E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përsëri kundër Kosovës

Zakonisht, pas një gabimi - sidomos dhe i menduar - gabimi i dytë nuk ngjet me të parin, ose, dhe po u përsëdytë, përsëritja vonon, nga që bëhen përkujdesjet për të mos kryer të njëjtën gjë. Ivanov, siç tanimë dihet, e ftoi Sejdiun për vizitë zyrtare, më 28 maj, vetëm 16 ditë pas përurimit. Kjo u shtjellua si përpjekje për të korrigjuar diçka me një politikë balancuese, Tadiç në përurim, Sejdiu në vizitën e parë. Por në Shkup, ndoshta ftesa është bërë me paramendim që, Presidenti i Kosovës, i lënduar në sedër, mund ta shtynte vizitën zyrtare për më vonë dhe, ashtu, Ivanon do të ndjehej i lehtësuar që, në pritjen e parë, të mos ishte i pari presidenti i një vendi të parëndësishëm. Kosova e hapur dhe me politikë pa komplekse, e zuri në befasi politikën maqedonase me labirinthe e cila, nuk diti a nuk deshi, por e përsëriti gabimin brenda dy javësh dhe, përsëri kundër Sejdiut, përsëri kundër presidentit, përsëri kundër Kosovës - duke e çzyrtarizuar vizitën, a thua se Prishtina plasi për ftesa, siç në shqip qortohen, “më ka çue nana me la gojën”. Ajo që pastaj nuk të largohet nga mendja, nuk është më numri i gabimeve të përllogaritura, por lehtësia e pamendueshme e kryerjes së tyre. Presidenti maqedonas u nis për të marrë pjesë në forumin e Cetinjës dhe atij iu desh të anashkalonte një rruge të cilën e njeh me sy mbyllur: Shkup - Hani i Elezit - Prishtinë - Pejë - Rozhajë - Podgoricë. Mirëpo, duke mos udhëtuar asaj ane, u pa si krejt i sajuar takimi i Gjorgje Ivanov me Presidentin e Shqipërisë Bamir Topi, në Durrës - larg syve të njerëzve dhe kamerave. Përse ai e kërkoi atë takim në terr, ndërsa të tetë presidentët do të ishin bashkë në Cetinjë që të nesërmen, dhe kishin kohë të mjaftueshme, për të folur në mbledhje e për t’u takuar gjatë saj? Ndoshta, ai është ndjerë i mbështetur e i ngushëlluar kur, tri gabimet këmbëgulese maqedonase ndaj Kosovës i çoi në katër Mali i Zi, i cili, si vend organizator, kurrsesi nuk duhet të lejonte që Kosova të mos ftohej, përderisa Podgorica është njohëse e pavarësisë.

Samiti i Cetinjës nuk ngjau me bashkim të korridoreve kulturore, por ende është ecje nëpër tunelin e mbetur ballkanik të cilin, të gjitha vendet duhet të përpiqen ta shndërrojnë në korridor, përkundër Serbisë që shfaqet zotëruese e diktuese e politikave të tuneleve. Në përsëritje të ngjashme nëpër Ballkan, Shqipëria nuk ia vlen më t’i dalë zot Kosovës vetëm me ndonjë paragraf fjalimi - nëse Serbia bëhet bojkotuese e Kosovës, sepse Shqipëria duhet të bojkotojë padrejtësitë vepruese të Serbisë ose plotësuesve të vullnetit të saj nga shtete të tjerë, kundër Kosovës. Çfarë janë këto minishtete shpërfillëse përballë kryeqytetesh perendimore, Uashington, Berlin, Londër, Paris, Romë e Bruksel, që i bëjnë përfaqësuesve të Republikës së Kosovës pritje zyrtare mbresëlënëse?

Kosova, përditë, ngrihet e njihet. Kjo politikë e keqe kundër saj, përditë rrëzohet dhe do të mundet. Tunelet nuk janë rrugë për në Europë. Edhe në kohë paqe tunelet shërbejnë për luftën e ardhshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›