë punëtor e patriotë. Janë njerëz shumë mirënjohës. Kemi marrë mesazhe të mëdha nga njerëzit. Ka shumë optimizëm në qarkun e Dibrës. Rruga e Arbërit që po ndërtohet është burimi i optimizmit të dibranëve, është burimi i mirënjohjes që ata kanë ndaj Sali Berishës dhe qeverisë së tij. Pas tunelit të Kalimashit, tuneli i Rrugës së Arbërit e ka radhën. Veç Rrugës së Arbërit që është përfunduar në një të tretën e saj, ka filluar puna intensivisht në rrugën që lidh Kukësin me Peshkopinë, ose më mirë që lidh Dibrën e Madhe me Prizrenin. Kjo rrugë kalon nëpër 11 komuna të Dibrës e Kukësit. Rruga tjetër që lidh Burrelin me autostradën e kombit. Nuk janë vetëm rrugët. Dibra po ribëhet hambar i vendit, i veriut. Dibra po kthehet në identitet, po bëhet pemëtorja e madhe e vendit. Dibranët po e shohin vetë ngado e përditë se janë bërë ndryshime të mëdha në këto katër vite. Dhe dibranët po besatohen që të mos lenë punët përgjysmë, të mos ndërpritet puna e nisur, të mos lihet në mes Rruga e Arbërit. Dhe janë të bindur se po mbetën punët në mes, kurrë nuk do të bëhen.
Qeveria Berisha ka ndërmarrë nismën më të madh të tranzicionit shqiptar, bërjes së Shqipërisë me rrugë të standardeve bashkëkohore. Investimet nuk kanë munguar nga veriu në jug ku spikasin investimet në bregdet apo autostrada e kombit siç e konsiderohet kryeministri Berisha rrugë Durrës-Kukës - Morinë. Po në qarkun Dibër a ka pasur investime në infrastrukturë. Kam parasysh këtu një tjetër rrugë strategjie për vendin siç është rruga e Arbrit, por dhe ajo që lidh Peshkopinë me Kukësin? Si po ecin punimet dhe a mendoni që në një mandat të dytë të Partisë Demokratike kryerja e këtyre investimeve konsiderohet një çështje e mbyllur??
Vetëm qeveria e PD me Sali Berishën mundet dhe do ta bëjë Rrugën e Arbrit dhe gjithë rrugët e vendit. Askush tjetër jo. Janë planifikuar dhe ka nisë puna në shumë akse të tjera në qarkun e Dibrës. I thashë më sipër
Si një nga kandidatët e PD-së që garon në parlament, si iu duket lista për PD-së për gjithë Shqipërinë? Mendoni se është superiore krahasuar më atë të PS-së?
Lista e PD përveçse është me figura të spikatura, me personalitete, është listë që tregon përgjegjshmëri.
Si ecën fushata në zonën ku ju garoni. Çfarë mesazhi keni marrë nga zgjedhësit në këto takime elektorale?
Fushata ecën mirë në qarkun Dibër. Është popull me kulturë, me dinjitet, me qytetari. Veç një gjë e shëmtuar ka ndodhur në këto kohë. Është fëlliqë një segment rruge ku ndahet Shupenza me Maqellarën tek ura e Drinit sepse bordurat e rrugës janë fëlliqë me parullat e opozitës. Por ato mbeten parti ilegalësh, parti parullash. Përbuzjen e dibranëve e kanë fituar edhe për këtë fëlliqje rrugësh. Për mashtrimet që ia janë bërë Dibrës e Matit, për fyerjet që ia janë bërë, se s’maten dibranët e matjanët me keca, as me lekë. Për stopimin e jetës në 8 vitet e socialistëve, për përbuzjen ndaj Dibrës, besojmë se dibranët matjanët e bulqizakët do të marrin hak me votë kundër bijve të ish pushtetarëve komunistë, kundër atyre që s’u kanë folur kurrë me gojë, kundër bijve të ish-kryetarëve të komisioneve të dëbim internimeve.
Përse mendoni se Partia Demokratike do ti fitojë zgjedhjet?
Uragani i fitores do vij Dibra përmes rrugës së Arbërit. Do t’i fitojë se do të duan shqiptarët t’i fitojë zgjedhjet. Se shqiptarët nuk duan që të mbeten punët përgjysmë. Shqiptarët po e bëjnë mirë krahasimin e 8 viteve të socialistëve me 4 vitet e qeverisjes nga Sali Berisha. Do ti fitojë zgjedhjet PD se në katër vite bëri atë që nuk ishte bërë në qindra vjet. Siç thonë në Dibër, armiqtë e dikurshëm të vendit i bëmë miq, na i bëri miq Sali Berisha dhe kjo është NATO-ja për dibranët. U ndërtua arteria e kombit, po ndërtohen gjithë rrugët e vendit, po punohet kudo nëpër Shqipëri. Po punohet shumë në qarkun e Dibrës. Njerëzit ia janë kthyer punës e gjallesës në pronat e tyre në familjet e tyre.
...