E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karaiskaj, riboton “Butrintin” në anglisht



Një vepër që edhe pas 25 vitesh vijon të mbetet aktuale, dëshmon për seriozitetin dhe kriteret rigoroze të studimit. Kështu ka ndodhur edhe me veprën studimore “Butrinti dhe fortifikimet e tij” e Gjerak Karaiskaj e cila është ribotuar në gjuhën angleze me financimin e fondacionit Butrinti. Libri me ca rishikime të vogla të bëra nga autori është promovuar në një ceremoni në Akademinë e Shkencave ku merrnin pjesë studiues dhe arkeologë. Vetë autori e cilëson botimin në anglisht një mundësi shumë të mirë që vepra të gjejë një hapësirë diskutimi më të gjerë. “Duke u përkthyer në anglisht ai hyn në një diskutim më të gjerë specialistësh jo vetëm shqiptare, po në gjithë botën”, thote Prof. Gjerak Karaiskaj. “Butrinti dhe fortifikimet e tij” konsiderohet si një nga punët më domethënëse në fushën e arkeologjisë të krijuara gjatë kohës së komunizmit. Sipas prof. Neritan Cekes kjo vepër ka vlera sepse studimi shkon përtej antikitetit duke u ndalur edhe në fortifikimet e mëvonshme të bëra përreth Butrintit. I publikuar në Shqipëri në vitin 1984 kjo vepër u kthye në një pikë reference për gjithë studimet e mëvonshme mbi arkitekturën e qytetit antik. Për studimin e tij Karaiskaj mori si bazë punën e arkeologut italian Luigi Maria Ugolini. Ashtu siç shprehet edhe Andreë Croëson në parathënien e librit në anglisht “The fortifications of Butrint” duhet admiruar dhe mbetet një vepër e rëndësishme sidomos në një kohë kur Butrinti tashmë në listën e pasurive botërore të Uneskos është kthyer në një prej miteve më të rëndësishme në turizmin e trashëgimisë kulturore në Mesdhe është e drejtë që puna e Karaiskaj të rishikohet për t’ia prezantuar një publiku të ri dhe kërkues.

Festa e Pavarësisë dhe e Çlirimit, koncert në Teatrin Kombëtar dhe atë të Operas

Në fillimet e festave të pavarësisë dhe çlirimit të vendit, Tirana po bëhet gati për të përkujtuar këto data të rëndësishme për historinë e popullit shqiptar Me rastin e festës së Pavarësisë, në TKOB vjen koncerti “Përkujtimi”, në të cilin marrin pjesë solistët, kori, orkestra, trupa e baletit, Ansambli Popullor dhe studentë të Akademisë së Arteve. Dirigjentë të orkestrës janë Ermir Krantja, Zhani Ciko dhe Edmond Doko. Koreografë janë Agron Aliaj dhe Arian Sukniqi. Dirigjent kori Dritan Lumshi dhe Milto Vako. Regjisor i shfaqjes është Pali Kuke. Koncerti do të mbahet më 28 nëntor, ora 17.00. Ndërsa sot në mbrëmje do të mbahet një koncert festiv në sallën “Kadri Roshi”. Në Teatrin Kombëtar, me pjesëmarrjen e artistëve më të njohur të këngës do të jepet një koncert festiv me rastin e 65-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashist.

27 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›