Legalizimet, emrat e 5433 përfituesve
Qeveria miraton legalizimin e banesave pa leje të 5433 familjeve në të gjithë vendin. Gazeta boton sot emrat e përfituesve që pritet të marrin tapitë. Në total legalizohen 1.838 milionë metra katrorë ndërtime me pa leje ose 5433 parcela. Nga vendimi i djeshëm përfitojnë familjet në qarqet e Tiranës, Shkodrës, Durrësit, Beratit, Elbasanit, Gjirokastrës, Vlorës, Dibrës, Fierit dhe Lezhës. Në vendim legalizohen edhe 404 shtesa ndërtimesh pa leje në pallatet ekzistuese, të ndërtuara para vitit 1993 dhe 4 shtesa ndërtimesh në pallateve të reja me leje. Shtesat i përkasin familjeve në Tiranë, Lezhë dhe Berat. Menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ALUIZNI do të lidhë kontratat e kalimit të pronësisë me poseduesit e objekteve informale. Sipas ALUIZNI-t, “volumi i objekteve informale që janë në proces trajtimi për legalizim, si dhe numri i pronarëve që do të kompesohen për sipërfaqet takuese, do të rritet në shkallë progresive në javët e ardhshme, duke qenë se përmbyllja e procedurave përditësuese në terren ka gjeneruar një volum të konsiderueshëm informacioni teknik, të gatshëm për përpunim.” ProceduraPas miratimit nga qeveria, ALUIZNI llogarit pagesën që duhet të bëjnë qytetarët për të legalizuar objektin pa leje. çdo qytetar duhet ta likuidojë faturën pranë sporteleve të bankës. Pas likuidimit të kësaj fature paraqitet te noteri përfaqësuesi i ALUIZNI-t dhe qytetari që ka ndërtuar pa leje. Te noteri bëhet akti noterial dhe pas kësaj mbyllet i gjithë cikli. ALUIZNI pra jep lejen e legalizimit dhe bën plotësimin e kartelës së pronësisë. Në të njëjtën kohë që merret leja, ALUIZNI dërgon edhe dokumentet pranë hipotekës. Hipoteka, sipas udhëzimit të ri, brenda 15 ditëve nga paraqitja e dokumentacionit detyrohet të regjistrojë pronën dhe të japë tapinë e re.Letrat me vlerëTarifa e legalizimit mund të paguhet edhe me letra me vlerë. Sipas vendimit, të gjithë ata që janë në proces privatizimi, mund të paguajnë deri në 80 për qind të shumës së detyrimit me letra me vlerë. Pjesa tjetër, 20 për qind e shumës, do të duhet të paguhet me para. Vendimi parashikon që edhe ata që kanë bërë tashmë pagesën, mund të bëjnë një kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t, por duke dorëzuar kundërvlerën e pagesës me bono privatizimi, apo letra me vlerë, do të marrin mbrapsht paratë e paguara. Ndërsa për të gjithë ata që janë në proces, do të duhet të përcaktojnë në dokumentacionin e tyre edhe mënyrën e pagesës, pra me para apo me letra me vlerë. Pagesa deri në 80 për qind me letra me vlerë, bëhet vetëm për tokat e zëna që janë pjesë e çmimit të diferencuar dhe që shërbejnë për banim.
LISTEN E PLOTE, MUND TA LEXONI NE FORMATIN PDF