E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, futbollist i vitit

Besart Berisha ka fituar çmimin e futbollistit më të mirë të vitit në A-League, të ndarë nga Asociacioni i Medieve (FMA) për paraqitjet e shkëlqyeshme të tij për Brisbane Roar. Kosovari 26 vjeç ka befasuar të gjithë me 19 golat e realizuara në sezonin e rregullt, por edhe kontributin e përgjithshëm në vitin e tij të parë në Australi.

Sulmuesi i Brisbane Roar, Besart Berisha e kurorëzoi sezonin pozitiv të tij në A-League të Australisë duke marrë çmimin e futbollistit më të mirë të vitit nga Asociacioni i Medieve (FMA).

26 vjeçari ka shënuar rekord 19 gola në sezonin e rregullt për kampionin në fuqi, pas transferimit të tij nga klubi i divizionit të dytë gjerman Arminia Bielefeld në fillim të sezonit.

Ylli kosovar kaloi tetë vite në Gjermani, kurse të dielën do të zhvillojë Finalen e Madhe në edicionin e tij të parë në Australi, kur skuadra e tij Roar takohet me Perth Glory. Berisha para dy javësh mori Këpucën e Artë të A-League dhe me epitetin e golashënuesit është shndërruar në yll të tifozëve të Roar.

“Është dëshmi për shkathtësinë e Besartit që është përshtatur kaq mirë në ekipin e Brisbane Road”, deklaroi presidenti i FAM-së, Ray Gatt.

“Shumica prej nesh (medieve) menduan se Brisbane Road do të vuajë për shkak të disa largimeve nga skuadra fituese e edicionit të kaluar, por Ange Postecoglou dhe futbollistët e tij na kanë demantuar. Askush më tepër se Berisha, i cili e vazhdoi aty ku e la Këpuca e Artë e vitit të kaluar, Kosta Barbarouses. Përveç që ka dëshmuar se është golashënues i vërtetë, ai ka tru të mirë për futboll. Ai ka aftësi të depërtojë në hapësirë, vazhdimisht i krijon vetes raste të mira për shënim dhe kjo e bën armë jashtëzakonisht të rrezikshme”, shtoi Gatt.

Berisha së fundmi nënshkroi kontratë të re dyvjeçare me Brisbane dhe bëhet fituesi më i ri i çmimit, të votuar nga të gjithë anëtarët e FMA-së për futbollistin më të mirë të sezonit, pas fituesve të kaluar Matt McKay (2011) dhe Carlos Hernandez (2010).

Top pesëshja e futbollistëve më të mirë të këtij viti përbëhet nga bashkëlojtari i Berishës, Thomas Broich, Paul Ifill (Wellington Phoenix), Harry Kewell (Melbourne Victory) dhe Mat Ryan (Central Coast Mariners).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›