Sloganet socialiste lexohen si slogane edviniste

“Votoni Edi Ramen”. Sa vite mbrapa u kthye PS me këtë slogan? 50 -60 vite? Gjenialiteti i Napoleonit shkonte deri në 2-3 veprime shqisash njëkohësisht. Të kthente përgjigje, të shkruante, të dëgjonte, njëherazi. Por, Edi Rama kosit në ara, njëkohësisht ndriçon minierën me dritën e tij “të pashuar”… e shumë, e shumë veprime të tjera të njëkohshme.
Askush sot nuk dëshiron degradimin në anarki, që është kufiri i skajshëm i qeverisjes së shumë vetëve dhe as despotizmin, kufiri i skajshëm i një njeriu të vetëm. Ky popull sot po gjen forcat të dalë nga e kalura despotike dhe do ta ketë atë mençuri të gjejë një rrugë të mesme, midis njërit koncept dhe tjetrit, midis anarkisë dhe despotizmit.
E dini një arsye pse përdor emrin e përveçëm edhe në sloganin “Votoni Edi Ramën? Ai do ta prekë pushtetin sot, ta gëzojë sot, ta vjelë sot… Slogani në fjalë, është absurd, pasi Rama nuk është kandidat në lista. Kë do të votojnë, pesonalizimin e Edit? Është slogan i Edi Ramës apo i PS-së? Pse nuk thotë, votoni PS-në? Ka frikë, se nuk është përfaqësues i kësaj partie, apo thjesht dëshiron të votojnë për pushtetin e Edi Ramës?
Dhe ideja më e fundit e hedhur këto kohët e fundit është ajo e një superfuqizimi të Edit. Mund të gjenden disa hapësira që mbas fitores së mundshme të tij (sigurisht jo të Partisë Socialiste), ai të mbajë të dy postet, atë të kryeministrit dhe atë të Kryetarit të bashkisë. Kjo do të krijonte një perandori të Ramës. Superfuqi politike dhe ekonomike.
“Nuk jam politikan”! Një gabim trashanik bën Rama, duke thënë se nuk është politikan. E dini pse gabon rëndë? Sepse nuk e di kuptimin e asaj fjale. Politikë vjen nga greqishtja dhe i ka rrënjët te poliset greke (qytet). Politikan, sipas grekeve të vjetër, është ai që zgjidh hallet e qytetarëve. Ai duhet ta konsideronte vlerë të ishte politikani, që do të zgjidhte hallet e popullit dhe jo antivlerë. Nuk është koncepti “politikan” i dëmtuar, është veprimi korruptiv i njeriut që ka abuzuar me postin, duke e cënuar fjalën “politikan”. Z. Rama po ta dinte kuptimin nuk do ta kishte për turp të vetëquhej politikan (zgjidhësi i halleve të popullit). Por me sa duket, njeriu i lindur për afarizëm dhe autoritet nuk sheh individët dhe hallet e tyre, por gjërat, vlerën dhe përfitimin.
Por nuk përjashtoj faktin, që ai e përdor shprehjen “nuk jam politikan” thjesht për të dalë përtej gjithçkaje, gjithkujt, pra extra-partes. Predikon përtej të majtës dhe të djathtës (teori masone konspirative). Uzurpon një parti, “duke e blerë me leje ndërtimi”, del në krye të kësaj partie dhe më pas deklaron që nuk jam as i majtë, as i djathtë, duke ofenduar së pari elektoratin e majtë që përfaqëson. Kështu përfundon në përcaktimin që i bëri paraardhësi i tij në parti, Fatos Nano, “travestit politik”, me identitet të papërcaktuar.
Kur dëgjon Edi Ramën që flet për një të ardhme përtej të djathtës, përtej të majtës të kujtohen shprehjet e shoqërive sekrete, që flasin për një rend të ri botëror, përtej gjithçkaje.
Shikoni zotin Rama dhe dishepujt e tij! Të gjithë si marioneta përsërisin mekanikisht: “Votoni Edi Ramën”. Ky është nja lavazh truri, që i depersonalizon ata si individë, duke i degraduar si forcë politike. Perpiqet t’i mbushë mendjen publikut që gjithçka shkon si mos më keq, nëpërmjet antireklamave, ndërkohë ai është i vetmi përtej gjithçkaje ”mbrojtësi dhe mirëbërësi”. “Votoni për Edi Ramën”. Ky është shpëtimtari i atdheut. Ai, si individ është përtej gjithçkaje. Por, ai nuk mund të dalë si mesia që zbret nga qielli dhe do fillojë të numërojë vitet nga fillimi. Në fakt masonët e njohin dhe e predikojne vitin ‘00.
Vërtet predikon “fillimin e një rendi të ri botëror”, vërtet do të ndodhë kataklizma dhe do të numërohen vitet nga fillimi (viti 00), kur të vijë në pushtet Edi Rama, por mos mohoni të pamohueshmet. Çdo shqiptar do të emocionohej nga bashkimi i dy kombeve me rrugën Durrës-Kukës, ëndërr qindravjeçare. Vetem PS-ja, shfaqet shumë e mallëngjyer për mijëra km, që do të ishin bërë, nëse do të ishin përdorur siç duhet fondet për këtë rrugë. Nëse ka parti që i vodhi për fare fondet për këtë rrugë, kur ishte në pushtet, është pikërisht PS-ja, ne kohën e qeverisjes Nano. Sot, kur të gjithë mallëngjehen për këtë realizim gjigand, ata na mallëngjehen për mosrealizime. Projekti investigativ antikorrupsion “Hapur” është marrë me vjedhjen e fondeve të kësaj rruge, në kohën e qeverisë socialiste. Dhe dihet tashmë publikisht si vajti puna me to. Rruga Durrës - Kukës është vërtet një vepër përtej së majtës dhe të djathtës. Nuk mund te jenë individët përtej së majtës dhë të djathës. Një vepër si rruga “Shqipëri–Kosovë” u shërben të gjithëve. Duke mos e përdhosur atë, do tregonit që e donit këtë vend, sepse ajo është për të gjithë. Kryeministrat francezë, me ardhjen e tyre në pushtet kanë vetëm një synim: të përjetësohen në një vepër. Sepse kanë kuptuar qartazi një gjë; Kur individët bëjnë veprat, atëhere këto vepra më pas bëjnë individët. Dhe kjo u lihet brezave ta vlerësojnë.
“Politikë e re për ndryshim”. Nuk je i ri, modern, apo kontemporan, se je i ri në moshë dhe rrjedhimisht pretendon koncept të ri politik. Nuk po duket në horizont ndonjë model i ri (madje as program). Në Shqipëri ngatërrohen keq konceptet, i ri dhe modern. Nëqoftëse je i ri, detyrimisht je edhe modern, detyrimisht je edhe europian. “Mentalitete të reja, mentalitete të vjetra. Mentalitete borgjeze, mentalitete komuniste”. Këtë predikonin ditë e natë komunistët. Ka te mirë dhe të keqe, jo e re dhe e vjetër. Nganjëhere, e vjetra mund të jetë taban shumë më i fuqishëm nga ku ngrihet e reja. Amerika ka në thelb të xhelozisë me Europën pikërisht mungesën e traditës, pra të vjetrën. Modern do të thotë aktual. Je aktual? Arrijnë politikat e tua “të reja”, të jenë aktuale, të zgjidhin probleme dhe detyrimisht të përthithen nga publiku?
Të rikthehemi te individo-propaganda dhe thelbi i saj. “T’i pëlqejme publikut me look, me premtime, me këngë e vjersha….”. Por në politikë ka një ndryshim të madh mes premtimeve, lookut, realitetit dhe realizimeve.
Duhet të shërbejmë me dinjitet pa u përpjekur që t’i pëlqejmë publikut. Mënyra më e mirë për ta bërë atë me vete është t’i bëjmë të mira, jo të shtiremi të mirë. Personat “karizmatik” na mbajtën shtypur 50 vjet. Personat “karizmatik” na mbajne ende peng duke mos bërë asgjë, vetëm me perpjekje të dëshpëruara për ti pëlqyer publikut, me propaganda pafund. Dhe në një sistem politik gjithshka shkon keq, kur fjalët janë në kundërthënie me veprat (Ne Tiranë aktualisht çik punë, korrupsion shumë, propagandë tmerrsisht shumë). Është shumë e lehtë të mburresh, por shumë e veshtirë të fitosh.
Deklaratat shkojnë e vijnë, ajo që mbetet janë veprat. Atëhere çfarë na duhen individo-propagandat? “Votoni Edi Rama”! Mbase u duhen njerëzve të sëmurë ose të dashuruar me veten dhe lavdinë e tyre.
Po e përmbyll me një thënie të Napoleonit - “Pushteti absolut nuk ka nevojë të gënjejë dhe të heshtë; qeveria e kontrollueshme, kur është e detyruar të flasë, e shndërron të vërtetën e gënjen edhe më paturpsisht. Në fakt, zgjuarsia më e madhe në politikë - vazhdon ai - është ndershmëria, e vërteta, thjeshtësia. E vërteta gjithnjë arrin në fund, të mbizotërojë. Po sa e ngadalshme është rruga e saj! “
...