E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kambisti dhunohet e kyçet në bagazh

 BERAT/ DILAVER XHELILIGrabisin dhe më pas masakrojnë kambistin, duke e lënë pa ndjenja në bagazhin e mjetit të tij. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 06:30, në lagjen "30 Vjetori" të Beratit, kur dy persona me maska dhe të armatosur kanë hyrë për ta grabitur në garazhin e tij, kambistin Besim Guri, 43 vjeç. Guri, baba i dy fëmijëve ishte duke dalë si çdo mëngjes nga shtëpia për në dyqanin e tij të këmbimit valutor në Urën-Vajgurore. Por në momentin kur ai është futur në garazh për të marrë makinën janë shfaqur dy personat me maska dhe armë zjarri, automatik e pistoletë. Ata i kanë drejtuar armët 43-vjeçarit, duke i kërkuar paratë që kishte me vete. Nën kërcënimin e armëve, kambisti nuk ka bërë rezistencë, por u ka dorëzuar grabitësve gjithë shumën e parave që ai ka pasur me vete. Sipas policisë, por edhe vetë të të dëmtuarit, ai ka pasur me vete 80 mijë lekë. Pasi ua ka dorëzuar paratë në dorë, Guri u ka kërkuar maskave të largoheshin. Të pakënaqur nga shuma që iu dha kambisti, dy personat e kanë dhunuar, duke e qëlluar disa herë në kokë me qytën e pistoletës dhe atë të automatikut. Ata e kanë futur dhe kyçur në bagazhin e makinës së tij dhe më pas u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke marrë me vete edhe çelësat e mjetit të 43- vjeçarit. Familjarët të shqetësuar se kambisti nuk po e nxirrte makinën nga garazhi kanë zbritur nga shtëpia në katin e parë. Kur konstatuan mjetin në vend, mungesën e familjarit të tyre si dhe disa pika gjaku në dysheme, ata lajmëruan menjëherë policinë. Blutë, pasi këqyrën vendin dhe pasi panë që makina në pronësi të kambistit Guri ishte e kyçur, shqyen me leva bagazhin duke e gjetur kambistin të mbyllur brenda dhe pa ndjenja. Menjëherë ai u dërgua në spitalin e Beratit, ku pas ndërhyrjes së mjekëve, Guri u përmend. Sipas mjekëve, Guri, edhe pse kishte pësuar goditje, fraktura, çarje dhe disa hematoma të theksuara në kokë, është tashmë jashtë rrezikut për jetën. Policia, pas deponimit të kambistit në lidhje me ngjarjen, po heton për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj grabitjeje me armë. Mësohet se Besim Guri ka një dyqan në qytetin e Urës-Vajgurore. Ai çdo ditë kryente rrugën nga lagja "30 vjetori", ku kishte shtëpinë për në qytetin fqinjë. Gjatë këtyre lëvizjeve, ai ka rënë në sy të grabitësve, të cilët dyshohet se e ndiqnin prej kohësh gjersa arritën të kryenin krimin. "Nuk e pandehja se në momentin që unë do të zbrisja nga shtëpia do të sulmohesha. Autorët e sulmit ishin strehuar në bahçen që kisha pranë shtëpisë. Në momentin që unë hapa garazhin, ata u shfaqën papritmas. U tremba, ndaj u thashë të merrnin paratë dhe të largoheshin. Por pasi morën lekët, filluan të më qëllonin në kokë me qytën e pistoletës dhe automatikut. Rashë pa ndjenja përtokë. Në momentin që më futën në garazhin e makinës, unë nuk kisha fuqi të thërrisja për ndihmë. Fatmirësisht policia erdhi shpejt dhe më shpëtoi jetën", u shpreh dje në spital 43-vjeçari Guri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›