Berisha fton investuesit amerikanë

Në ditën e parë të vizitës në New York, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, mori pjesë në forumin e investimeve SHBA-Shqipëri, me pjesëmarrjen e rreth 100 kompanive dhe sipërmarrjeve amerikane, ku ftoi sipërmarrësit të investojnë në Shqipëri.
Në fjalën përshëndetëse, kreu i qeverisë bëri një prezantim shumëplanësh të zhvillimit ekonomik të vendit dhe treguesve ekonomiko-fiskal, reformave ekonomiko-fiskale dhe digjitalizimit të procedurave administrative të ndërmarra nga Shqipëria.
Në një prononcim për mediat, pas takimit, Berisha u shpreh se interesi i investitorëve amerikanë është dëshmi për potencialet që ofron Shqipëria.
“Prania këtu është dëshmi e një interesi të tyre për potencialet e mëdha që ofron sot Shqipëria për investitorët amerikanë dhe të të gjitha vendeve. Prania e tyre është një dëshmi e vullnetit që ata kanë për të shqyrtuar të gjitha këto mundësi, për të marrë informacionin më të madh të mundshëm dhe për të ndjekur shembullin e atyre investitorëve, të cilët bënë që Shqipëria në vitin 2010 të ketë investime direkte të huaja rreth 3 herë më shumë se në vitin 2006, që Shqipëria në vitin 2010 të jetë i vetmi vend në Evropën Juglindore me rritje të investimeve të huaja”, tha Berisha.