E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, fushatë denigruese ndaj Ramës, përgatitje për Kuvendin e PD-së

Kryesia e PD-së nuk zyrtarizon asnjë kandidat rival për postin e kryetarit. Përgatitja e Berishës për një mbështetje sa më të madhe në Kuvend

Kryesia e Partisë Demokratike nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidat rival për postin e kryetarit të selisë blu, i cili do të zgjidhet në datën 12 dhjetor, në Kuvendin Kombëtar që do të mbajë kjo parti. Megjithëse nga kjo datë na ndajnë shumë pak ditë, tashmë është mëse e qartë se i vetmi kandidat për postin e kryetarit të Partisë Demokratike është kryetari aktual, Sali Berisha. Ndonëse askush nuk ka asnjë pikëpyetje apo dyshim për rizgjedhjen e tij në këtë post, burimet bëjnë të ditur se gjithsesi, Berisha nuk heq dorë nga fushata edhe brenda partisë. Sipas burimeve në selinë blu, fushata denigruese ndaj kreut të Partisë Socialiste Edi Rama, që ka ndërmarrë së fundi kreu i PD-së, nuk është gjë tjetër veçse pjesë e fushatës së brendshme në PD. Kreu i selisë blu po bën ç’është e mundur për të marrë mbështetjen më të madhe të mundshme në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike. Ai po bën një fushatë të ashpër kundër rivalit politik, ndërsa ka angazhuar selinë blu dhe gjithë Grupin Parlamentar të PD-së që të organizojë një miting festiv më 8 dhjetor, vetëm 4 ditë para mbajtjes së Kuvendit Kombëtar. Sipas burimeve, e gjithë kjo përgatitje synon rritjen e mbështetjes në anëtarësinë e PD-së, ngritjen lart të moralit të militantëve, ndoshta të zhgënjyer nga protesta e PS-së. Burimet gjithashtu tregojnë për përgatitjet për Kuvendin Kombëtar dhe hartimin e fletës së votimit për zgjedhjen e kryetarit.
Votimi
Sipas burimeve, Komisioni për Organizimin e Zgjedhjeve të 12 dhjetorit në Partinë Demokratike ka filluar diskutimin për hartimin e fletës së votimit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë dhe të anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Burimet nga PD-ja kanë bërë të ditur se do të jenë dy fletë votimi, njëra për kryetarin dhe tjetra për zgjedhjen e 100 anëtarëve të Këshillit Kombëtar, të cilët do të propozohen nga Kryesia Qendrore e partisë. Në fletën e votimit anëtarët e komisionit kanë menduar që të parashikojnë tri opsione për delegatët e Kuvendit Kombëtar. Meqenëse është vetëm një kandidat për postin e kryetarit, për t’u dhënë më shumë mundësi zgjedhjeje delegatëve të Kuvendit Kombëtar, është menduar që fletën e votimit, përveç opsionit pro dhe kundër, të përfshihet dhe opsioni i abstenimit. Pra delegatët e PD-së në Kuvendin Kombëtar që do të zhvillohet më 12 dhjetor do të kenë tri opsione për të zgjedhur kryetarin e partisë; të votojnë pro Berishës, kundër Berishës apo të abstenojnë. Por ajo që është mëse e sigurt është se më 12 dhjetor do të shënohet një tjetër fitore e tij e radhës. Ndërkaq, një tjetër grup pune po punon në selinë blu për ndryshimet në Statut.
Grupi
Komisioni për ndryshimet në Statut kryesohet nga sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode. Deputetët demokratë, Ilir Rusmali, Fatos Beja, Gerti Bogdani dhe Albana Vokshi janë përcaktuar anëtarë të këtij komisioni dhe aktualisht po merren me përshtatjen e Statutit të PD-së, me ndryshimet që janë bërë në Kodin Zgjedhor, veçanërisht ndryshimi i sistemit elektoral. Por duket se dilema më e madhe me të cilën do të përballet ky komision është ndarja e posteve qeveritare nga postet partiake. Megjithëse demokratët kohët e fundit janë përfshirë në një debat për ndarjen ose jo të funksioneve partiake nga ato qeveritare, gjasat që kjo të përcaktohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në Statutin e ri janë pothuajse të pakta, për të mos thënë zero. Në zgjedhjet e ardhshme demokratët do të vendosin me parimin “një anëtar, një votë”, ndërsa për këto zgjedhje mënyra e votimit do të jetë sipas një sistemi të ri zgjedhor. Komisioni për ndryshimet në Statut është duke diskutuar për përcaktimin e sistemit, i cili do të zbulohet vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Për ndryshimet në Statut do të synohet përshtatja e funksionimit dhe organizimit të partisë me sistemin e ri zgjedhor, me qëllim maksimizimin e votës.

28 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›