Në ditën e varrimit të Artan Zekës, Rama dhe PS konfirmuan mungesën e respektit ndaj Kodit të Vdekjes

S’ka më asnjë mundësi alibie. Për të disatën herë, Edvin Rama dhe e majta kanë treguar dje se kanë një problem të rëndë me moralin e shoqërisë, e posaçërisht me kodin e vdekjes. Njeriu që për interesa politike u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të zbrisnin në shesh, pas vdekjes aksidentale të Kosta Trebickës, duke e shpallur atë si të vrarë nga qeveria, dje heshti si fija e barit, pasi një ditë më parë e pat përdhosur dhimbjen e shqiptarëve, teksa paragjykoi se Partia Socialiste s’ka asnjë lidhje me atenatatorin e se gjithçka kishte ndodhur në Qerret të Durrësit, s’kishte asnjë lidhje me politikën. Partia Socialiste dje konfirmoi nekropolitikën dhe hipokrizinë e vet. Edi Rama nuk dërgoi asnjë përfaqësues në përcjelljen e Artan Zekës për në banesën e fundit, por në mënyrë të poshtës, duke vijuar të njëjtën traditë keqpërdoruese të Gërdecit dhe Kosta Trebickës, pagoi disa kamikazë mediatikë, për të bërë kronika të shëmtuara, sikur vrasja kishte ndodhur si rrufe në qiell të kthjellët, sikur vrasësi s’kishte asnjë lidhje me Partinë Socialiste e bile s’ishte as një militant i saj, dhe si përfundim, që për vrasjen assesi nuk mund të akuzohej politika e Partisë Socialiste.
Nekropolitika e Edvinit nuk ka dhënë rezultate as pas tragjedisë së Gërdecit, as pas mitingut të turpshëm pas vdekjes aksidentale të Kosta Trebickës e normalisht nuk mund të korrë fryte as në momentet e turpshme të ditës së djeshme. Por, trashëgimia komuniste u vertetua edhe njëherë e pas cinizmit të djeshëm të Edvinit, mund të themi me plot gojën se ai është një pasardhës i denjë i killerave me pagesë të bolshevizmit, ashtu siç është një trashëgimtar edhe i imitimit të lidhjes Myslym Peza-Enver Hoxha tek dyqani i Demës në Tiranë, përmes implantimit të lidhjes Edi Rama-Dash Peza. Killeri i Qerretit ndoshta pardje kishte vepruar pa urdhër, por s’ka nevojë. Në kohët moderne, shembujt i deshifrojnë të gjithë dhe Edvin Rama po tregon sot e gjithë ditën se s’ka skrupuj, e se në zgjedhjet e 28 qershorit ka vënë bastin e plotë; o t’i fitojë të gjitha (çka s’është e mundur), o të zbresë në dyert e ferrit (dyert e drejtësisë, do të ishte shprehja më e plotë).
...