E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjimnazistët klientët e rinj të alkoolit

08/03/2011  Shtohen frikshëm përdoruesit në moshat 15-24 vjeç, po ashtu edhe sëmundshmëritë

Ndërhyrja, ndëshkime ndaj pronarëve të lokaleve që shesin pije nën moshën 18 vjeç

Përdorimi i pijeve alkoolike tashmë po kthehet në një fenomen shqetësues, pasi janë shtuar dukshëm tendencat e konsumit te moshat e reja e veçanërisht ato shkollore. Po ashtu rritje në mënyrë të frikshme ka pësuar numri i pacientëve që trokasin në dyert e spitaleve për shkak të komplikacioneve të shkaktuara nga përdorimi për një kohë të gjatë i pijeve alkoolike. Megjithatë, gjatë viteve të fundit ky fenomen është bërë edhe me shqetësues, pasi të rinjtë, veçanërisht ata të shkollave të mesme, po shtohen në radhët e klientelistëve të alkoolit. Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat e shëndetit publik, pohohet se 1 në 5 meshkuj të moshës 15-24 vjeç është përdorues i rregullt i alkoolit, fenomen ky që po shfaqet si tendencë edhe te femrat. Kundrejt kësaj situate shqetësuese është hartuar plani i masave që institucionet duhet të bashkërendojnë gjatë 5 viteve të ardhshme për të ulur dëmtimet që vijnë nga përdorimi i alkoolit. Zbatimi i këtyre masave është prezantuar gjatë ditës së djeshme nga ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili. Ky plan në thelb të saj do të ketë aksionin kombëtar për minimizimin e efekteve të dëmshme, të cilat duhet të nisin të zbatohen që nga familja, në shkolla si dhe nga punonjësit e shëndetit, policisë apo të pushtetit vendor.

Situata

Të gjithë jemi dëshmitar të pamjeve që na shfaqen përditë teksa shohim lokalet e mbira si kërpudha përreth ambienteve shkollore të mbushura me nxënës që konsumojnë edhe pije alkoolike, tendencë e cila është shtuar ndjeshëm edhe te femrat. Vëzhgimet e kryera në nivel kombëtar tregojnë se rreth 21 për qind e personave mbi 18 vjeç konsumojnë alkool përtej normave të lejuara, 2 për qind konsiderohen të alkoolizuar dhe kanë nevojë për trajtim të specializuar mjekësor, ndërsa 5 për qind të tjerët po i afrohen kësaj faze dhe 14 për qind janë drejt rrezikut të alkoolizimit. Përdorimi i dëmshëm i alkoolit është një nga faktorët kryesorë që kontribuon në shtimin e numrit të vdekjeve të parakohshme dhe sëmundjeve, të cilat mund edhe të shmangen. Po sipas studimit, konstatohet se femrat që jetojnë në zonat urbane konsumojnë më tepër alkool se femrat ne zonat rurale, ndërsa te meshkujt vihet re një përqindje më e lartë konsumimi në zonat rurale. Sa i takon arsimimit, rezulton se femrat me arsim të lartë konsumojnë më shumë alkool, ndërsa te meshkujt konsumimi më i madh i alkoolit vërehet tek ata me arsim tetëvjeçar.

Ndërhyrja

Ministri i Shëndetësisë ka paralajmëruar se do të ndërmerren masa të forta penalizuese ndaj subjekteve që do të tregtojnë alkool te personat në moshën 18 vjeç. Gjatë prezantimit të strategjisë për parandalimin e dëmeve të alkoolit 2011-2015 Petrit Vasili ka deklaruar se do të bëhet gjithçka për të ulur dëmet e shkaktuara nga alkooli dhe ka kërkuar kontributin e të gjithëve, që nga prindërit e deri te pushteti vendor. Nuk do të këtë asnjë tolerancë për pronarët e lokaleve që do të tentojnë të shkelin këtë ligj, që nuk do të vendosin shenja të qarta për përdorimin e alkoolit në mosha të caktuara.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›