E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firma sllovene punime të avashta

06/07/2009  Kanë mbetur 10 muaj nga afati, vetëm 25 për qind e projektit. Angazhohen specialistët

DURRES- Vetëm 10 muaj kohë i ka mbetur kompanisë që ka fituar të drejtën e ndërtimit të terminalit të udhëtarëve në portin e Durrësit për të mbyllur investimin. Firma sllovene SCT d ka nisur të ndërtojë kantierin në muajin qershor të vitit 2008 dhe sipas kontratës punimet duhet të mbyllen në mesin e pranverës së vitit 2010.

Ritme të ngadalta

Por deri tani punimet kanë ecur me ritme të ngadalta dhe sipas pohimeve nga firma mësohet se një gjë e tillë ka ndodhur ngase në projekt nuk janë parashikuar disa nga zërat e rëndësishëm. Në të tilla kushte kompania është detyruar të ulë tempin e punës dhe paralelisht të presë edhe një përgjigje. Terminali i pasagjerëve është pjesë e investimit nga ana e Bankës Evropiane të Investimeve dhe BERZH në saje të kredisë së akorduar qeverisë shqiptare. Punimet për ndërtimin e terminalit janë marrë përsipër të zbatohen nga firma sllovene SCT d.d, e cila fitoi tenderin me një vlerë prej 15.2 milionë euro. Tenderi i fituar nga firma sllovene, e njohur dhe me përvojë të konsideruar i ka kursyer shtetit shqiptar afro 7 milionë euro, pasi fondi limit për këtë projekt është llogaritur në 22 milionë euro. Afati i punimeve është 22 muaj gjithsej, ndërkohë që presidenti i firmës sllovene Ivan Znedar ka premtuar se punimet për ndërtimin e terminalit do të përfundojnë brenda afatit të caktuar. Në bazë të kontratës së lidhur punimet duhet të përfundojnë më 17 prill të vitit 2010, por përfaqësues të qeverisë shqiptare i kanë kërkuar firmës sllovene që ta mbarojë terminalin disa muaj para. Për shkak të klimës shumë të favorshme Durrësi afron lehtësi për të punuar në 12 muajt e vitit duke i dhënë mundësi kompanisë së huaj ta mbyllë para kohe projektin e madh. Firma sllovene SCT d ka përqendruar prej dy javësh numrin e duhur të mjeteve dhe specialistëve për të përmbyllur në kohë investimin ndër më të mëdhenjtë në portin e Durrësit. Në ndryshim nga deri më tani, kompanisë sllovene do i duhet të rrisë tempin e punës për të kapur kohën e “humbur”. Deri më tani punimet nuk kanë kapur ende 25 për qind të të gjithë procesit deri në përmbyllje, por koha e mbetur mund të vërë në lëvizje të gjithë makinerinë e firmës SCT d në realizimin e kontratës. Që nga koha e ndërtimit të kantierit këtu e 18 muaj më parë është bërë e mundur vetëm ana e zbatimit të rrjetit inxhinierik nëntokësor si dhe hapja e themeleve e ndërtimi i kolonave të terminalit të udhëtarëve. Sot në këtë pikë të hyrjes e daljes nuk afrohen as shërbimet më të domosdoshme si uji i pijshëm, bare, kënde, pritje e pushimi, restorante, parking etj.

PROJEKTI

Projekti parashikon ndërtimin e një terminali modern, me një sipërfaqe mbi 5 mijë metër katror dhe do të përfshijë të gjitha ambientet e nevojshme për shërbimin dhe kontrollin e pasagjerëve, sallat e pritjes, pikat e shitjes së biletave dhe agjencitë e udhëtimit, pikat e kontrollit doganor, etj. Ky terminal do të sigurojë lëvizjen komode dhe me shpejtësi të pasagjerëve, veçanërisht në periudhën e mbingarkuar të verës. Ai do të ketë një kapacitet përpunimi të menjëhershëm për rreth 2 mijë pasagjerë, me një parkim për rreth 2 mijë automjete. Krahas ndërtimit të terminalit të pasagjerëve dhe godinave të tjera ndihmëse të shërbimit doganor dhe të sigurisë, parashikohen edhe punimet për ndërtimin e shesheve e rrugëve lidhëse në zonën e operimit të trageteve. Me përfundimin e terminalit të ri të udhëtarëve porti i Durrësit do të ofrojë standarde të plota dhe bashkëkohore për të gjithë shtetasit që hynë e dalin nga ky port. Projekti që po zbatohet afron shërbime të standardeve evropiane dhe kjo do të ndikojë në rritjen e ndjeshme të qarkullimit të udhëtarëve. Madje thuhet se kjo do të ndikojë në thithjen edhe të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave të vendeve nga Ballkani për në Perëndim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›