E Shtunë, 31 Tetor 2026

AAK kritikon MSH-në, angazhohet për konferencë nacionale

Nga Express më 20 shtator 2011 në ora 15:20

Zyrtarët nga Departamenti i Shëndetësisë në AAK, kritikuan të martën gjatë një konference ministrin e Shëndetësisë për gjendjen e rënduar në sektorin shëndetësorë dhe dështimin e politikave qeveritare për të sjell përmirësime në këtë sektor.

Sipas ekspertëve të AAK-së, Ligji për shëndetësi dhe ligji për sigurime shëndetësore, përveç se nuk janë proceduar në Kuvendin e Kosovës, janë përdorur nga ministri Ferid Agani vetëm për të blerë kohë dhe mbuluar paaftësitë e tij.

Anëtari i Departamentit të Shëndetësisë së AAK-së, Luan Jaha tha se fshehja prapa premtimeve për ndryshime të mëdha e ministrit Agani, tregon paaftësinë e këtij të fundit për të bërë ndryshime dhe mungesën e përkrahjes nga kryeministri dhe Qeveria.

“Ligji për shëndetësi dhe ligji për sigurime shëndetësore, përveç se nuk janë të adaptuar ende në Kuvendin e Kosovës vërtetë kanë qenë vetëm një paravan për të blerë kohë ministria dhe ministri që në emër të premtimeve për ndryshime të mëdha të fsheh paaftësinë e tij për t’u marrë me gjëra të vogla, e gjërat e vogla faktikisht e bëjnë realitetin e shëndetësisë së Kosovës dhe këto tregojnë për një gjendje katastrofale në shëndetësi. Mbase, fshehja prapa premtimit për ndryshime të mëdha ka fsheh edhe mungesën e fuqisë së tij politike për të bërë ndryshime, por edhe mungesën e përkrahjes nga kryeministri dhe Qeveria për t’i bërë këto ndryshime”, ka thënë.

Më tutje, Jaha vlerësoi se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një platformë që do të sigurojë se cilido ministër që vjen do të mund të përmirësoj gjendjen në fushën e shëndëtësisë.

Sipas tij, AAK-ja është për një konferencë nacionale, për një konsensus nacional, qasja e së cilës do të jetë mobilizuese dhe jo ndëshkuese, duke mos kërkuar fajtorin, por zgjidhjen e problemeve.

“Ne duhet të angazhohemi për një konsensus, për një konferencë nacionale, e cila ka për qëllim vënien e bazave të zhvillimit të shëndetësisë në të ardhmen, e kësaj konference jemi në gjendje për t’i ofruar një program, të cilin e kemi përgatit qysh moti dhe i cili quhet, ‘Strategjia e Aleancës për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Jaha.

Ndërsa Tefik Bekteshi thotë se gjendja aktuale kërkon një angazhim intensiv shtetëror, në mënyrë që shëndetësia në vend të mundet të funksionojë normalisht.

“Ministri ka dëshmuar paaftësinë e vet për t’u marrë me problemin madhor të shëndetësisë kosovare, e cila është permanent në një krizë dhe kërkon definitivisht angazhimin e të gjithë forcave të këtij shteti për t’i dhënë një drejtim dhe dalëngadalë për ta kthyer dinjitetin e pacientit, qytetarit dhe punëtorit tonë shëndetësor dhe të kemi shëndetësi normale”, ka thënë Bekteshi.

Ndërkaq, të pyetur për vonesën e zgjedhjes së drejtorit të QKUK-së nga ana e MSH-së, anëtari i Departamentit të Shëndetësisë së AAK-së, Luan Jaha tha se deri më tani kandidatët janë paraqitur pa ndonjë program konkret dhe se qëllimi i tyre është pozita e jo ndryshimi i gjendjes në QKUK.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›