E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta takon delegacionin nga Senati i Çekisë, merr mbështetje për integrimin



Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me kreun e Delegacionit të Komitetit për Çështjet e BE-së të Senatit të Republikës Çeke, z. Ludek Sefzig. Gjatë takimit të dy delegacioneve u diskutua mbi etapat e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, mbi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe mbi politikën e jashtme të Shqipërisë në rajon. Ministri i Punëve të Jashtme, Meta, pasi e informoi delegacionin çek mbi punën e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, e siguroi z. Sefzig për vullnetin e Shqipërisë për t’iu përgjigjur pyetësorit në kohën e duhur dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Gjithashtu, Meta informoi mbi prioritetet dhe rolin e politikës së jashtme shqiptare në rajon e më gjerë, duke theksuar se politika shqiptare, si ndaj fqinjëve, ashtu edhe ndaj minoriteteve, është më konstruktivja në rajon dhe, si e tillë, ajo duhet të shërbejë si model për vendet e tjera. Në këtë kuadër, ai vlerësoi rritjen e pjesëmarrjes së komunitetit serb në zgjedhjet lokale në Kosovë si një shenjë pozitive për të ardhmen e shtetit të ri dhe rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë për të mbështetur integrimin e Serbisë në strukturat euroatlantike. Z. Sefzig vlerësoi rolin tepër pozitiv të politikës rajonale të Shqipërisë, duke vënë theksin tek ekuilibri i politikës së Tiranës zyrtare ndaj bashkatdhetarëve që jetojnë në vendet e tjera të rajonit dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme të këtyre vendeve. Në këtë kontekst ai e cilësoi përqasjen rajonale të Shqipërisë, veçanërisht ndaj Serbisë, si një shenjë pjekurie dhe nënvizoi se politika e izolimit nuk është më e favorshme në Ballkanin Perëndimor.

28 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›