E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitore për t’i ikur rrezikut

Dy skuadrat që po luftojnë për të mbijetuar në Superligë, Drenica e Liria do të përballen mes veti të shtunën në Skenderaj. Kuqezinjtë, të cilët nuk dinë për humbje që pesë javë, janë optimistë se do t’i fitojnë edhe tri pikë të reja. Por, edhe prizrenasit kërkojnë pikë, pas tri humbjeve të njëpasnjëshme.

Të shtunën në Skenderaj do të zhvillohet dueli mes Drenicës e Lirisë në kuadër të xhiros së njëzetepestë të Superligës së Kosovës në futboll. Njëherësh, kjo do të jetë njëra prej dueleve më interesante të kësaj jave, pasi bëhet fjalë për një përplasje mes dy ekipeve që po bëjnë luftë të madhe për të mbijetuar në elitë.

Andaj, pikët e këtij takimi janë tepër të rëndësishme për të dyja ekipet. Kuqezinjtë, të cilët nuk dinë për humbje që pesë javë, të shtunën do të mundohen t’i fitojnë tri pikë të reja përballë prizrenasve, të cilat do t’ua shtonin gjasat për të mbijetuar.

“Do të jetë një sfidë e vështirë, pasi përballë kemi një ekip shumë të fortë, i cili i ka mesfushorët ndoshta më cilësorët në Superligë. Liria teknikisht është shumë e mirë. Por, neve na nevojiten shumë pikët. Këto dy fakte na vështirësojnë shumë punët”, ka thënë për Express trajneri i Drenicës, Bylbyl Sokoli.

“Por, unë kam besim te futbollistët e mi, të cilët shpresoj se do të luajnë si në këto pesë ndeshjet e fundit dhe t’i fitojmë tri pikë”, shtoi Sokoli, skuadra e të cilit aktualisht pozicionohet në vendin e dhjetë të tabelës me 19 pikë, dy më pak sesa Liria, që gjendet në pozitën e nëntë.

Megjithëkëtë, pas tri humbjeve të njëpasnjëshme, prizrenasit synojnë të fitojnë pikë në Skenderaj, me qëllim që edhe më tutje ta lënë pas vetës ekipin kuq e zi.

“Nuk kemi zgjedhje tjetër, pos synimit që të luajmë me më shumë angazhim. Në tri ndeshjet e fundit pësuam dhe tashmë na duhet rehabilitim. Do të jetë vështirë. Kemi edhe mungesa, por kur angazhimi nuk mungon, mund të arrihet suksesi. Pres që të rritet niveli i përgjegjësisë te futbollistët, përkatësisht ngritja e moralit dhe të arrijmë rezultat pozitiv”, ka thënë trajneri i bardhezinjve, Skender Shëngyli. Ky takim nis në orën 15:00.

Superliga – Xhiroja e 25-të

E shtunë

Hysi – Besa 13:15

Drenica – Liria 15:00

E diel

Prishtina – Trepça 13:15

Drita – Gjilani 15:00

Vëllaznimi – Lepenci 15:00

Trepça ’89 - KEK-u 15:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›