Fieri blu vulos rikthimin e 22 marsit ‘92

Më në fund, edhe Qarku i Fierit ka vendosur të ndryshojë kolorin e përfaqësimit parlamentar në zgjedhjet e 28 qershorit ’09, nga rozë në blu. Për shumë vite, Fieri është mbajtur si “bastion i së majtës”, pavarësisht prurjeve të djathta të rrethit të Lushnjës në këtë qark, i cili renditet i dyti në Shqipëri, pas Qarkut të Tiranës përsa i përket numrit të deputetëve. Fieri, Mallakastra dhe një pjesë e mirë e rrethinave të tyre i kanë dhënë gjithnjë mbështetje të madhe elektorale të majtës shqiptare, saqë në zgjedhjet e 3 korrikut ’05 Partia Demokratike mori vetëm një deputet në këtë zonë, që është ministri aktual i Arsimit dhe Shkencës, z. Fatos Beja. Dhe siç dihet, ’05-a ishte një vit i begatë elektoral për PD-në dhe të djathtën në përgjithësi. Sidoqoftë, fitorja e zgjedhjeve të kaluara parlamentare nga koalicioni i djathtë ka qenë me një rezultat të ngushtë, jo vetëm për shkak të tendencave manipuluese që ka shfaqur në vazhdimësi qeverisja e majtë gjatë dy mandateve rresht në vitet ’97-’05, por dhe për shkak të opinionit negativ që kishin ngulitur në kokë këta politikanë të majtë, lidhur me “përgjegjësinë historike” të demokratëve në ngjarjet e ’97-s. Shpifjet dhe thashethemet e asaj periudhe të turpshme në historinë e pluralizmit shqiptar nuk do të gjenin “kokë” më të përshtatshme për t’u mbjellë sesa ajo e fierakut në Qafën e Koshovicës. Këtu dhe në shumë vendbanime të tjera që shtrihen në zonën e Levanit, edhe sot të tregojnë se si, “kanë parë me sytë e tyre përdhunuesit e Saliut të veshur ushtarakisht që vraponin drejt shtëpive fshatare në anën e majtë të rrugës nacionale Fier-Vlorë apo avionët qeveritarë që bombardonin në kodrat përreth”. Agjitatorët e majtë të tipit “Gjinushi”, me shumë influencë në këtë zonë për shkak të aktivitetit politik të të atit, kishin arritur t’u mbushnin mendjen disa mjeranëve që, “Sali Berisha është kriminel dhe i urren jugorët”, ndaj “vota për të djathtën” na qenkësh “tradhti kombëtare” edhe në zgjedhjet e 3 korrikut ‘05. Siç dihet, për 8 vjet rresht edhe votat që hidheshin me vullnet të lirë djathtas, transferoheshin militarisht majtas, duke i mbushur kutitë e votimit në furgonin e policisë apo në sheshin e fshatit. Në këto kushte, Fieri mbetej i vetmi qytet i madh në Shqipëri që votonte relativisht majtas më shumë se Skrapari, Gramshi, Kuçova, Tepelena e ndonjë tjetër qytet i vogël në Shqipëri. Po për qeveritarët e majtë ky lloj përkushtimi apo militantizmi të sëmurë nuk ndryshonte asgjë lidhur me detyrimin që u lindte atyre për t’ua kthyer, si i thonë, “nderin me nder”. Kodi i psikologjisë majtiste nuk e përmban një normë të tillë morale, përkundrazi “të vetët” ajo i trajton si të “huaj”, për shkak të besimit qeveritar që prodhon “militantizmi proletar”, duke menduar se “këta nuk na tradhtojnë edhe sikur bar të hanë”. Ky ishte shkaku që për 8 vjet në pushtet qeveritarët e majtë nuk mundën ta shtyjnë ndërtimin e infrastrukturës rrugore asnjë metër përtej qytetit të Lushnje dhe të mos bëjnë asnjë investim të rëndësishëm publik në qytetin apo rrethin e Fierit. E megjithatë, shumica e fierakëve dhe e mallkastriotëve vdisnin për social-komunistët, duke arritur deri aty saqë vendbanimet e tyre të konsideroheshin me krenari si “bastione të së majtës”.
Të jesh i majtë nuk është ndonjë mëkat as në Shqipëri. Majtizimi shqiptar, si kudo në botë është një prurje e caktuar politike e pluralizmit, pavarësisht se të gjithë e dimë që Partia Socialiste e Shqipërisë nuk është gjë tjetër veçse një togfjalësh i zgjedhur për të maskuar përmbajtjen komuniste apo për të siguruar mbijetesën e kësaj force të rëndësishme politike, pas instalimit të pluralizmit në vendin tonë. Veprimtaria dhe rezultatet politike të PS-së dhe forcave të tjera të majta në rrethin e Fierit janë dëshmia më e qartë e kësaj strategjie enveriste ku “populli bën ç’thotë partia…”. Pra është një sjellje e tipit monist në demokraci, ku përkrahësit e së majtës janë të tillë, më shumë për shkak të trashgimisë apo formalitetit se sa të aktualitetit, duke mos e vendosur asnjëherë çështjen e përkrahjes politike në funksion të mirëqënies ekonomike. Por zhvillimet politike të viteve të fundit edhe në rrethin e Fierit tregojnë se “bastioni i së majtës” më shumë sesa real ishte i ngritur me forcën e pushtetit banditesk të politikanëve e qeveritarëve social-komunist në këtë zonë me histori dhe kulturë të vjetër qytetare. Zgjedhjet lokale të vitit ’07 nuk na dhanë ndonjë tregues konkret në këtë drejtim në qytetet apo qytezat e këtij qarku, ndonëse qeveria “Berisha” kishte nisur dhe po konkretizonte një sërë projektesh të rëndëishme në infrastrukturën rrugore dhe sektorët e tjerë të ekonomisë apo jetës shoqërore në përgjithësi. Ndërtimi i autostradës Lushnjë-Fier, i asaj Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë pa përfshirë një sërë rrugësh apo veprash të tjera të këtij karakteri, e bëjnë Fierin një nyje të rëndësishme dhe i hapin perspektiva të shumta të zhvillimit ekonomik për të shfrytëzuar jo vetëm pasuritë nëntokësore por edhe aty natyrore, që gjenden me shumicë në atë zonë. Tashmë fierakëve nuk u duhet më shumë se një orë e çerek për të ardhur në Tiranë dhe jo më shumë se një çerek ore për të shkuar nga Levani në Vlorë. Dhe siç dihet, Tirana dhe Vlora janë destinacionet më të rëndëishme ekonomiko-shoqërore në Shqipëri, që pakkush i ka fat, ku Fieri ndihet tashmë si “veshka në mes të dhjamit”, siç thotë një fjalë e urtë popullore. Pa dashur t’u referohem zë për zë të gjitha investimeve publike në infrastrukturë, energjetikë, turizëm, arsim, bujqësi, etj, që ka ndërmarrë qeveria “Berisha” në qytetin, rrethin apo qarkun e Fierit, mjafton të përmend faktin se jeta këtu ka ndryshuar me të njëjtin ritëm mbreslënës, me të cilin Shqipëria është integruar këto 2-3 vitet e fundit në strukturat euro-atlantike. Përveç të tjerash, ky qark ka një numër të konsiderueshëm qytetarësh të emigruar jashtë shtetit, ku ata dhe familjet e tyre mezi presin liberalizimin e vizave për në vendet e BE-së që do të realizohet në vitin e parë të mandatit të dytë qeverisës të demkokratëve.
Por në përmbysjen e rezultatit të pritshëm elektoral në krahun e djathtë të tij një rol të rëndësishëm, përveç arritjeve qeverisëse në këto 3-4 vjet, ka edhe cilësia e listës që demokratët kanë paraqitur përpara zgjedhësve fierakë, të kryesuar nga ministri i ndërtimtarisë së suksesshme shqiptare z. Sokol Olldashi. Kësisoj, atyre nuk “u therin më sytë”, siç i thontë populli, kur e kanë atë para si kandidat për deputet, pasi e identifikojnë me investimet e shumta publike të bërë në këtë qark apo në qarqet fqinj, qeveria “Berisha”. Është mjaft entuziante dhe shpresëdhënëse të dëgjosh që, në Qarkun e Fierit ka edhe të majtë të cilët e vlerësojnë punën e qeverisë dhe kryeministrit Berisha, pa lëvizur nga “istikami” i bindjeve të tyre politike. Dhe sipas sondazhit të fondacionit “Gani Bobi”, ky kontigjent njerëzish përbën gati 5 % të elektoratit gjithësej. Janë të tjerë ata që kanë krijuar një opinion të tillë duke u shkëptur përfundimisht nga llogoret e së majtës. Shifra të kësaj natyre po kaq sa tregojnë vlerësim për politikanët kundërshtarë, po aq tregojnë zhgënjim për partinë apo politikanët që verbërisht u kanë besuar për kaq kohë. Këto zhvillime kanë qënë mjaft të vrullshme dy vitet e fundit, saqë po arrijnë ta shkëpusin Fierin nga top-lista e “bastioneve të majta” dhe të paralajmërojnë që në zgjedhjet e 28 qershorit ta kemi edhe Fierin blu. Kësisoj, sipas parashikimeve të fondacionit “Gani Bobi”, në 29 qershor, Qarku i Fierit do të ketë 8 deputetë të PD-së, 7 të PS-së dhe 1 deputete, përfaqësues të forcave të tjera politike. Por ky rezultat mund të thellohet edhe më tej, për shkak të shifrës ende të lartë që përfaqësojnë të “pavendosurit”, ndërkohë që rezultati është nxjerrë mbi bazën e sondazheve të kryera në ditët e fundit të majit dhe javën e parë të qershorit, kur sapo kishte filluar fushata elektorale. Zhvillimet e përditshme tregojnë se Partia Demokratike po fiton gjithnjë e më shumë pikë apo terren me afrimin e ditës së zgjedhjeve, jo vetëm për shkak të njohjes prej elektoratit të kantidatëve të djathtë dhe rezultateve qeverisëse, por edhe për faktin se kreu i PS-së nuk është as si Lipe Shtogu në listën e deputetëve të kësaj force politike dhe mungesës totale të alternativës qeverisëse të të majtëve në programin e tyre elektoral. Në këto kushte, Rama po lufton për të siguruar vendin e dytë, pasi shpesh i shfaqet në ëndërr atjë te vila e babë Myslymit në Pezë, sikur atë do t’ia marrë Meta. Kjo është arsyeja që në takimet e fundit elektorale, Rama e ka zhvendosur objektivin e sulmit drejt Metës, duke e cilësuar atë si, “shkaktarin e lënies së të majtës në opozitë”. Si përfundim mund të themi se, ngjyrosja me blu e Fierit, ndonëse në një masë të lehtë, tregon se, fitorja nga PD-ja e zgjedhjeve të 28 qershorit do të jetë në nivelin e rezultatit të zgjedhjeve të 22 marsit ’92 nga kjo forcë politike. Në këto kushte, ndonëse sistemi zgjedhor në fjalë, nuk e favorizon si duhet PD-në në raport me PS-në, për shkak të trashgimisë komuniste të këtij vendi, koalicioni i djathtë ka për të siguruar mbi 80 deputetë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ’09, duke ia garantuar përfundimisht të ardhmen europiane Shqipërisë brenda vitit 2013 dhe liberalizimin e vizave brenda vitit 2010.
...