E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëllohet me dru në krye të detyrës polici bashkiak

 HIMARE - Qëllohet me sende të forta në krye të detyrës polici bashkiak në Himarë. Ngjarja ndodhi dje gjatë inspektimit për pezullimin e një ndërtimi pa leje me konstruksion të lehtë druri të një lokali. Por gjatë punës, policia bëri të ditur se është qëlluar me sende të forta në kokë punonjësi i Policisë Bashkiake të Himarës, Kastriot Hallkaj. "Roland Gjini, përgjegjësi i Policisë Bashkiake së bashku me inspektorin Kastriot Hallkaj kanë shkuar në vend për të parë nga afër dhe për të pezulluar ndërtimin pa leje me vendim të bashkisë së Himarës, por janë sulmuar", bëri të ditur policia. Sipas të plagosurit Hallkaj, "shkuam për të zbatuar vendimin e Këshillit Bashkiak si dhe të kryetarit të saj, Vasil Bollano. Por në momentin që ne po largonim punëtorët dhe shefi i policisë bashkiake po debatonte me sipërmarrësin, ndërtuesin Vllado Bollano, ndërhyra unë për të shuar dhe për të ulur tensionin e debatit. Ndërkohë, Bollano largohet disa metra dhe në pabesi nga pas mori një dru nga ata të skelerinave, në formë katrore dhe më godet në kokë. Nga goditja humba ndjenjat dhe rashë në shesh", u shpreh ai. Aktualisht i plagosuri ndodhet në spitalin e Vlorës, ku sipas mjekëve ka marrje mendsh, të vjella dhe dhimbje të kokës, si dhe pak hemorragji. Në Prokurorinë e Vlorës është bërë edhe kallëzimi penal ndaj Vllado Bollanos, i cili ka goditur me mjete të forta në krye të detyrës Kastriot Hallkaj. Policia ka shpallur në kërkim Bollanon.      q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›